-Sipas afatit kushtetues, zjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë do duhej të mbaheshin në verën e vitit 2018/-Sondazhe dhe reagime. Kosova këtë vit edhe zgjedhje parlamentare? Shtypi i Prishtinës: Përgatitje intensive për zgjedhje të parakohshme/
PRISHTINË, 25 Prill 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Zjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë, sipas afatit kushtetues, do duhej të mbaheshin në verën e vitit 2018, katër vite pas atyre të parakohëshme të 8 qershorit 2014, e që ishin të pestat në liri nga qershori 1999 dhe të dytat nga shpallja e pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008.
E nëse zgjedhjet e ardhshme parlamentare, sipas disa paralajmërimeve, do jenë poashtu të parakohëshme, e do mbaheshin në 2017-ën, nëse shpallen së shpejti do mbaheshin në verë, por ka mundësi të mbahen edhe në vjeshtë, në të njejtën ditë me lokalet, që mos të ketë dy organizime zgjedhjesh brenda një viti e edhe të kursehet buxheti nga shpenzimet e dyfishta.
Tashmë në Kosovë, në deklarimet e aktivitetet e partive e lidërëve të tyre, vie “erë” fushatash elektorale e zgjedhjesh, ndërsa përmenden edhe emra kandidatësh të mundshëm për kryetarë komunash. Madje, ka sondazhe se çfarë do jetë renditja e partive në zgjedhjet parlamentare, kush fitues e kush humbës, si dhe reagime lidhur me këto sondazhe.
Në Kosovë, zgjedhjet parlamentare dhe lokale përnjëherë kanë ndodhur edhe më parë, në 17 nëntor 2007, dhe ato sollën legjislaturën e tretë, e cila ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë. Në Kosovën e lirë të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 nëntor 2001.
Kosova ka pasur zgjedhjet e saj të pavarura edhe para se të bëhet e lirë dhe e pavarur, të parat ishin parlamentare e presidenciale në 24 maj 1992, që u mbajtën në rrethana të rënda okupimi nga regjimi i dhunës serbe e ishin pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci.
Sipas shtypit të sotëm në Kosovë, institucionet u kanë dhënë intensitet veprimeve e konsultave në funksion të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.Madje, janë bërë edhe plane operative, shkruan sot Koha Ditore.
Burime të gazetës kanë thënë se presidenti Hashim Thaçi e ka ftuar të hënën në takim kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, nga e cila ka kërkuar që një vendim i mundshëm për shpërndarjen e Kuvendit të mos e gjejë në befasi institucionin përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve.
Ftesa i ka mbërritur Dakës javën e shkuar, kohë kjo kur KQZ-ja ka ndërmarrë disa veprime, përfundon citimi i gazetës.