-Kosova feston Krishtlindjen e 20-të në Liri, Ipeshkvi i Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji: Pas një viti kremtimesh intensive të Vitit të Gjergj Kastriotit, edhe një herë me porosinë e përvitshme për festën e Krishtlindjes, në këtë kohë shprese dhe gëzimi/
-Ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Philip Kossnet, si dhe ushtarë Amerikanë të KFOR-it morën pjesë në meshën e Krishtlindjes në Katedralen Shën Nënë Tereza në kryeqytetin e Kosovës/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 25 Dhjetor 2018/ Kosova feston gëzuar Krishtlindjen me urimet edhe për 2019-tën e 20 vjetorit të Lirisë e të 11 vjetorit të Pavarësisë.
Mesha solemne e Krishtlindjes, e udhëhequr nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, u mbajt nga mesnata në Katedralen Shën Nënë Tereza në kryeqytetin e Kosovës, të shuguruar vitin e kaluar në 5 shtator, në njëvjetorin e shenjëtërimit të shenjtëreshës shqiptare.
Ipeshkvi Gjergji, tha se pas një viti kremtimesh intensive, në kuadër të Vitit të Gjergj Kastriotit, po vinte edhe një herë me porosinë e përvitshme për festën e Krishtlindjes, në këtë kohë shprese dhe gëzimi.
“Dëshiroj që në këto ditë Krishtlindjesh të ftoj popullin tim shqiptar, kudo që jeton, të jetë i vetëdijshëm se udhëtimi shekullor i popullit tonë drejtë kthimit në familjen e popujve të qytetëruar ka qenë tejet i vështirë. Kjo që gëzojmë sot, është arritur me mund, djersë e gjak të shumë gjeneratave”, tha ai.
Këndej, vijoi Ipeshkvi, duhet të kihet kujdes që as një dështim i yni ose padrejtësi që na bëhet, të mos e rrezikojë bashkëudhëtimin tonë drejtë të ardhmes me popujt e Evropës dhe Rajonit, sepse e dimë mirë se si kemi pësua kur kemi gabuar.
“Ftoj edhe popujt e Evropës, sido që janë të organizuar në institucionet shoqërore, politike dhe ekonomike, që të jenë më të drejtë dhe të kenë më shumë besim te ne shpatarët”, u shpreh Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Gjergji.
Edhe diplomatë të akredituar në Prishtinë, mes të cilëve Ambasadori i SHBA-ve Philip Kossnet, si dhe ushtarë Amerikanë të KFOR-it, morën pjesë në meshën e Krishtlindjes katolike në Katedralen përplot me qytetarë edhe të besimeve tjera të shtetit të Kosovës, me vlerë tradicionale themeltare tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar, të ndërtuar e të kultivuar ndër shekuj, të theksuar edhe në urimet e drejtuesve institucionalë, politikë e fetarë.
Në meshë ishin edhe ish-Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, aktorja Arta Dobroshi si dhe personalitete të tjera të trojeve etnike dhe diaspora shqiptare nga vende të ndryshme të botës.
Programi kremtimit të Krishtlindjes 2018 në Katedralen Shën Nënë Tereza nisi mbrëmjen e djeshme në vigjilje të Krishtlindjes me pritjen solemne në Qendrën “Bogdanipolis”, organizuar nga Ipeshkvi, ku morën pjesë e uruan edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e Kryeministri Ramush Haradinaj, duke u shprehur se Krishtlindjet janë festë e jetës, paqes dhe dashurisë mes njerëzve dhe se tek shqiptarët ndër shekuj është kultivuar tradita dhe harmonia fetare si vlerë humane dhe civilizuese.
Ipeshkvi Gjergji bëri thirrje për dialog, paqe dhe dashuri në mes të njerëzve, ndërsa theksoi se sot festojnë të gjithë si miq dhe si besimtarë, duke përçuar mesazhin e dashurisë dhe paqes te të gjithë njerëzit në Kosovë. Para meshës solemne në Katedralen e kryeqytetit të Kosovës u mbajt Programi i Krishtlindjes nga fëmijët e Famullisë së Prishtinës.
