-Ministri i Jashtëm i Italisë, Angelino Alfano viziton Kosovën. Ka disa ditë që ka marrë detyren dhe po e viziton Kosovën në fillim të mandatit/
PRISHTINË, 22 Dhjetor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Angelino Alfano, mbërrin në Kosovë për vizitë njëditëshe.Sipas axhendave të njoftuara, në Prishtinë sonte do pritet në takime të veçanta nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministriIsa Mustafa.
THAÇI-ALFANO: BALLKANI DUHET TË JETË INTERES STRATEGJIK PËR BE-NË, JO PROCES TEKNIKPresidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot në mbrëmje ka pritur në takim ministrin e ri për Punë të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të Italisë, Angelino Alfano.Presidenti Thaçi e falënderoi ministrin Alfano për vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë dhe për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë italiane.Presidenti Thaçi theksoi se Kosova ka arritur suksese të mëdha në konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetësisë së vet, duke përmendur hyrjen në fuqi të MSA-së si konfirmimin më të mirë të këtyre sukseseve.“Tani po punojmë për të ardhmen tonë në NATO dhe BE”, u shpreh presidenti Thaçi.Ministri i Jashtëm i Italisë, Angelino Alfano, duke iu referuar procesit të integrimit evropian të Kosovës, theksoi se paqja mund të arrihet vetëm përmes vlerave evropiane.
“Ju po e zhvilloni një proces të përfarimit me Bashkimin Evropian në momentet më të vështira të tij”, u shpreh ministri i Jashtëm i Italisë, Angelino Alfano.Presidenti Thaçi theksoi se Brukseli duhet t’i shikojë shtetet e Ballkanit si interes strategjik dhe jo si procese teknike për integrim.“Ne ndajmë vlerat evropiane dhe jemi evropianë, mirëpo Brukseli po vonohet me ne, sikur që është rasti me liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”, u shpreh presidenti Thaçi.Sipas tij, Bashkimit Evropian mund t’i kërkosh çdo gjë, por jo edhe shpejtësinë, sidomos tash kur është më së shumti e nevojshme, për shkak se antievropianizmi, ekstremizmi dhe radikalizmi po rriten me hapa shumë më të shpejtë.“Ne kemi konsensus politik dhe popullor kundër çdo ekstremizmi dhe radikalizmi, por edhe për përqafimin e vlerave euroatlantike”, u shpreh presidenti Thaçi.
MUSTAFA-ALFANO: VLERËSOHET ROLI SHUMË I MADH I ITALISË PËR PROGRESIN E KOSOVËS Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sonte në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Angelino Alfano.Gjatë takimit, kryeministri foli për progresin e Kosovës në shumë fusha, duke përfshirë fuqizimin e vazhdueshëm të shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtar.Kryeministri Mustafa theksoi avancimin e rrugës eurointegruese, zhvillimin ekonomik si dhe aspekte të tjera të zhvillimeve në vend.Duke vlerësuar rolin shumë të madh të Italisë për progresin e Kosovës, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin për bashkëpunim me Italinë, sidomos në fushën e shkëmbimeve ekomomike dhe tërheqjen e investimeve. Ministri i jashtëm italian, Angelino Alfano, vlerësoi të arriturat e deritashme të Kosovës, duke theksuar përkrahjen e mëtejme të Italisë.Ministri Alfano, po ashtu, vlerësoi vizionin e qartë të Qeverisë së Kosovës për avancimin e progresit, duke shprehur gatishmërinë e Italisë për zgjerimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve me Kosovën.Gjatë takimit, u bisedua edhe për projekte konkrete në fushën e bashkëpunimit ekonomik, mbajtjen e Forumit Ekonomik në Romë më 31 janar, për proceset eurointegruese, për dialogun e Brukselit si dhe për luftën kundër terrorizmit.
HOXHAJ TAKON KRYEDIPLOMATIN ITALIAN ALFANO, KONFIRMOHET FORUMI EKONOMIK NË ROMË ME 31 JANAR
Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Angelino Alfano, fillimisht u prit në takim zyrtar nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ku biseduan për raportet miqësore dhe thellimin e bashkëpunimit në planin ekonomik, mes Kosovës dhe Italisë.Në takimin dy palësh të ministrave në Prishtinë u konfirmua mbajtja e Forumit të përbashkët ekonomik mes dy vendeve me 31 janar në Romë. Ministri Hoxhaj dhe homologu i tij italian biseduan edhe për një koordinim të detajuar për projektet e ardhshme në kuadër të Procesit të Berlinit që do të mbahet vitin e ardhshëm në Itali. Në planin politik, ministri Hoxhaj tha se Italia mbetet mbështetëse e fuqishme e Republikës së Kosovës në përpjekjet për njohjen ndërkombëtare të shtetit, iniciativat për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, si dhe angazhimin e Kosovës në procesin e dialogut.
“Italia mbetet një mbështetëse e fuqishme e Kosovës. Në takimin me ministrin Alfano patëm një koordinim të detajuar të hapave të mëtejmë sa i përket projekteve të ardhshme në procesin e Berlinit. Biseduam edhe për njohjen ndërkombëtare të Kosovës, anëtarësimin në organizata dhe dialogun, ku kemi përkrahjen e plotë të Italisë. Konsideroj se po hyjmë në një etapë të re të bashkëpunimit ekonomik”, ka thënë ministri Hoxhaj.Të dyja palët u dakorduan për bashkëpunim të ngushtë në luftën kundër terrorizmit ku u vlerësua kontributi i Kosovës në këtë drejtim. Ministri i Jashtëm italian, ka disa ditë që ka marrë detyren dhe po e viziton Kosovën në fillim të mandatit.