-Ministri i Financave, Avdullah Hoti: Kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyer investimi në Kosovë për të gjithë bashkatdhetarët tanë, marrë parasysh që me ligj i tërë investimi është i garantuar nga shteti, por edhe interesi i fituar është i liruar nga tatami/
PRISHTINË, 27 Maj 2016-B.Jashari/ Kosova, këtë vit, për herë të parë do të emetojë letra me vlerë, dedikuar diasporës, paralajmëroi ministri i Financave, Avdullah Hoti, në një takim informues me bashkatdhetarët në Zvicër, i ftuar nga Rrjeti i Bizneseve Shqiptare.
“Këto letra me vlerë do të quhen Bono për Diasporën dhe do të kenë afat maturimi prej 5 vitesh, mirëpo me mundësinë që investimi të shitet nëse paraqitet nevoja. Kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyer investimi për të gjithë bashkatdhetarët tanë, marrë parasysh që me ligj i tërë investimi është i garantuar nga shteti, por edhe interesi i fituar është i liruar nga tatimi”, theksoi ai.
Ministri Hoti gjithashtu bëri të ditur se në koordinim me Bankën Qendrore të Kosovës në aspektin e emetimit, por edhe me Ministrinë e Diasporës, do të njoftohen të gjithë bashkatdhetarët në diasporë për këtë mundësi të re. “Bonot për Diasporën janë mundësi tejet e leverdishme që diaspora jonë t’i investojnë kursimet e tyre në Kosovë”, u shpreh ai.
Në takim, ministri Hoti informoi për reformat që po bën qeveria për të lehtësuar të bërit biznes në Kosovës. Si pjesë e këtyre reformave, ai shpalosi pakon e re fiskale, ligjin për Investime Strategjike, Fondin Kosovar për Sigurimin e Kredive si dhe Klauzolën e Investimeve.
Ndërsa, përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër dhe bashkatdhetarë të tjerë në këtë takim, duke shprehur interesim të lartë për produktin e ri të qeverisë së Republikës së Kosovës – Bono Thesari, përshëndetën dhe e vlerësuan lartë këtë nismë të Ministrisë së Financave. “Kjo i mundëson diasporës të ndihmojë në zhvillimin e vendit, por edhe të përfitojnë nga kjo mundësi”, theksuan ata.