“Projekt me pajtueshmërinë e palëve” për varrezën masive në Rashkë- Ne Foto: Komisioni qeveritar per te pagjeturit/
Nga B.Jashari/.-Komisioni qeveritar i Kosovës për personat e pagjetur dhe partnerët ndërkombëtarë mbajtën sot një takim, ku u diskutuan përgatitjet dhe hapat e mëtejshëm në rastin e varrezës masive të Rashkës, në Serbi. Në këtë takim në Prishtinë, nën drejtimin e zv/kryeministres së Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, ishin të pranishëm përfaqësuesit e Komisionit qeveritar për persona të pagjetur dhe partnerët ndërkombëtarë të angazhuar në këtë çështje, si dhe përfaqësues të ambasadave që do të jenë mbështetës të projektit për gërmime në Rashkë.
Zv/kryeministrja Tahiri theksoi se “jemi thellësisht të shqetësuar për çështjen e të pagjeturve dhe mungesën e një zgjidhjeje të plotë për këtë dhe si Qeveri e Republikës së Kosovës kemi qenë dhe mbetemi tërësisht të angazhuar për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi”.
Qeveria e Kosovës, vijoi ajo, angazhohet që sa më parë të realizohen të gjitha veprimet për ndriçimin e fakteve nga rasti i Rashkës, prandaj domosdoshmëria e hartimit të një Projekti gjithëpërfshirës dhe Planit për veprim për rastin e Rashkës janë mekanizma konkretë që do të mundësojnë realizimin e qëllimeve tona.
Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit qeveritar për persona të pagjetur njoftoi për rrjedhat e deritanishme lidhur me rastin e varrezës masive në Rashkës, si dhe për të gjitha aspektet e rëndësishme që duhet të merren parasysh në përgatitjet e projektit për gërmimet.
Pas diskutimeve të pjesëmarrësve në këtë takim u nxorën konkluzionet, ku përfshihet “Projekti me pajtueshmërinë e palëve”, i cili “ nënkupton një projekt të dakorduar, përkatësisht projekt me pajtueshmërinë mes institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të Serbisë, mbi hapat e mëtutjeshëm dhe shpenzimet e nevojshme buxhetore për rifillimin, vazhdimin dhe përfundimin e punimeve në ‘rastin e Rashkës’”.
Ambasadorja e Zvicrës, Krystyna Marty Lang, vlerësoi rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare në këtë projekt të rëndësishëm, që do të kontribuojë për ndriçimin e fakteve të reja për të pagjeturit. Ajo shprehu gatishmërinë për të mbështetur me donacione duke theksuar se projekti i tillë duhet të jetë i dakorduar mes palëve, për të qenë e mundur përkrahja.
Kosova mëse 15 vjet pas luftës vazhdon të kërkojë zbardhjen e fatit të 1718 qytetarëve të saj të zhdukur dhe me këtë mesazh fotografitë e të pagjeturve janë rivendosur nga familjarët në 8 mars në rrethojat e Kuvendit e Qeverisë, në sheshin qendror të Prishtinës