Policia e Shtetit ka publikuar masat që do të aplikohen qysh nga dita e nesërme në lidhje me parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Në kuadër të këtyre masave, policia bën me dije se nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve si më poshtë:
1.
Nga dita e premte, datë 13.03.2020, ora 06:00, deri të dielën, datë 15.03.2020,
ora 00:00, të mos lejohet të qarkullojnë automjete të transportit ndërurban,
automjetet private drejt Tiranës dhe Durrësit apo anasjelltas, nga Tirana dhe
Durrësi, në drejtim të zonave të tjera të vendit.
2. Nga dita e premte, datë 13.03.2020, ora 06:00, deri të dielën, datë
15.03.2020, ora 00:00, të mos lejohet qarkullimi i automjeteve private brenda
në qytetin e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Lushnjës, Fierit
dhe Vlorës.
3. Qarkullimi i automjeteve në këto territore do të jetë i hapur vetëm për
autoambulancat dhe automjetet që kryejnë funksione shërbimi shtetëror
(personeli shëndetësor dhe social dhe shërbimet mbështetëse në strukturat e
kujdesit shëndetësor, publike dhe jopublike, personeli i farmacive publike dhe
jopublike, personeli që ofron shërbimet e furnizimit me ushqime, medikamente,
shërbimet e kateringut, shërbimet postare, zjarrfikëse, funerale, energjisë,
ujësjellës kanalizime, shërbimet private të ruajtjes së sigurisë së objekteve,
shërbimet aeroportuale dhe personeli i linjave ajrore), duke dërguar pranë
adresës së email: policiarrugore@asp.gov.al, listën e personave të autorizuar
dhe duke i paraqitur punonjësve të Policisë një kopje të këtij email-i.
4. Qarkullimi i automjeteve të personave me sëmundje kronike që kanë të
planifikuara terapi mjekimi në spitale, duke provuar përmes një dokumenti
nevojën për trajtimin e tyre, do të jetë i hapur.
5. Do të lejohen të qarkullojnë automjete të personelit të medias, duke
paraqitur dokumentin e tyre të punësimit ose kartën e gazetarit.
6. Për qarkullimin vajtje – ardhje nga aeroporti i Rinasit, drejtuesi i
automjetit duhet t’i tregojë punonjësit të policisë, biletat e fluturimit të
personave që do të largohen apo foton e biletave të personave që do të
mbërrijnë.
7. Marrja në automjetin e punës, e personave të familjes apo personave të tjerë
që s’kanë lidhje me detyrën shtetërore është rreptësisht e ndaluar dhe do të
ndëshkohet me sanksione të rënda të parashikuara në legjislacionin përkatës.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të automjeteve që
të respektojnë këto kufizime me rigorozitet, me qëllim parandalimin e përhapjes
së COVID-19, duke kontribuuar të gjithë për sigurinë e jetës.
Kryeministri Rama: Do mbyllen qendrat tregtare, por jo furrat e bukës, ushqimoret dhe farmacitë
Kryeministri Edi Rama ka dhënë shpjegime të reja për 3 ditët e shtetrrethimit për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Rama qetësoi të gjithë qytetarët se nuk do të mbyllen furrat e bukës, ushqimoret dhe farmacitë. Ndërsa shpjegoi se do të mbyllen qendrat tregtare që nuk ofrojnë shërbime ushqimi.
“Do të pezullohen aktivitetet brenda qendrave të mëdha tregtare që nuk janë të lidhur me shërbimin për ushqim apo farmaceutike. Dyqane rrobash, parfumesh do të mbyllën në mënyrë që të ruhen të gjithë. Ndërkohë që çdo shërbime për ushqime do të jetë hapur. Është dëmshme që të shkojmë të marrim me radhë furrat e bukës. Për blerjen e ushqimeve, medikamenteve do të jetë gjithmonë e mundur që të lëvizet. I gjithë zinxhiri ekonomik do të mbahet për këtë fazë këtu ku jemi. Nesër paradite ushqimoret, furrat e bukës, farmacitë do të jenë hapur”
Kush do të qarkullojë?
Qarkullimi do të jetë i hapur për ambulancat, makinat që kryejnë shërbim shëndetësor dhe social, për farmacitë, për personelin që furnizon me ushqime, me shërbime kateringu, shërbime postare, zjarrfikës, funeral dhe të gjithë personelin që është i lidhur me sistemet e furnizimit me energji apo ujësjellës kanalizime, plus personeli i policive private të ruajtjes së objekteve, gjithashtu personeli i shërbimeve të internetit“.
Rama sqaroi si duhet vepruar për tu akredituar për qarkullim
“Për të gjitha këto ka një metodë shumë të thjesht, në adresën policia rrugore asp.gov.al administratori i kompanisë duhet të dërgojë listën e personelit emër mbiemër, nr telefoni, nr e targës se makinës. Është një mënyrë fare e thjeshtë për këtë shpejtësi dhe do të shohim si do të funksionojë. Do të ndiqet e njëjta mënyrë për mediat. Mediat duhet ti drejtojnë në adresën asp.gov.al kërkesën me të gjithë emrat me të njëjtin sistem.
Edhe qarkullimi i makinave të personave me sëmundje kronike, me dokumenton e nevojshëm për trajtimin e tyre është i hapur, siç është i hapur qarkullimi për persona që bëjnë kujdes sopcial për të moshuar”
Rama: Nëse numri rritet më shpejt sesa masat, do jemi në vështirësi
“Nëse numri do të na rritet më shpejt sesa masat atëherë do të jemi në një pozitë shumë të vështirë, por askush nuk i di të gjitha në këtë situatë. Këto që po ju them janë të konfirmuara nga burimet e ekspertizës. Kjo nuk është një shaka, ku secili mund të japë opinionet e veta “
Çfarë do të ndodhë pas të dielës?
“Para se të vija këtu po dëgjoja kryeministrin britanik i cili shpjegoi pse në Britania nuk do mbyllë shkollat dhe universitet. Është një qasje, por përsa na takon ne do ndjekim qasjen e përshkallëzimit strikt sipas planit për të ngadalësuar shpërndarjen e virusit”.
Jo fluturime në Itali dhe SHBA, kompanive i kemi kërkuar garantimin e fluturimit ne një datë tjetër
“Patjetër nuk ka kufizim për fluturimet, përveç Italisë dhe Amerikës. Pra kush ka biletë për në Itali apo SHBA duhet të presë momentin kur do të rihapet fluturimi dhe rimbursimi apo më shumë sesa rimbursimi që s’ka për të ndodhur, kompanitë duhet të garantojnë fluturimin në një datë tjetër. Kjo është gjëja që i kemi kërkuar kompanive.
Të gjitha ata që kanë bileta për në Itali me air albania do të kenë të rezervuar vendin në momentin kur të hapen fluturimet.
Masat janë dinamike dhe progresive. Masat nuk ndalojnë ardhjen e virusit, por ta ngadalësojmë shpërndarjen.”