Dr. Gëzim Puka*/
Emrin e shkrimtarit Agim Gjakova brezi im e ka njohur që në vitet ‘80, kur ndodhte që romanet e tij të na i këshillonin mësuesit edhe për biseda letrare. Çuditërisht, ne të shkolluarit e atyre viteve të fund diktaturës, jemi mëkuar mes kundërshtish të një letërsie të mirë dhe një letërsie shpeshherë skematike, që na ofrohej dhe na obligohej për lexim.
Emrat e Agim Gjakovës, Sulejman Krasniqit, shkrimtarë nga Kosova, të cilët në tekstet e tyre kishin të mishëruar një shije lirije, mbase edhe për faktin se këta autorë “arratiseshin” në tema historike si shumë të tjerë, që nuk mundën ta qasnin dhe përvetësonin një metodë shkrimore të imponuar qoftë në përmbajtje, qoftë edhe në formë, siç ishte metoda e realizmit socialist.
Gjithë jetën Gjakova nuk i është ndarë shkrimit duke lëvruar poezinë, prozën, dramën apo edhe skenaret e filmave, dialogjet e të cilëve vijojnë të lënë mbresa ndër shikuesit e sotëm. Por le të kthehemi te romani në fjalë.
Shpesh thuhet: “Kurrë mos gjyko një libër nga kopertina!”
Por unë do ta filloj interpretimin tim pikërisht nga kjo, ku është shkruar katër herë dhe me katër ngjyra të ndryshme titulli “Korridoret e gjelbra”. Këtu zë fill mendjeshkrepja ime e parë interpretative. Ndërsa kur mbërrita në faqen 83 të librit lexova këto radhë: “Qyteti ynë mund ta ruajë më shumë se një të katërtën e pamjes se vet tradicionale vetëm po të përfillet tipari themelor hapësinor: gjelbërimi.” U desh të mbërrija në këtë faqe për të gjetur kyçin interpretativ të romanit. Gjelbërimi dhe qyteti dy ide që qëndrojnë si vokacion jetëdhënës. Romani paralajmëron ndjenjë, lirizëm dhe pak ngjarje. Është nga ato raste kur i iket së rëndomtës, siç shprehet romancieri Ridvan Dibra në librin e tij “Për romanin dhe romanet”, citoj: “Turmat vrapojën aty ku ka ngjarje edhe romanet e rëndomtë gjithashtu.” Falë këtij lirizmi, ky roman renditet ndër veprat e mira, që premtojnë kënaqësinë e lexueshmërisë nga një lexues i brumusur me shije të mirë.
Kemi një fabul apo histori e thjeshtë dashurie. Temë qendrore është dashuria e Arsës (vini re emrin simbolik Ars-Art) dhe Yllit (tjetër simbol, pak lasgushian, në kërkim të dashurisë). Një ndjenjë thellësisht romantike e poetike që përgjohet nga një kontekst thellësisht “prozaik”. Nëse vepra do të kishte një nëntitull, ai do të ishte “Dashuri e përgjuar”. Këtë çast tensioni romani e prodhon me lexuesin. Vepra shfaq ndeshjen e sekuencave narrative të disa aktantëve oficerë sigurimi apo zëra të tjerë të ngjashëm spiunësh, në raport me faqet lirike e meditative të ditarit të Arsës.
Interpretimi korrekt i këtij teksti është vetëm këqyrja e tij në marrëdhënie me një kontekst jetësor që i përket sistemit të kaluar shoqëror dhe në ndonjë aspekt, sidomos në atë të përgjimit të dashurisë, ai mund të shtrihet edhe në kontekstin e kohës sonë. Në dukje vepra ka një procedim letrar realist, por përmes një “kurthi” romantik që shpreh shkëputjen e njeriut nga natyra dhe ndjenjat e pastra njerëzore, ose dashurisë si ideal. Prandaj autori përdor strategjinë e poetikës së fragmentarizmit ose “kaosit” të rrëfimit, që të mos kuptohet lehtësisht zëri që flet në vepër. Janë disa rrëfimtarë që ndodhen në mes të asaj ngjarjeje dashurore dhe që e ndjekin atë në çdo hap. Arsa dhe Ylli si personazhe realiste e kanë fillesën e tyre, sipas gjasës dhe nevojës, sipas një rrëfimi në dukje mimetik, i cili synon qëndrimin emocional tek lexuesi. Programi narrativ, dashuria e këtyre subjekteve, përplaset me antisubjekte, siç është daja i Arsës dhe të gjithë ata që ishin kundër kësaj lidhjeje. Në roman dashuria e të rinjve shpërthen. Në faqet e ditarit të Arsës kjo ndjenjë himnizohet, ndërsa në raportet apo relacionet e përgjuesve ajo profanohet. Prandaj loja me rrëfimin e së njëjtës ngjarje dhe së njëjtës kohë, shoqërohet me ndryshueshmëri stili shkrimor.
