![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2022/12/ZKP-ZKM-13-12-2022-2-1024x683.jpg)
-Qeveria ka zhvilluar sot mbledhjen e 112 në të cilën u themelua Këshilli Shtetëror Organizativ për shënimin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 25-vjetorit te Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 13 Dhjetor 2022/ Aplikimi i Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian do ta dorëzojmë këtë javë, paralajmëroi sot Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e 112-të të Qeverisë që e drejton.
“Para një viti, në takimin vjetor të Këshillit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në Bruksel, bëmë të ditur se, këtë vit do të aplikojmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, përkujtoi ai.
Kryeministri Kurti shtoi se, ka ardhur koha, që statusin potencial për kandidat, që na është njohur shumë kohë më parë, ta kthejmë zyrtarisht në status kandidat, duke kaluar në një fazë të re të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian.
“E kjo është në përputhje me aspiratat e qytetarëve tanë, të cilët besojnë thellë se e ardhmja jonë është brenda Bashkimit Evropian krahas shteteve demokratike, me të cilët ndajmë vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë, barazisë e të sundimit të ligjit”, u shpreh Kryeministri Kurti.
Ai theksoi se, para një jave në Samitin e Tiranës mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, në deklaratën e përbashkët, Bashkimi Evropian bëri thirrje për proces të përshpejtuar të anëtarësimit.
“Andaj, aplikimi ynë në Bashkimin Evropian në njërën anë është përgjigje ndaj premtimit që Bashkimi Evropian i ka dhënë për anëtarësim rajonit nga Samiti i Selanikut të vitit 2003, por edhe përgjigje direkte ndaj thirrjes së para një jave në Samitin e Tiranës”, tha Kurti.
Ai shtoi se, krahasuar me shtetet e rajonit në kohën kur ato kanë aplikuar, Kosova është më e përgatitura; me legjislacion të avancuar e të harmonizuar me Bashkimin Evropian; me institucione të qëndrueshme e me kapacitetet e plota për tu përgjigjur në pyetësorin e Bashkimit Evropian; dhe me indikatorët më të mirë të sundimit të ligjit në rajon.
“Bashkimi Evropian është vend i paqes, sigurisë, barazisë dhe prosperitetit, andaj edhe Republika e Kosovës e ka vendin natyrshëm në këtë shtëpi të përbashkët si një vend paqedashës e demokratik”, përfundoi Kryeministri Kurti.
Qeveria ka zhvilluar sot mbledhjen e 112 në të cilën u themelua Këshilli Shtetëror Organizativ për shënimin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 25-vjetorit te Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në mbledhje, mes tjerash, u miratua Draft Amendamenti i Kushtetutës së Republikës së Kosovës sipas të cilit përfshihet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës edhe Konventa e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar.