-Urime e vlerësime edhe për 2018-tën, Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut/
-Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji: I ftoj të gjithë ata që prijnë ose synojnë të prijnë, që ta marrin shembullin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të reflektimit, të guximit e të urtisë/
PRISHTINË, 24 Dhjetor 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kosova feston gëzuar Krishtlindjen e 19-të vend i lirë, të 10-tën shtet i pavarur, me vlerë tradicionale themeltare tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar, të ndërtuar e të kultivuar ndër shekuj, të theksuar edhe në urimet e drejtuesve institucionalë, politikë e fetarë.
Në Rezidencën e Ipeshkvisë pranë Katedrales Shën Nënë Tereza Prishtinë, të shuguruar këtë vit në 5 shtator, në njëvjetorin e shenjëtërimit të shenjtëreshës shqiptare, sot në mbrëmje organizohet pritja solemne nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili në porosinë për Krishtlindjen 2017 shprehet me vlerësime e urime edhe për 2018-tën, Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
“Është mirë që, gjatë vitit 2018, do ta shënojmë 550-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, thekson Ipeshkvi Gjergji dhe për kryeheroin shqiptar shprehet se, “lirisht mund të themi, që mbetet prijësi më i mirë i gjitha kohëve, që ka pasur populli ynë”.
“Me këtë rast, i ftoj të gjithë ata që prijnë ose synojnë të prijnë, që ta marrin shembullin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të reflektimit, të guximit e të urtisë. Për ta rikthyer besimin e humbur, për të siguruar paqen politike e drejtësinë sociale dhe bashkëjetesën ndërfetare. E të mos hezitojnë ta ripërtërijnë miqësinë me kombet dhe vëllazërinë mes vete. Kemi nevojë për shërimin tonë shpirtëror, kulturor, shoqëror dhe politik, nëpërmjet një besëlidhjeje të re, në emër të dashurisë, të lirisë dhe të paqes që e gëzojmë”, thekson Ipeshkvi i Kosovës.
Imzot Gjergji në porosinë e Krishtlindjes uron edhe Vitin e Ri.
“Uroj që paqja e Krishtit të depërtojë në zemrën e secilit prej jush, të mbretërojë në familjet tuaja dhe të lulëzojë gjithkund në vendin tonë, e kudo në botë.
Për shumë mot Krishtlindja! Bekime e begati në Vitin e Ri 2018!”, përmbyllë porosinë Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës. Në Katedralen Shën Nënë Tereza në mbrëmjen e sotme mbahet Koncerti i Krishtlindjes nga fëmijët e Famullisë së Prishtinës, e nga mesnata Mesha solemne e Krishtlindjes, të cilës do t’i prijë Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.
Ipeshkvi i Kosovës nesër në mesditë do të kremtojë edhe meshën e Ditës së Krishtlindjes në Katedralen Zoja Ndihmëtare në qytetin e Prizrenit. Në mesditën e nesërme mbahet mesha edhe në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, e po në kryeqytetin e Kosovës në Kishën e Shën Ndout në Ulpianë në mbrëmje mbahet mesha në gjuhën angleze e edhe një meshë tjetër në gjuhën shqipe.
Në Kosovë, mesha mbahen edhe në kishat tjera katolike, ndërsa tradicionlisht festimet për Krishtlindjen nisin në mëngjesin e 24 dhjetorit dhe vazhdojnë në mbrëmje nëpër familje me ritet e Buzmit bujar, një feste të lashtë iliro-shqiptare që ruhet ende në shumë vise të vendit.
Kryeministri Haradinaj uron besimtarët e krishterë
Prishtinë, 24 dhjetor 2017-Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj i ka uruar qytetarët e Kosovës për Krishtlindje.
Në urim thuhet:
I nderuari Ipeshkv i Kosovës, të nderuar besimtarë katolik,
Ju uroj Ditën e Bardhë të Krishtlindjes, me lutjet që në familjet tuaja dhe të të gjithë qytetarëve të Republikës sonë, si dhe të huaj që shërbejnë në Kosovë, me dëshirë që të kenë mirëqenie, dashuri e paqe. Kjo festë e faljes dhe solidaritetit, harmonisë dhe mirëkuptimit ndërmjet njerëzve na bën bashkë si njerëz dhe si shqiptarë, na jep forcën që të ndihmojmë ata që janë në vështirësi e të përkujdesemi për të gjithë.
Kjo është Dita kur kujtojmë brezat që janë flijuar për të sotmen tonë duke na bërë bashkë për ta ndërtuar të nesërmen më të mirëqenë dhe më progresive.
Gëzuar!