Sot, në Ditën e Krishtlindjes, në ora 11:00 u mbajt mesha në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, ndërsa Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji kremtoi meshën në Katedralen Zoja Ndihmëtare në Prizren.
Në Kosovë, mesha u mbajtën edhe në kishat tjera katolike, ndërsa tradicionlisht festimet për Krishtlindjen nisin në mëngjesin e 24 dhjetorit dhe vazhdojnë në mbrëmje nëpër familje me ritet e Buzmit bujar, një feste të lashtë iliro-shqiptare që ruhet ende në shumë vise të vendit.
Krishtlindjet në Kosovë që festohen në liri në këtë vit janë të 20-tat, ndërsa në vitin 1999 të çlirimit ishin të parat.
Krishtlindjet janë festë zyrtare e përcaktuar me Ligjin për festat zyrtare në Republikën e Kosovës miratuar në Kuvend në 21 maj 2008 – vitin e shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik.
Dekretimi i këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi para 10 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
POROSIA E IMZOT DODË GJERGJIT PËR KRISHTLINDJE 2018
Meshtarëve, rregulltarëve e rregulltareve,
vëllezërve e motrave në fe
dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë!
Të dashur vëllezër e motra,
pas një viti kremtimesh intensive, në kuadër të vitit të Gjergji Kastriotit, po vij edhe njëherë tek Ju me porosinë time të përvitshme për festën e Krishtlindjes, në këtë kohë shprese dhe gëzimi.
Njeriu, që nga zanafilla, është ndier i braktisur, i vetmuar dhe i humbur në humnerën e mëkatit të vet. Ai është detyruar të përballoj trishtimin e vetmisë në përballje me vetën, me botën, me mëkatin dhe me vdekjen; po ashtu është detyruar të përballoj vuajtjet individuale dhe kolektive gjatë shtegtimit nëpër tokë. Mu për këtë, njeriu kurrë s’ka pushuar duke kërkuar ta rifitojë atë që ka humbur me mëkatin e vet dhe ta rigjejë Krijuesin e tij, që ta ngushëllonte dhe ta shoqëronte në ditët e jetës mbi tokë. Edhe sot, çdo njeri bartë të fshehur në zemrën e vetë një dëshirë të mrekullueshme, që të gjejë personin i cili nuk e gjykon, por e kupton dhe i beson.
Për ne të krishterët, ky person është Foshnja e Betlehemit, Mesia, Biri i Hyjit të gjallë. Ne, Atij ia besojmë të gjitha brengat, Atij ia shpalosim të gjitha dëshirat, nëpërmjet uratës ia tregojmë të gjitha fshehtësitë tona, ia rrëfejmë mëkatet, ia besojmë jetën dhe vdekjen, e Ai na kupton, na beson, na ngushëllon; asnjëherë nuk befasohet nga dobësitë tona, kurrë nuk na gjykon, gjithnjë na do e na pajton me Atin tonë qiellor.
Këndej, ne Kisha e Tij, s’pushojmë kurrë duke i ftuar të gjithë njerëzit, që të kthehen e të lejojnë që t’i shndrisë Krishti me Shpirtin e Tij të Shenjtë. Dhe atyre që përpiqen ta gjejë, iu ndihmon t’i lartësojë sytë drejt dritës që shndritë errësirën e zemrave dhe i aftëson të ecin me gëzim ditëve të jetës. Nën shkëlqimin e kësaj drite dhe shoqërimin e Foshnjës së Betlehemit, çdonjëri prej nesh zbulon në zemrën e vet dëshirën për shenjtërim, dashurinë për çdo njeri dhe arin të gjejë të mirën në tërësinë e gjërave që e rrethojnë, po edhe mëson të dialogon me të gjithë njerëzit me të cilët e ndanë të përkohshmen.
