Reagim i Akademisë lidhur me situatën politike në Kosovë-
Prishtinë, 11 mars 2020- Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, si shumica e qytetarëve të vendit, është duke ndjekur me shqetësim zhvillimet më të fundit politike në Kosovë, të nxitura nga një betejë e ashpër dhe e paparimtë midis subjekteve politike dhe institucioneve kushtetuese të Republikës së Kosovës. Duke qenë një demokraci e re, me institucione të brishta dhe me një pozitë të luhatshme ndërkombëtare, ka qenë e ditur se Kosova nuk do ta kalojë aq lehtë këtë fazë të vështirë të transicionit. Mirëpo, pakkush ka besuar se klasa jonë politike me një lehtësi kaq të madhe do të shkel të gjitha parimet, do të kthejë përmbys çdo ideal dhe, për interesa meskine, do të jetë në gjendje që, herë pas here dhe gjithnjë e më shpesh, të vërë në dyshim të gjitha arritjet e Kosovës, duke e çuar atë në zgrip të ekzistencës, krejt afër zhbërjes. Askush nuk ka besuar dhe nuk beson se kauza populiste e një qeverie, mbijetesa politike e një presidenti, kërcënimi i Gjykatës Speciale, ose konflikti ndërmjet proveniencave të ndryshme politike dhe ideologjike mund të ketë më shumë rëndësi se vetë Kosova, sikundër që askush nuk beson se konfliktet dhe betejat tona politike kanë në prapavijë synime të larta dhe ideale të mëdha.
Opinioni i Kosovës, veçmas që nga zgjedhjet e fundit e këndej, që disa muaj, jeton një torturë të paparë të retorikave nxitëse dhe lënduese, një herë duke përçarë, herën tjetër duke krijuar perspektiva të zymta për Kosovën; herë duke përdorur Serbinë si “Hannibal ante portas” për të shkatërruar çdo iluzion dhe perspektivë; herën tjetër për ta vënë në dyshim të nesërmen dhe për t’ua bërë të pamundur jetën në Kosovë atyre që nuk mund ta përballojnë korrupsionin dhe sundimin e mendjeve të cekëta, duke bërë një jetë pa vlerë dhe pa dinjitet.
Me të gjitha makiavelizmat politike Kosova tashmë ka një përvojë dhe opinioni i gjerë mund ta pranojë të mirëqenë një betejë politike si garë opsionesh dhe idesh, por nuk mund të pranojë që në betejën politike të përfshihet vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës. Ne nuk mund ta pranojmë që Kosova të humbë mbështetjen ndërkombëtare për shkak të një klase politike të korruptuar, sikundër që nuk mund ta pranojmë që në betejën e brendshme politike ndërmjet presidentit dhe qeverisë të përdorën miqtë tanë tradicionalë dhe të pazëvendësueshëm. Ne nuk mund të pranojmë që për interesa të Serbisë, të mbijetesës së një klase politike nacionaliste në zgjedhjet që do të mbahen atje, Kosova të përfshihet në krizë dhe të bëjë koncesione deri në humbje të subjektivitetit shtetëror, të rregullimit të brendshëm kushtetues, apo të tërësisë territoriale dhe integritetit; sikundër që nuk mund të pranojmë që një klasë politike, e përfshirë në betejë të paparimtë për pushtet, ta vendos Kosovën në një “zjarr të kryqëzuar” hipotetik ndërmjet miqve tradicionalë dhe njësoj të rëndësishëm, SHBA-së dhe BE-së, duke shpallur së fundi Brukselin “armik të Kosovës”, po atë Bruksel ku kemi ngarendur deri së fundi për të arritur marrëveshje përfundimtare me Serbinë, për të bërë marrëveshje poshtëruese për Kosovën dhe ku synojmë një ditë të përfshihemi në integrimet euro-atlantike. Por ne njëkohësisht nuk mund të pranojmë që paqëndrueshmëria e koalicionit qeverisës të përdoret për t’i dhënë edhe më shumë dilemë qëndrueshmërisë së shtetit të Kosovës, duke e bërë atë të luhatshëm dhe me një perspektivë të zymtë. Po kaq e papranueshme për qytetarët e vendit është kthimi i qeverisjes në kauzë populiste, duke vendosur kredot personale dhe partiake mbi interesat shtetërore të Kosovës dhe duke e mbajtur tendosjen politike si agjendë të përhershme institucionale.
Duke parë këtë rrethanë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ngre zërin fuqishëm për tejkalimin sa më të shpejtë të situatës së tanishme të mosmarrëveshjeve të brendshme politike, ndërmjet institucioneve dhe subjekteve politike, duke ua sjellë në vëmendje se nuk kanë asnjë të drejtë, as mandat të nëpërkëmbin shtetin e Kosovës, as të cenojnë interesat e tij, por të ndjekin agjendën shtetërore, në përputhje me përgjegjësitë për të cilat vetë janë zotuar. Njëkohësisht ftojmë bashkësinë ndërkombëtare, veçmas përkrahësit e fuqishëm të pavarësisë së Kosovës, që të kenë mirëkuptim për mangësitë, mungesat dhe dështimet e klasës sonë politike dhe ta vazhdojnë mbështetjen për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, si vullnet dhe ideal politik i popullit të saj.
Për Kryesinë e ASHAK
Akademik Mehmet Kraja