PRISHTINË, 20 Korrik 2015/-Ministria për Integrim Evropian e qeverisë së Kosovës deklaroi sot se, së bashku me institucionet e tjera do të vazhdojë angazhimin për përmbylljen e dialogut për liberalizim të vizave brenda vitit 2015.
Përfaqësues të grupeve punuese teknike për procesin e liberalizimit të vizave nga të gjitha institucionet përkatëse, kanë diskutuar sot për punën e misionit faktmbledhës të Komisionit Evropian për liberalizim të vizave, ekspertët e të cilit qëndruan në Kosovë nga 13-17 korrik, duke konstatuar se organizimi i misioni ishte i suksesshëm.
Me gjithë përmbushjen e përgjithshme të kritereve, u konstatua që përkushtimi i institucioneve duhet të vazhdojë në nivelin e njëjtë. Përderisa një numër i vogël i kritereve kërkon ende punë për tu përmbyllur përfundimisht, një numër i tyre u tha se kërkon zbatim të vazhdueshëm.
Me këtë rast, zëvendësministri i Integrimit Evropian, Ramadan Ilazi, ka falënderuar të gjithë përfaqësuesit institucionalë për kontributin e dhënë dhe i ka përgëzuar për bashkëpunimin që patën me ekspertët e misionit faktmbledhës. Ilazi ka përsëritur se rëndësia e këtij misionit vlerësues është qenësore sepse raporti që do të hartohet nga ekspertët do të hap rrugë për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.
Ndërsa, Fisnik Rexhepi, këshilltar i lartë politik i ministrit për Integrim Evropian dhe njëherësh koordinator teknik i procesit të liberalizimit , ka bërë të ditur se ekspertët kanë zhvilluar mbi 50 takime dhe vizita në terren me përfshirje të mbi 100 përfaqësuesve institucionalë, me ç’rast janë prezantuar të arriturat në adresimin e kritereve teknike të cilat janë vlerësuar nga ekspertët. /B.Jashari/