-Më shumë se 20 aktivitete për 9 Majin – Ditën e Evropës/
-Kremtimi Ditës së Evropës 2016 – në vitin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të BE-së dhe Kosovës dhe të udhëtimit pa viza të qytetarëve kosovarë të propozuar nga Komisioni Evropian/
-PRESEDENTI THAÇI: GËZUAR DITËN E EUROPËS, DESTINACIONIN E ARDHSHËM TË KOSOVËS /
-Kryeministri Isa Mustafa: E shpalli sot publikisht betejën e radhës, atë të përmbushjes së kritereve për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO/
-AAK: EVROPA DUHET TË NA NDIHMOJË QË EDHE KOSOVA TË JETË PJESË E SAJ/
-Dita e Evropës, 9 Maji është festë shtetërore përcakton Ligj për festat zyrtare në Republikën e Kosovës i miratuar në Kuvend në 21 maj 2008 – vitit historik të Pavarësisë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 9 Maj 2016/ Mbi 20 aktivitete zbavitëse, sporti, edukative dhe kulturore mbahen gjatë festimeve të për 9 Majin – Ditën e Evropës 2016 në qytete të ndryshme të Kosovës. Zyra e BE-së në Kosovë ka njoftuar se mes aktiviteteve do jenë loja për kupën e Evropës UEFA 2016, e basketbollit dhe vrapimit; koncertet nga bendi suedez “Vita Bergen” dhe bendi kroat “Lollobrigida”; ekspozita e fotografive të kryeqyteteve evropiane të kulturës 2016; kuizi shija e Evropës, vogëlsirat e saj, me kuzhinat e vendeve të ndryshme të BE-së, si dhe këndi i fëmijëve evropianë.
Aktivitetet qendrore do të nisin më 9 maj 2016 në ora 13.30 në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku do marrinin pjesë edhe Bekim Ҫollaku, ministër i Integrimeve Evropiane dhe Samuel Zhbogar, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së.
Njëkohësisht do të mbahen një numër aktivitetesh edhe në Mitrovicën Veriore, mes të cilave “Pikturoni të ardhmen tuaj evropiane” dhe koncerti për Ditën e Evropës.
Kremtimi Ditës së Evropës këtë vit ndodh në të njëjtën kohë me hyrjen në fuqi, në 1 prill, të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të BE-së dhe Kosovës, dhe pas propozimit të Komisionit Evropian për udhëtimin pa viza të qytetarëve kosovarë.
EKSPOZITA ME FOTOGRAFI “KOHËRAT PO NDRYSHOJNË”
Po ashtu, bëhet e ditur se, për Ditën e Evropës 2016 Ambasada e Republikës Çeke në bashkëpunim me Zyrën e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special në Kosovë do të bëjë hapjen e ekspozitës me fotografi “Kohërat po ndryshojnë” (“The Times They Are A-Changin”) sot në mbrëmje në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së (EUICC) në Prishtinë. Ekspozita është organizuar në dritën e ngjarjeve Havel@80 që mbahen në mbarë botën në shenjë të përkujtimit të trashëgimisë së Václav Havel-it dhe përvjetorit të 80-të të ditëlindjes së tij në vitin 2016.
Njoftimi dërguar nga Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së thekson se,Václav Havel, poeti i demokracisë së shekullit 20-të, u dha shpresë jo vetëm miliona njerëzve në Evropën Lindore, por edhe popujve në tërë botën të cilët besojnë se të drejtat e njeriut janë universale. Popujve të cilët besojnë se mund dhe duhet të luftojnë për të drejtat e njeriut dhe të ndihmojnë njerëzit në komunitetin e tyre dhe globalisht.
Iniciativa Havel@80 prezanton Václav Havel-in për popujt në mbarë botën si një njeri të rëndomtë me ndikim të jashtëzakonshëm për jetërat tona. Ekspozita me fotografi dokumentuese në bardh e zi prezenton Havelin për qytetarët e Kosovës si një disident, president dhe një qytetar, dhe ilustron momente të sinqerta nga jeta e tij jozyrtare dhe intime dhe prapa skenave derisa Haveli ishte president. Fotografi Oldřich Škácha, i famshëm për fotografitë e tij bardh e zi të disidencës çeke dhe të Vaclav Havelit në veçanti, ka mbajtur marrëdhënie të afërta me Havelin prej vitit 1960 deri kah fundi i jetës së Havelit.
