-Sa i përket Asamblesë së Përgjithshme që do të mblidhet në muajin nëntor, ku do të merret vendimi final për anëtarësimin e Kosovës, Ambasadorja e Shqipërisë në UNESCO Besiana Kadare u shpreh optimiste se tashmë 2/3-at e votave, të cilat kërkohen për të miratuar propozimin e Këshillit Ekzekutiv, janë siguruar/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 22 Tetor 2015/ “Nuk do të lëmë gur pa rrotulluar duke kërkuar përkrahje për votën finale për Kosovën në UNESCO”, ka paralajmëruar zëvendëskryeministri i pare në qeverinë kosovare, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi.
Paralajmërimin e ka bërë nga Parisi, pasi dje në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, Bordi Ekzekutiv i kësaj agjencie të specializuar të KB-së ka miratuar me 27 vota pro, 14 kundër dhe 14 abstenime, propozim-rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Bordi Ekzekutiv përbëhet nga gjithsej 58 shtete anëtare prej të cilave 32 tashmë e kanë njohur Kosovën.
Ndërsa, mbetet që Asambleja e Përgjithshme e kësaj organizate, në nëntor, të votojë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.
“Fitohet beteja e parë drejt UNESCO-s”, “Kosova një hap larg anëtarësimit në UNESCO”, “Kosova, afër anëtarësimit në UNESCO”, janë titujt e ballinave të shtypit të sotëm në Prishtinë.
“Besiana Kadare anëtarësimin në UNESCO e quan fitore për Kosovën dhe Shqipërinë”, është një nga titujt e mëngjesit të sotëm në portalet kosovare, ku “Do të thosha që është shumë e rëndësishme që të gjitha vendet europiane, anëtare të Këshillit Ekzekutiv me përjashtim të Spanjës, votuan ‘pro’ Kosovës” , citohet ambasadorja e Shqipërisë në UNESCO.
“Sa i përket Këshillit të Përgjithshëm që do të mblidhet në muajin nëntor, ku do të merret vendimi final për anëtarësimin e Kosovës, Kadare u shpreh optimiste se tashmë 2/3-at e votave, të cilat kërkohen për të miratuar propozimin e Këshillit Ekzekutiv, janë siguruar”, citon media kosovare median shqiptare.
Kosova bën hapin e parë drejt anëtarësimit në UNESCO, deklaronte në12 shtator Minsitria e Jashtme kosovare në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi, ku zv/ministri i Jashtëm Petrit Selimi vlerësonte se Shqipëria kishte një rol thelbësor për shtyrjen e procesit përpara.
“Kërkesa për aplikim është dorëzuar nga Shqipëria dhe është nënshkruar nga 44 shtete anëtare të UNESCO-s që përbën një numër rekord në historinë e re të UNESCO-s”, theksonte ai.
Qeveria e Kosovës ka siguruar se, “nëpërmes anëtarësimit në UNESCO, do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie ose religjioni dhe do të avancohet edhe më tutje bashkëjetesa, si një traditë qe e kemi ruajtur dhe kultivuar ndër shekuj”.
Po ashtu ka theksuar se, “me anëtarësimin në UNESCO, Kosova do të rrisë standardet e ruajtjes dhe të garantimit të trashëgimisë kulturore, përshirë respektimin e statusit, të trashëgimisë dhe të pronës së Kishës Ortodokse Serbe”.