Fushata sensibilizuese e programi i OPDAT, i Departamentit të Drejtësisë së SHBA në Tiranë, ka bërë bashkë, Njësitë e Përbashkëta Hetimore (task-forcat) e Prokurorisë së Përgjithshme te cilët ndërmorën një fushatë ndërgjegjësimi publik,“Kundërshtoj Korrupsionin” për të nxitur qytetarët shqiptarë të kundërshtojnë dhe të raportojnë korrupsionin. Sipas njoftimit zyrtar të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, një pjesë e fushatës përqendrohet tek të rinjtë shqiptarë. Prokurorë të task-forcave në shtatë qytete të vendit kanë vizituar nxënës të vitit të parë të shkollave të mesme për të folur me nxënësit mbi korrupsionin.
Ambasada e SHBA shpreh besimin se “kur prokurorët diskutojnë çështje të korrupsionit drejtpërdrejt me nxënësit, atëherë rritet besimi midis ligjzbatuesve dhe komunitetit, si dhe nxiten nxënësit që të shohin rolin dhe përgjegjësitë e tyre në luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit”. Prokurorët e task-forcave, kanë vizituar nxënës të shkollave të mesme publike në Tiranë, Shkodër, Durrës, Fier, Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë që prej dhjetorit të kaluar. Në përfundim të prezantimeve, prokurorët ftojnë nxënësit e vitit të parë që të hyjnë në një konkurs për posterin më të mirë, sponsorizuar nga Ambasada e SHBA në Tiranë. Kurse,Task-forca e Tiranës i filloi prezantimet në shkolla në muajin shkurt. Prokurorët janë duke folur mbi temën “Korrupsioni na Lëndon të Gjithëve.”
Gjithashtu, është prodhuar nga Ambasada e SHBA dhe Fondacioni EDS, një spot i shkurtër publicitar jokomercial mbi temën e korrupsionit, si pjesë e fushatës së ndërgjegjësimit social.