MUSTAFA: KOSOVA KA VLERA PËR BASHKIMIN EVROPIAN
Në Ditën e Evropës,sot, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përkujton se 66 vjet më parë, Evropa u ngrit mbi të kaluarën e saj dhe filloi një rrugëtim të ri, të ndërtuar mbi parimin e bashkimit të vlerave.
“Kosova, ka vlerat e saj për t’ia bashkuar këtij bashkimi shtetesh e kombesh të lira.
Për t’i rivendosur vlerat e shteteve dhe kombit tonë aty ku e kanë vendin, ne duhet të dëshmojmë se kemi vullnet e fuqi për ta vendosur ligjin mbi të gjithë. Ne duhet të dëshmojmë me vendosmërinë tonë për ta luftuar e çrrënjosur korrupsionin e krimin e organizuar dhe të zbatojmë standardet e demokracisë”, thekson kreu i qeverisë së Kosovës.
Ai vijon se, tash që kemi nënshkruar dhe kemi filluar të zbatojmë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe, pasi kemi përmbushur të gjitha kriteret, kemi marrë rekomandimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave e presim të marrim datën e lirisë së lëvizjes në Zonën Schengen, aspiratat tona shkojnë duke u rritur.
“Këtë Ditë të Evropës, ne e shënojmë me disa rezultate të prekshme. Përveç MSA-së dhe liberalizimit të vizave, edhe në fushën e sportit kemi mbërritur të thyejmë barriera të mëdha. Tashmë talentët e shumtë në sporte të ndryshme, kanë fituar mundësinë për të garuar me konkurentët e tyre evropianë, duke përfaqësuar me dinjitet simbolet e shtetit të tyre, Republikës së Kosovës. Kosova është tashmë pjesë e UEFA dhe shpejt edhe e FIFA”, shprehet kryeministri kosovar.
Unë, vijon Mustafa, e shpalli sot publikisht betejën e radhës, atë të përmbushjes së kritereve për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
“Qeveria e koalicionit që unë drejtoj është e gatshme t’u prijë në këtë rrugëtim. Është rruga e ndërtuar edhe nga paraardhësit tanë. Procesi i integrimit evropian të Kosovës është axhenda më unike, e cila i bashkon të gjitha partitë politike, komunitetet e ndryshme etnike dhe shoqërinë në përgjithësi”, thekson ai.
Kryeministri Mustafa siguron se, qeveria ka një axhjendë të qartë zhvillimore, me parametra të matshëm dhe një axhendë evropiane që synon bashkëpunimin me fqinjët, përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe zbatimin e reformave rrënjësore që afrojnë vendin me Bashkimin Evropian.
“Kosova po prodhon stabilitet në rajon, ka marrëdhënie të mira me fqinjët. Ne e kemi të qartë se BE-ja nuk pranon në gjirin e saj vende me probleme fqinjësore, prandaj për të ecur përpara, Kosova dhe Serbia kanë zgjedhur rrugën e dialogut dhe bashkëpunimit. Marrëveshjet me Serbinë dhe fqinjësia e mirë, si parakusht për integrim në BE, përkrahet nga shumica e qytetarëve të Kosovës dhe më tepër se 2/3 e Kuvendit, i cili në vitin 2013 ka vendosur kornizat e këtij dialogu”, shprehet Mustafa.
Nëpërmes dialogut, vijon ai, ne kemi arritur integrimin e komunitetit serb në Kosovë, edhe në veri të vendit, dhe tani po punojmë së bashku që axhenda jonë politike të jetë ekonomia dhe integrimi Euro-Atlantik.
“Kjo gatishmëri dhe përkushtim i Kosovës për të ecur përkrah vlerave evropiane, jam i bindur se do të ndikojnë tek 5 shtetet hezituese ta njohin Kosovën shtet të pavarur dhe Sovran”, vlerëson kryeministri Mustafa.
Ai vijon se, rezultatet e reformave të qeverisë dhe këtij përkushtimi janë të dukshme dhe të matshme. “Institucionet financiare ndërkombëtare kanë konstatuar një rritje ekonomike gjatë vitit 2015, rreth 3.6%, por ne jemi fort të përkushtuar që kjo rritje të jetë më e madhe.
Duke u bazuar në luftën tonë kundër evazionit fiskal, kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe kundër keqmenaxhimit, por edhe duke kursyer mjete, ne kemi arritur që ta rrisim asistencën sociale për 25%, ndërsa janë rritur edhe pensionet, pa i prekur parametrat buxhetor, për të cilët jemi dakorduar me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore”, thotë Mustafa.
Ai shton se, për të inkurajuar investimet e jashtme dhe për të forcuar sektorin e brendshëm privat, ne kemi ndërmarrë një reformë rrënjësore fiskale, që e bën më të favorshme klimën e të bërit biznes.
“Kosova ka resurse të mëdha njerëzore, energjetike, minerare dhe turistike. Jemi duke negociuar me kompani nga BE dhe SHBA që këto resurse t’i aktivizojmë në shërbim të zhvillimit të vendit”, thekson Mustafa.
Ne, vijon kryeministri i Kosovës, kemi popullatën më të re në Evropë, prandaj jemi duke ndërmarrë reforma që sektorin e arsimit ta ndërlidhim me tregun e punës.
“Zhvillimi ekonomik i Kosovës, ngritja e standardit jetësor të popullatës dhe integrimi Euro-Atlantik janë synimet tona strategjike, por në këtë rrugëtim kemi nevojë për përkrahje nga miqtë evropianë dhe SHBA”, përfundon Mustafa.
9 MAJI – FESTË ZYRTARE E KOSOVËS
Dita e Evropës, 9 Maji është festë shtetërore përcakton Ligj për festat zyrtare në Republikën e Kosovës i miratuar në Kuvend në 21 maj 2008, kurse është shpallur me Dekretin e Presidentit të Republikës të 15 qershorit 2008.
Dekretimi i këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, e cila është miratuar nga Kuvendi para 8 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008.
THAÇI: GËZUAR DITËN E EUROPËS, DESTINACIONIN E ARDHSHËM TË KOSOVËS
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot, në Ditën e Evropës, shkruan: Në këtë ditë, në vitin 1950 Robert Schuman, Ministri i Jashtëm i Francës, dha atë që sot e njohim si Deklarata e Schuman, me të cilën janë vënë themelet e projektit më të suksesshëm ndërkombëtar. Liderët e Europës treguan guximin dhe vizionin që mbi hirin e luftës të lidhin marrëveshje për të punuar së bashku për një të ardhme në paqe e prosperitet për të gjithë, duke filluar me Traktatin e Parisit e deri te BE-ja që kemi sot. Që nga ajo ditë, shtetet e BE-së nuk kanë parë luftë, por vetëm zhvillim e mirëqenie.Sot më shumë se kurdoherë duhet t’i kujtojmë vlerat mbi të cilat është ngritur Bashkimi Europian dhe të përsërisim përkushtimin tonë për t’i përqafuar këto vlera dhe parime, siç janë përkushtimi për paqe dhe dialog, për bashkëpunim ekonomik, treg të lirë dhe lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave, drejtësi dhe sundim të ligjit, për shoqëri multi-kulturore në të cilën askush nuk diskriminohet dhe të gjithë janë të barabartë.Kjo e ka bërë Bashkimin Europian projektin më të suksesshëm ndërkombëtar, synim për të gjithë popujt e Europës dhe model për tërë botën.
Gëzuar ditën e Europës, destinacionin e ardhshëm të Kosovës.
VESELI: KOSOVA, MË AFËR SE KURRË ME BASHKIMIN EVROPIAN
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shkruar sot në ‘facebook’:
Sot është dita e Evropës që përkujton deklaratën historike të Robert Schuman 66 vite më parë ku shpalosi së pari idenë largpamëse të krijimit të institucioneve ndër-shtetërore mes vendeve që vetëm pak vite më herët kishin bërë kundër njëri-tjetrit luftën më të madhe që ka njohur njerëzimi. Ajo deklaratë shërbeu si vendosja e gurit të themelit drejt ndërtimit të Bashkimit Evropian prandaj konsiderohet si dita simbolike e paqes, unitetit dhe solidaritetit evropian. Me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe rekomandimin e Liberalizimit të Vizave, Kosova sot gjendet më afër se kurrë me Bashkimin Evropian. Megjithatë për Kosovën kjo nuk duhet të jetë vetëm një ditë feste por edhe një ditë reflektimi mbi përgjegjësitë që secili nga ne ka në procesin e integrimit dhe domosdoshmërinë e përqëndrimit dhe angazhimit më të madh në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit.
AAK: EVROPA DUHET TË NA NDIHMOJË QË EDHE KOSOVA TË JETË PJESË E SAJ