Si të gjitha dashuritë e penguara edhe kjo do të përfundojë gati tragjikisht. Rrethimi ideologjik dhe ziliqar i antagonistëve i shpie në buzë të greminës këta heronj romantikë. Ylli është konceptuar si antikonformist, liberal me vizion harmonie të njeriut ndaj natyrës dhe ndaj historisë. Shpesh ngjajnë me një çift të dashuruarish që arratisen në histori, në momentin që konsumojnë dashurinë e tyre në kala apo në breg lumi. Gjithë ndriçimi tekstësor figurativ është pikërisht tek faqet e ditarit të Arsës, ku shpërfaqet bukuria e fjalëve me shumë ngjyresa.
Autori nuk e rëndon ligjërimin me stolisje, por e sendërton ndjenjën duke i dhënë këtij romani edhe mundësinë e përvijimit në imazhe. Të gjithë aktantët e tjerë janë në periferi të atyre qendrorë dhe janë trajtuar gati konvencionalisht, për t’u lënë hapësirë Arsës dhe Yllit, më shumë si vende poetike, sesa si karaktere letrare. Teksti ironikisht në pjesët e tij dialogjike tregon lidhjen me aktin e kallëzimit të tyre përmes shkresave të oficerëve. Mbajtja e distancës ironike autoriale funksionon edhe për orientimin e lexuesit drejt përjetimit dhe kuptimit të veprës. Në mënyrë tangente vijnë narrativat e shumëdëgjuara për pleniume, luftë klasash, liberalizëm, parti, ideologji etj. Mbërrijmë pastaj tek pika kulmore e gati vetëflijimit të dy të rinjve, që duket se janë dënuar nga ferri i atij sistemi, si një Paolo e Françeskë danteske, që nuk shkëputen kurrë nga njëri-tjetri.
“Dashnija, që të shtërngon me kthim të dashnisë,
për të më kapi aq fort, sa m’përvëloi,
e, siç e sheh, endè nukë më braktisë
Dashnija dhunshëm në vdekje bashkë na çoi.
E atë që na shoi, Kaìna e pret…”
Ndërsa lexoja, m’u ndërmend dy nga tercinat më të bukura të letërsisë italiane, të shqipëruara nga Meritan Spahia në përkthimin më të fundit të “Ferrit” të Dantes.
Ndërsjelltësia apo reciprociteti i dashurisë është tërë ideja e këtij romani. Forcën e kësaj lidhjeje nuk e shqit as vdekja që është fare pranë. Arsa dhe Ylli presin fundin e tyre në kthinat e gurta të kalasë së vjetër të qytetit. Të atij qyteti që Ylli nuk e urbanizoi dot me korridore të gjelbra.
Finalja e romanit është dorëheqja e oficerit nga detyra e përgjimit, i cili në epilog mbyll raportin e tij të fundit për dajën e Arsës me fjalët që po citoj:
“U mundova të bisedoja me ta, por asnjë përgjigje. Desha të dija, vërtetë të dija, se përse në kala. Përse?! Përse?! Përse?! Në vend që të shkonin përpara, dashuria e tyre na kishte kthyer mbrapa në atë errësirën e kalasë. Por vetëm “pika e ekzistencës”…! Pasi u mendova gjatë, kuptova e ne nuk do të jemi në gjendje të shkatërrojmë e të shuajmë kurrë atë “pikë të ekzistencës” së tyre. Ju lutem të më shkarkoni nga kjo detyrë!”
Dorëheqja e tij është akti përfundimtar i shpalljes së humbjes të së rëndomtës, përballë së madhërishmes ndjenjë njerëzore: dashurisë.
*Mbresa nga leximi i romanit të Agim Gjakovës “Korridore të gjelbra”