Nga Gavrosh Levonja/New York/
Në një shikim të parë, falja publike që Edi Rama kërkoi nëpërmjet një esse-je të publikuar në mediat e vendit lidhur me dekorimin e një ish-hetuesi, i cili dikur kishte torturuar dhe figura të njohura si i ndjeri At Zef Pllumbi dhe Prof. Sami Repishti është për t’u vlerësuar. Të paktën pasi tregon që kryeministri është në gjendje të reflektojë ndaj akteve e veprimeve të gabuara të qeverisë së tij. Këtë e përforcon edhe vendimi i pak javëve më parë duke ndryshuar me 180 gradë qëndrimin e tij përsa i përket taksimit të biznesit të vogël, duke i hequr apo ulur ndjeshëm taksat në kohën kur kjo katëgori biznesi dhe të vetëpunësuarit kishin filluar të mbyllnin bizneset apo të burgoseshin për mospagim detyrimesh ose për moslëshim kuponi tatimor. Tani, duke i u kthyer faljes së kërkuar nga kryeministri , pasi ta kesh lexuar deri në fund esse-në e tij, nuk është aspak e vështirë të arrish në përfundimin se kemi të bëjmë thjesht me demagogji. “Falja” e kërkuar nga Edi Rama më shumë është një përpjekje për “të larë duart” nga një gabim i rëndë i administratës së tij “rastësor” apo “i qëllimshëm”. Nuk ka si shpjegohet ndryshe një kërkesë për falje pa reflektuar me veprime konkrete të cilat do të vinin gjërat në vendin e duhur. Së pari, në kohën që mediat publkonin esse-në e tij ai duhej të kishte vënë në lëvizje strukturën përkatëse për të rishikuar listën e të dekoruarve duke qëmtuar emrat e “mëkatarëve” të kohës së diktaturës për t’u a hequr më pas dekoratën e dhënë nga Ministria e Mbrojtjes duke anulluar vendimin e gabuar. Të paktën kështu viktimat dhe të afërmit e viktimave të të përfolurit Shyqyri Çoku, në rastin e bërë publik, do të ndjeheshin disi më të lehtësuar. Gjithashtu, kreu i qeverisë duhet të jetë i ndërgjegjshëm se në listën e të dekoruarve nga ministrja e tij e mbrojtjes ka dhe shumë “Çokër” të tjerë. Nga lista e të dekoruarve e bërë publike disa javë më parë, gjë që u bë shkas për ndezjen e debatit, nga njohuritë që kam mund të them se mbi 20 të dekoruar kanë qene pjesë e aparatit represiv të kohës së diktaturës si hetues, prokurorë apo funksionarë të sigurimit famëkeq të shtetit. Së dyti, dhe që është më e rëndësishmja, kryeministri duhej të kishte vënë para përgjegjësisë të gjithë ata zyrtarë të tij duke filluar nga ministrja, të cilët përpiluan listën e dekorimeve dhe e firmosën atë. Logjikisht, për deri sa kryeministri ndjehet i detyruar të kërkojë publikisht falje, do të thotë se ai ose dikush prej ekipit që ai drejton ka bërë faj dhe për këtë duhet të përgjigjet administrativisht deri dhe në shkarkim nga detyra apo duke u dorëhequr. Personalisht këto dekorime nuk i shikoj të shkëputur nga rishfaqja e portreteve e fotove të diktatorit komunist nëpër ceremoni festive zyrtare, nga ceremonitë përkujtimoire të ngjarjeve që instaluan diktaturën komuniste në Shqipëri, siç ishte i ashtuquajturi “kongres” i Përmetit”, shallet e kuq e nderimet me grusht nga zyrtarë e figura të PS-së etj. Të marra së bashku, mendja ta do se nuk janë gjë tjetër veçse teste të radhës për të arritur tek reahabilitimi I diktatorit dhe periudhës së tij. Le të marrim rastin e dekorimeve. Duke pasur parasysh se lufta ka mbi 70 vjet që ka mbaruar dhe moshën e të dekoruarve i bie që gjatë luftës këta të kenë qenë nga 10 deri 15 vjeç, athere për ç’kontribut mund të bëhet fjalë? Ndoshta ministrja e mbrojtjes vlerëson si kontribut ngjitjen e trakteve të partisë komuniste nëpër mure dhe shpërndarjen e tyre?!.. Më e besueshme është që dekoratat u janë dhënë për kontributin e tyre në shërbim të diktaturës. Së treti, Rama, në vend që të kërkojë llogari në ekipin e tij, zgjedh rrugën më të lehtë duke fajësuar Sali Berishën, gjithmonë në bazë të parimit “fajin e ka Saliu”, slogan, i cili jo vetëm e ka humbur efektin por ndikon negativisht, pasi kushdo përdorimin e këtij slogani të stërkonsumuar e shikon si mjet për të justifikuar mosrealizimet apo mëkate të tjera të qeverisjes. Edi Rama mundohet të shesë gafën e dekorimit si pasojë e një ligji të dekretuar në vitin 1994 nga Sali Berisha, athere presaident. Por, para se të servirte këtë version, ai duhej të kishte gati dhe arsyetimin për të shpjeguar se përse vetë Berisha gjatë viteve që ka qenë në pushtet nuk ndërmori aventurën për të dekoruar e nderuar të paktën një të vetëm nga xhelatët e hetuesisë e të burgjeve. Po kështu ai duhej të ishte në gjendje të sqaronte se për ç’arsye PS nuk shprehu ndonjë objeksion ndaj dekretit të Berishës. Në të vërtetë, po të bëjmë një retrospektivë të këtyre 25 viteve rezulton se socialistët, në cilësinë e trashëgimtarëve të PPSH-së kanë qenë shumë më të interesuar dhe kanë bërë demarshe për të nderuar individë dhe akte të kohës së diktaturës. E kundërta po, ka ndodhur. Në vitin 1995 pra vetëm një vit më pas , parlamenti me shumicë demokrate votoi dhe ligjin për genocid, në bazë të të cilit dënoheshin të gjithë të akuzuarit për persekutim e shkelje të të drejtave të njeriut gjatë sundimit komunist. Ishin pikërisht socialistët që e kundërshtuan këtë ligj, megjithse nuk qenë në gjendje të pengonin arrestimin dhe dënimin e disa ish kudrove të lartë të MPB së e hetuesisë së kohës së diktaturës. A është vallë në gjendje Rama të shpjegojë se si është e mundur që nga njëra anë Berisha paska qenë I interesuar të nderojë hetuesit dhe xhelatët e tjerë të birucave dhe nga ana tjetër të mbështesë një ligj i cili në vend të dekoratës u rezervonte prangat? Në vend që kapet pas një dekreti të 21 viteve më parë për të akuzuar Berishën si shkaktar të dekorimeve skandaloze do të bënte mirë të merrte masa për ata që e futën në një telash të tillë duke filluar nga ministrja e tij e mbrojtjes, e cila me t’u bërë publike funksionet dhe bëmat e një pjese të të dekoruarve duhej të kishte dhënë dorëheqjen. Nga ana tjetër kjo do ta shkarkonte vetë kryeministrin dhe nga akuzat për praninë e portreteve të diktatorit në ceremoni festive zyrtare, dhe aktë të tejra ku shprehet nostalgjia për Hoxhën e regjimin e tij, gjë që pas aferës së dekorimeve s’besoj që të jetë një tekë e disa pleqve fanatikë me të cilët sipas Ramës nuk i a vlen të merresh.