Me lindjen e Krishtit është hapë një proces i ri i dialogut mes Krijuesit dhe krijesës për shpëtimin e tokës dhe njerëzimit. Preambulë e kësaj marrëveshje në dialog, mes Mesisë besnik dhe popullit që kërkon dënimin e tij, mes dashurisë që falë dhe botës që hakmerret dhe mes pushtetit të Pilatit, që gjykon me vdekje në kryq dhe pushteti të Krishtit, që shpërblen me jetën e pasosur është Besëlidhja e vjetër. Kurse teksti i marrëveshjes është Ungjilli dhe e tërë Besëlidhja e re. Zbatimi konkret i kësaj marrëveshje, të lidhur me Besë, siguron pajtimin përfundimtar ndërmjet Krijuesit dhe krijesës, ndërmjet njeriut dhe Hyjit. Ky dialog dhe kjo marrëveshje i ofrohet çdo njeriu. Ai që e pranon, e nënshkruan në zemrën e vet dhe e lejon Kishën që ta pagëzoj me ujë. Kurse Hyji, të njëjtën marrëveshje e nënshkruan me gozhdën e Kryqit dhe me gjakun e të Birit të Tij.
Vëllezër dhe motra,
nëse Hyji s’ka pasur frikë të dialogoi me botën, aq më pak duhet të kemi frik ne të dialogojmë me njëri-tjetrin, në familje e në shoqëri, ndërmjet familjeve, partive dhe popujve. Dialogu është parakusht i paqes, pajtimit dhe të mirës së përbashkët. Buron nga vullneti i mirë dhe dëshira për të ardhmen më të mirë të të gjithëve. Këndej, askush nuk duhet të ndihet i lodhur nga dialogu dhe askush nuk duhet ta keqpërdor apo ta mohoj nevojën për të.
Dëshiroj që në këto ditë Krishtlindjesh të ftoj popullin tim shqiptar, kudo që jeton, të jetë i vetëdijshëm se udhëtimi shekullor i popullit tonë drejtë kthimit në familjen e popujve të qytetëruar ka qenë tejet i vështirë. Kjo që gëzojmë sot, është arritur me mundë, djersë e gjak të shumë gjeneratave. Këndej, duhet të kihet kujdes që as një dështim i yni ose padrejtësi që na bëhet, të mos e rrezikojë bashkëudhëtimin tonë drejtë të ardhmes me popujt e Evropës dhe Rajonit, sepse e dimë mirë se si kemi pësua kurë kemi gabua.
Ftoj edhe popujt e Evropës, sido që janë të organizuar në institucionet shoqërore, politike dhe ekonomike, që të jenë më të drejtë dhe të kenë më shumë besim te ne shpatarët. Ne, nuk na befason padrejtësia, sepse jemi të mësuar më të, në të kaluarën. Ne, sot shpresojmë në drejtësi dhe barazi, në mesin e popujve. Mbi gjitha, popujt e Evropës, nuk duhet ta shohin popullin tim si rrezik, por si trashëgimi kulturore dhe shpirtërore të qytetërimit vet. Sidomos ftoj popujt e Rajonit që të mos thurin plane për të ardhmen duke na përjashtuar neve, por të përpiqen se bashku me ne, të arrijmë paqen, të ardhmen ma të birë dhe integrimin në familjen europiane.
Në fund, uroj që Krishti, Biri i Hyjit të gjallë, ditëlindjen e të cilit po e kremtojmë, t’i mbush zemrat Tuaja me dashuri, ju dhashë forcën për të përballuar vështirësitë e jetës dhe padrejtësitë e botës. Ju ngushëlloftë në pikëllim dhe Ju përcjellë me mëshirë dhe dhembshuri gjatë gjitha ditëve të vitit të ri, që do e fillojmë një javë më vonë.
Ju garantoj të gjithëve, unë dhe e gjithë kisha, se do t’Ju kemi në lutjet tona, do T’ju shërbejmë me përvujtëri dhe dashuri, ashtu si na porosit Foshnja e Betlehemit.
Për shumë mot Krishtlindja dhe Viti i Ri 2019!
Ipeshkvi Juaj, Dodë Gjergji
*Per me shume fotografi shihni ne Facebook dielli vatra