-Kosova në statistika, nëpër vite: Emrat e fëmijëve më të shpeshtë dhe numri i lindjeve e i banorëve/
-Regjistrimi i popullsisë së Kosovës ende nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit/
-Para më shumë se gjysëm shekulli, në 6 korrikun e vitit 1962, gazeta tradicionale shqiptare Rilindja shkruante se Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 18 Qershor 2018/ Në Kosovë, sipas publikimit të sotëm të Agjencisë së Statistikave, emrat më të shpeshtë, të rekordit, për fëmijtë e lindur në vitin 2017, për vajza ishte Sara me 148 pagëzime dhe Jara me 141, ndërsa për djemtë Ajan me 246 dhe Noar me 226 pagëzime.Ngjashëm ishte në vitin 2016, kur në Kosovë, emrat më të shpeshtë për vajza ishin Alea me 169 pagëzime dhe Sara me 134, ndërsa për djemtë Ajan me 218 dhe Noar me 195 pagëzime.
Edhe për fëmijtë e lindur në vitin 2015, emri më i shpeshtë për vajza ishte Alea me 223 pagëzime, e pastaj ishte Erina me 146, ndërsa për djemtë Diar me 214 dhe Ajan me 205 pagëzime.Dy emrat më të shpeshtë për vajzat ishin të njëjtit edhe në vitin 2014, por nën një ishte Erina me 199 pagëzime e nën dy Alea me 182.
Në 2015-ën emri për vajzat Alea rikthehet në vendin e parë ku ishte edhe në 2013-ën me 154 pagëzime, e që pasohej nga Tuana me 118.Për djemtë edhe në 2014-tën emri më i shpeshtë ishte Diar me 215 pagëzime, e pas tij Amar me 180. Edhe në 2013-tën për djemtë emërat e njejtë Diar me 122 dhe Amar me 117 pagëzime ishin më të shpeshtit.
Sipas Statistikave të Lindjeve në Kosovë për vitin 2017, të publikuara sot nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, vitin e kaluar lindje të gjalla në vend ishin 23 402, kurse jashtë vendit 6 712.
Binjakë u lindën 654 foshnje, ndërsa trenjakë e më shumë u lindën 21 foshnje.
Për krahasim, në vitin 2016 lindje të gjalla në vend ishin 23 416, kurse jashtë vendit 6 915.
Binjakë u lindën 722 foshnje, ndërsa trenjakë e më shumë u lindën 30 foshnje.
***
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Kosova para më shumë se gjysëm shekulli arrinte numrin prej një milion banorëve. Në 6 korrikun e vitit 1962, gazeta tradicionale kosovare Rilindja shkruante se Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”
Sipas statistikave kosovare, në regjistrimin e popullsisë së vitit 1981, ku u përfshinë të gjitha etnitë, Kosova kishte një popullsi prej 1.584.440 banorësh.
Në reportazhin futuristik me titull “Kufiri i ëndrrës” që kam shkruar në kohë të rënda okupimi para më shumë se 20 viteve, në fundvitin 1997, botuar 3 Janar 1998, personazhja nga jugu i trojeve ku flitet shqip në udhëtimin drejt veriut të kufirit shqiptar – “Mollës së kuqe”, që nga Janina kishte mbërritur me tren në qyterin e Gjakovës, “tek po përpiqej ta maste me sy madhësinë e qytetit ku po ndalonte treni, më shumë e pëlqente një krahasim të përsëritur shumë vjet: ‘Kosova brenda vitit shtohet për një qytet, lind fëmijë aq sa ka banorë Gjakova’”.