-Për fitoren historike të futbollit shqiptar/
-Urojnë Mustafa, Veseli, Thaçi/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 11 Tetor 2015/ Kosova feston për Shqipërinë, për fitoren historike të kombëtares së futbollit, të sportit shqiptar, qielli mbi Prishtinë përflaket sonte nga fishekzjarret, kryeqyteti kosovar jehon nga thirrjet e gëzimit e sirenat e automjeteve që defilojnë me flamuj kuqezi.
Fishekzjarret në sheshet plot njerëz e kudo para ekraneve televizive janë imazhet e kësaj mbrëmje gëzimi të madh edhe nëpër qytetet e tjera të Kosovës. Në sheshe ishin bërë organizime dhe vendosur ekrane të mëdha.
“Shqipëria shkruan historinë, kualifikohet në Euro 2016”, “Kuqezinjtë shkruajnë historinë”, “Shqiptarët janë në Francë”, janë tituj të raportimeve të medias kosovare.
“Shqipëria ka mposhtur Armeninë me rezultat të thellë 3 me 0 si mysafire për të siguruar kualifikimin direkt në Evropianin 2016, që mbahet në Francë”, theksojnë raportimet, përfshirë transmetimet e emisionet speciale të radiotelevizioneve kosovare.
Në këto momente në Prishtinë theksohet ideja që heronjtë kuqezi të futbollit shqiptar të kthejnë nga Armenia drejt Shqipërisë nëpër Kosovë e rrugës së kombit drejt Tiranës dhe të gjithë t’i presim dhe t’i urojmë nga afër.
“Ju lumtë djemve të kombëtares, gëzuar të gjithë shqiptarëve”, shkruan në ‘facebook’ kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
“Urime kombëtares së Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve anë e kënd!”, shprehet kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa pas fitores historike në Armeni.
“Ishte ky një moment i shumëpritur dhe tani një kualifikim meritor për në Franca 2016. Për këtë u punua shumë, dhe një kontribut të spikatur e dhanë edhe futbollistët kosovarë, me lojën e të cilëve ndjehemi krenarë të gjithë shqiptarët”, thekson ai.
“Dekadat e ardhshme në sport do të jenë padiskutueshëm në favorin tonë, sepse tani edhe Kosova po depërton fuqishëm në skenën sportive ndërkombëtare dhe ne zotohemi se përkrahja institucionale nuk do t’u mungojë asnjëherë për sukseset e tyre të mëtejme”, përfundon kryeministri Mustafa.
“Kombëtarja kuq e zi shkruan historinë e futbollit shqiptar me shkronja të arta, kualifikohet për në Evropianin 2016 në Francë”, shprehet sonte zv/kryeministri e ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Festë e jashtëzakonshme për të gjithë shqiptarët anembanë botës. I uroj djelmoshave kuq e zi shumë fat në EURO 2016”, thekson ai.