![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2023/12/397209149_727778276057364_3827365739868429332_n-1-1.jpg)
Prof.Dr. Roland Gjini/
Osman Doraci është një personalitet i spikatur antikomunist elbasanas, që për fat të keq, ende nuk është shkruar për të, me përjashtim të disa dokumentave të botuara në shtypin periodik, lidhur me procesverbalet e hetimit të tij nga sigurimi i shtetit, të vitit 1949. Madje edhe në botimin Elbasani-enciklopedi emri i tij as nuk përmendet fare. Lindi në Elbasan në vitin 1921, në një familje me tradita patriotike. Kështu, një paraardhës nga trungu i tij familjar, Ahmet Doraci, përmendet si anëtar i këshillit drejtues të degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Elbasanin, në vitin 1878.
Osman Doraci, pasi mbaroi Normalen e Elbasanit, në moshë fare të re, në vitin 1939, fillon punën si nëpunës në Ministrinë e Arsimit. Punën e filloi në kushtet e okupimit fashist të vendit, me pasionin për arsimin kombëtar, ashtu si shumë mësues patriotë elbasanas, që edhe pse në kushtet e pushtimit, ai ndjeu shqetësimin e vazhdimësisë së arsimimit kombëtar dhe të përhapjes më tej të shkollave shqipe, jo vetëm në Shqipëri, por edhe te shqiptarët në trojet e tyre jashtë Shqipërisë. U kujdes që kontigjentet e mësuesve të dalë nga Normalja të shpërndaheshin kudo, nga Jugu në Veri, madje edhe te shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë.
Pas vitit 1941, kur në vend filluan të krijohen organizatat dhe partitë politike, që në programet e tyre shpallën luftën kundër fashizmit, Osman Doraci, i shquar për qëndrimin e tij nacionalist, nuk u pajtua me programin e komunistëve, për këtë arsye ai u rradhit në organizatat nacionaliste. Nga kjo kohë e deri në fund të jetës së tij ai do të qëndrojë në pozitat e një antikomunisti të vendosur. Kështu, gjatë pushtimit italian ishte ndër të parët që u rendit në rradhët e Ballit Kombëtar, duke mbajtur lidhje tepër të ngushta me eksponentët kryesorë të saj në trevën e Elbasanit, me Lef Nosin, Venemin Delianën, Jorgji Zylfin, Nezir Muzhaqin, etj. Kjo organizatë e ngarkoi atë të merret me organizimin e rinisë së Ballit Kombëtar në trevën e Elbasanit. Mbështetësi kryesor i të riut Osman Doraci ishte Lef Nosi, i cili jo vetëm e ndihmoi për t’u punësuar në Ministrinë e Arsimit, por edhe e zgjodhi atë në vitet 1943-1944 shoqërues të Regjencës.
Aktiviteti i tij në rradhët e Ballit intensifikohet pas janarit të vitit 1944, pra pas riorganizimit të kësaj organizate, ku me dorëheqjen e kryesisë së vjetër drejtuar nga Vasil Andoni u zgjodh një kryesi e re, drejtuar nga Abaz Ermenji. Në fakt, duhet pranuar që pas tërheqjes së Vasil Andonit nga drejtimi i Ballit, komiteti qarkor i kësaj organizate për Elbasanin ra në dorë të Shefqet Vërlacit e partizanëve të tij, Shumë nacionalistë, edhe ballistë të Elbasanit nuk mund të pajtoheshin me qëndrimet e Vërlacit si kryeministër gjatë pushtimit iltalian. Gjithashtu një pakënaqësi në popull kishin ngjallur edhe veprimet ndëshkuese e të përgjakshme të Xhaf Balit, i cili njihej si krahu i djathtë i Vërlacit. Prandaj shumë nacionalistë në fillim të vitit 1944 u larguan nga rradhët e Ballit. Ndërsa Osman Doraci, edhe ky i pakënaqur për sa më sipër, nuk ndoqi rrugën e braktisjes, por vazhdoi punën për organizimin e rinisë balliste, tashmë në Tiranë, duke u kushtëzuar edhe nga puna si shoqërues i Lef Nosit, i cili ishte anëtar i Regjencës. Përzgjedhja që Lefi i bëri atij si shoqëruesi kryesor, është tregues i vlerësimit të Osman Doracit si patriot, nacionalist dhe antikomunist i vendosur dhe, njëkohësisht, si një njeri besnik.
Në muajt tetor-nëntor të vitit 1944, Osman Doraci, së bashku me Lef Nosin shtuan përpjekjet për të ndërgjegjësuar shqiptarët se pas largimit të Gjermanisë, Shqipëria duhej qeverisur nga nacionalistët dhe jo nga komunistët. Madje pas një mbledhje në Shkodër, në nëntor të vitit 1944, u vendos që në qytetet e Shqipërisë të krijoheshin forca të armatosura, për të mos lejuar depërtimin e qeverisë komuniste dhe, njëkohësisht, u shtypën trakte duke u shpërndarë në tërë vendin.
Kontributi më i madh patriotik i Osman Doracit qëndron në faktin që ai asnjëherë nuk u pajtua me komunizmin dhe sidomos me qeverisjen e Shqipërisë nga ata. Ndërkohë, në tetor të vitit 1944, komunistët kishin krijuar qeverinë e tyre në Berat dhe filluan përndjekjen dhe ekzekutimin e krerëve të organizatave nacionaliste. Të vënë përpara këtij revanshi, mjaft krerë të Ballit Kombëtar e të Legalitetit morën rrugët e largimit jashtë vendit. Një thirrje e tillë iu bë edhe Lef Nosit dhe Osman Doracit, por këta të dy, trimërisht vendosën të qëndrojnë në Shqipëri, duke u shprehur se nuk kanë bërë ndonjë gjë të keqe kundër vendit të tyre, madje gjykonte Lefi, edhe nëse do të na akuzojnë se kemi qenë të lidhur me gjermanin, e shumta do të na dënojnë 6 muaj burg, pasi ne nuk kemi bërë krime. Në fakt ndodhi e kundërta, mes të tjerëve që qëndruan në Shqipëri, në fund të vitit 1944, u arrestuan dhe u burgosën edhe Lef Nosi dhe Osman Doraci. Fati i personalitetit të spikatur Lef Nosi dihet, ai u pushkatua në vitin 1946, ndërsa miku i tij, Osman Doraci, pas dy vjet burgimi, lirohet në vitin 1946 për mungesë provash. Ky ishte burgimi i tij i parë. Pas daljes nga burgimi ai mbeti përjetë i survejuar nga organet e sigurimit të shtetit. Kështu, në arshivën e Ministrisë së Brendshme për të shihen akuza e epitete si “feminist”, si i “zgjuar por që nuk di të përdorë armën”. Kjo e fundit është sa cinike, nga njëra anë, aq edhe alibi për ta përjashtuar atë nga akuza si “kriminel”, nga ana tjetër.
Pasi u përpunua akuza e dytë, po për faje politike, arrestohet përsëri në vitin 1952, duke u dënuar kësaj rradhe me 15 vjet burgim. Në vitin 1964 lirohet nga burgu, por fletëlirimi i tij do të shoqërohet me fjalët se në burg ka mbajtur një “qëndrim shumë të keq”
Për pak vite punoi në profesione të rëndomta, duke u arrestuar për së treti në fund të viteve ’60-të po për faje politike. Pas daljes nga burgimi i tretë jetoi vetëm pak vite, në varfëri, dhe për më keq, i harruar, për më se 40 vjet, pavarësisht përkushtimit të tij sa ishte gjallë, për një Shqipëri të lirë e demokratike.