-Me ndryshime e plotësime të miratuara mbrëmë në seancën plenare të Kuvendit, me të cilën u përmbyll sesioni vjeshtor, ndërsa pranverori do nisë në 16 janar 2017/
-Viti 2016 në Kuvendin e Kosovës edhe me mungesa kuorumi/
PRISHTINË, 31 Dhjetor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Ligji për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar, u miratua mbrëmë pas shqyrtimit të dytë në Kuvend me shumicë – 44 pro, 8 kundër e 11 abstenime në votimin me 63 deputetë pjesëmarrës. Ky ishte një votim i përsëritur, pasi më parë Ligji nuk mund të kalonte me 58 deputetë pjesëmarrës në votim, që ishin më pak se gjysma dhe nuk përbënin kuorumin, e ku 45 ishin pro, 6 kundër e 7 abstenuan. Me këtë seancë u përmbyll sesioni vjeshtor dhe puna e vitit 2016 e Kuvendit të Kosovës, ndërsa sesioni i ri, pranverori, do të nisë në 16 janar të vitit të ri 2017.
Në seancën tjetër të jashtëzakonshme, më parë, po mbrëmë Kuvendi i Kosovës 120 anëtarësh me 58 vota pro e 4 abstenime miratoi në parim pas shqyrtimit të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u paralajmërua se në procedurën e përshpejtuar Kuvendi do mblidhej përsëri mbrëmjen e djeshme në një seancë tjetër të veçantë për leximin e dytë.
Seanca ishte e ftuar për pardje pasdite, por nuk u zhvillua në mungesë kuorumi, i cili mungoi edhe dje pasdite për miratim të Projektligjit në fund të debatit, derisa opozita lëshoi seancën.
Procedura e votimit e shqyrtimit të parë u përsërit mbrëmë pasi u arrit që në sallën e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës të jenë dy më shumë se gjysma e deputetëve – 62, e për kuorum duhen së paku 61.
Grupi parlamentar i Listës Serbe ka vazhduar edhe dje “ngrirjen” e pjesëmarrjes në Kuvend prej më shumë se dy muaj e gjysëm, nga 9 tetori 2016, dhe në mungesë edhe të opozitës dhe disa deputetëve të maxhorancës nga partitë shqiptare kalimin e Projektligjit e mundësoi prania dhe vota e grupit parlamentar të komunitetev e pakicë joserbe Gjashtë Plus.
Gjatë vitit 2016 Kuvendi i Kosovës kishte edhe seanca tjera me mungesa kuorumi.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka arsyetuar ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi. Ai theksoi se qëllimi i projektligjit është kategorizimi sipas periodave kohore i kontributit të individëve në luftën e UÇK-së: kategoria I, nga 1991 deri në përfundim të luftës; II, nga 1998 deri në përfundim të luftës dhe III, nga marsi i vitit 1999 deri në përfundim të luftës. Pjesëtarët e UÇK-së do të përfitojnë paga, sipas kategorive respektive , në vlerë prej 250 euro, 170 euro dhe 120 euro. Ai ka theksuar se lidhur me Projektligjin Ministria është konsultuar edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar-FMN, i cili institucion ka kërkuar që vlera financiare për kontributin veteranëve të UÇK-së të mos kalojë 0.7 për qind të brutoproduktit vendor, si dhe ka përmendur dy-tre shqetësime të FMN-së lidhur me projektligjin e propozuar,e që konsistojnë me gjysmën e pagës për pjesëtarët e UÇK-së, që punojnë në bizneset private dhe për pagën e trashëgimtarëve të veteranëve të vdekur.
Kryeministri, Isa Mustafa, ngutjen për shqyrtimin e Projektligjit e ka arsyetuar me insistimin e FMN-së që çështja të përmbyllet brenda këtij viti Duke e përmendur numrin e shtuar të veteranëve të luftës , ai ka pohuar se sipas rekomandimeve të FMN-së mund të sigurohen rreth 38 milionë euro, ndërkohë që nga numri i veteranëve të certifikuar kërkohen rreth 60 milionë euro. Për shkak të listave të fryra të veteranëve të luftës, Mustafa ka pohuar se Kosova ka humbur 195 milionë euro donacione , si dhe ka shprehur brengosjen e tij se nëse çështja nuk rregullohet Kosova rrezikon të humbë edhe investime të mëdha nga kredi dhe grante ndërkombëtare.
Kryeparlamentari, Kadri Veseli, ka shfaqur kënaqësinë që Kuvendi i Kosovës po e përmbyll këtë sesion me miratimin e plotësimit të Ligjit për Veteranët e UÇK-së. Ai ka pohuar se projektligji i ofruar nuk i zgjidh të gjitha problemet e veteranëve , por ka mbajtur qëndrim se megjithatë është më mirë që çështjet të zgjidhen hap pas hapi. Ai e ka vlerësuar modeste ndihmën prej 250 euro për familjarët e veteranëve që nuk janë gjallë, ndërksa ka kërkuar që me këtë projektligj veteranët e luftës së UÇK-së të mos eliminohen nga tregu i punës në Kosovë. Veseli ka falënderuar përfaqësuesit e shoqatave të luftëtarëve të lirisë për kontributin e dhënë për hartimin e projektligjit.
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e zhvilluar dje, u ftua pasi pasditen e një dite më parë qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi mbledhjen e 124-të të rregullt, të 56-tën në vitin 2016, në të cilën miratoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Qëllimi i nxjerrjes së këtij projektligji ishte kategorizimi i veteranit luftëtar të UÇK-së, si përfitues i pensionit dhe benificioneve të tjera, që përcaktohen në përputhje me kohën e mobilizimit dhe shërbimit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa tha se ky projektligj është dakorduar me përfaqësuesit e veteranëve, gjatë një takimi edhe me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, sa i përket nevojës që për veteranët të ndahen 0.7 për qind të GDP-së vjetore.