-Veseli në Izbicë, ku forcat kriminale serbe para 18 viteve vranë dhe masakruan 147 civilë shqiptarë: Kurrë më nuk do të lejojmë që në tokën tonë të ndodhë diçka e tillë/
PRISHTINË, 28 Mars 2017-B.Jashari/Kosova kurrë më nuk do të jetë e pambrojtur, tha sot kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në shënimin e 18-vjetorit të masakrës së kryer nga forcat serbe në fshatin Izbicë të Skenderajt, gjatë të cilës u vranë dhe u masakruan 147 civilë shqiptarë. Kryeparlamentari kosovar bëri homazhe dhe vendosi lule në varrezat e viktimave të kësaj masakre.Duke kujtuar dhe nderuar viktimat, kryeparlamentari Veseli tha se ky është çmimi i lirisë sonë, një sakrificë e jashtëzakonshme njerëzore, nga foshnjat deri te njerëzit e palëvizshëm.
Kreu i Kuvendit tha se do të punohet fuqishëm në mënyrë që t’u krijohet perspektivë qytetarëve, me jetë dinjitoze dhe krenare, e cila lidhet me shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, i cili do të forcohet dita-ditës.Kryetari Veseli tha se viktimat e kësaj masakre dhe të gjitha viktimat anekënd Kosovës, nuk do të harrohen asnjëherë dhe do të punohet deri në fund që drejtësia të vihet në vend.“Kosova dhe populli i saj kurrë më nuk do të jenë të pambrojtur. Kurrë më nuk do të lejojmë që në tokën tonë të ndodhë diçka e tillë. Për këtë, garanci janë institucionet e Republikës së Kosovës, me të gjithë mekanizmat e tyre. Lavdia për të rënët është e përjetshme”, theksoi kryeparlamentari Veseli.Para homazheve në Izbicë, kryetari Veseli ka zbuluar pllakën përkujtimore në fshatin Turiqevc, në vendin ku më 28 mars 1999, nga forcat serbe ishin vrarë motrat Ardita (13) dhe Edona Behrami (5).
Pas zbulimit të pllakës, kryeparlamentari Veseli ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule pranë pllakës përkujtimore.Pas masakrës në Izbicë, forcat serbe në përpjekje për të zhdukur gjurmët e krimeve i kishin nxjerrë nga varret dhe i kishin dërguar e groposur nëpër varreza masive në Serbi.
Javën e kaluar, në fshatin Krushë të Madhe të komunës së Rahovecit u mbajt tubim përkujtimor për më shumë se 240 martirë të vrarë dhe të masakruar para 18 viteve, në 25,26 e 27 mars 1999, nga forcat serbe.
Pranvera në Kosovë është stinë e dhembjes, e nderimeve e përkujtimeve për heronjtë, dëshmorët e martirët e rënë për shumë të shtrnjtën lari e pavarësi
Është stina kur përkutohet se, në 5, 6 e 7 mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar Adem Jashari.
Ndër masakrat në Kosovë që do përkujtohen në këtë pranverë është edhe ajo në fshatin Mejë të Gjakovës, e 27 prillit 1999, kur forcat serbe kanë rrembyer nga kolonat e refugjatëve dhe masakruar e zhdukur 377 shqiptarë. Asnjëri nga të ndalurit në rrethimin e hekurt nuk kishte arritur të dilte i gjallë.
Në Kosovë ndodhi edhe masakra serbe në burgun e Dubravës, e datës 22 maj 1999, ku u vranë 114 shqiptarë të burgosur. Forcat kriminale serbe bënë masakra në gjithë Kosovën, edhe në Reçak, në Likoshan dhe Çirez, Obri, Poklek, Suharekë, Kralan, Goden, Rogovë, Celinë, Lubeniq, Makoc, Kotlinë, Fushë Kosovë, Gjakovë, Rahovec, Studime, Kaçandoll, Bajgorë, Shipol, Çabër…
Në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan nga Kosova mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan mëse 12 mijë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur, ndërsa ende nuk dihet për fatin e mëse 1600 të zhdukurve ende të pagjetur.