-Qeveria e Kosovës në mbrëmjen e sotme në Mbledhjen e 7-të: Aprovohen masat parandaluese në funksion të mbrojtjes nga Corona Virus COVID-19/
-Shqipëri, shënohet vdekja e parë nga koronavirusi /
PRISHTINË, 11 Mars 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur sot në mbrëmje mbledhjen e shtatë, të jashtëzakonshme, në të cilën është marrë vendimi për masat parandaluese në funksion të mbrojtjes nga Corona Virus COVID-19.
Këto janë masat parandaluese të miratuara nga Qeveria e Kosovës:
1. Ndërprerja e procesit edukativo arsimor në institucionet arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri 27 mars 2020. Me rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna (kjo masë nuk vlen për punëtorët shëndetësorë dhe për punëtorët në sektorin e sigurisë);
2. Pezullimi i përkohshëm i linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm (deri në një vendim tjetër).
3. Kontroll i obliguar i udhëtarëve nga ekipet mjekësore të QKMF-ve në të gjitha hyrje daljet e Kosovës me mbështetjen e Policisë së Kosovës të të gjithë qytetarëve që vijnë nga zonat epidemike, për detektimin e rasteve me COVID-19 dhe ndërmarrjen e masave parandaluese.
4. Vetëkarantinim i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në Republikën e Kosovës nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm, në përputhje me udhëzimet e OBSH-së (moszbatimi i dënueshëm sipas Ligjit për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse). Në rast se personat e caktuar nuk mund të vetëkarantinohen rekomandohen të vendosen në karantinat e përbashkëta të caktuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
5. Aktivitetet publike dhe jopublike mund të zhvillohen të mbyllura/pa praninë e publikut si: ngjarje/tubime sportive, tubime, koncerte, konferenca, tryeza të rrumbullakëta deri në një vendim tjetër.
6. Të ndalohet veprimtaria e restoranteve, klubeve të natës, palestrave, pishinave pas orës 23:00.
7. Të ndalohet eksporti i pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve, përveç me Vendim të Qeverisë.
8. Të gjitha institucionet qeveritare, si dhe ndërmarrjet publike dhe private detyrohen të ndërmarrin masa për mbrojtje dhe dezinfektim në të gjitha institucionet sipas udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike.
9. Të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë private që kryejnë transport publik të udhëtarëve, obligohen të bëjnë dezinfektim të rregullt të mjeteve transportuese.
10. Të ndalohet transporti i organizuar ndërkombëtar (autobus, minibus dhe të ngjashme) drejt vendeve me rrezik të lartë dhe anasjelltas.11. Personat fizik dhe juridik të cilët nuk i respektojnë dhe i shkelin rekomandimet do të ndëshkohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Shqipëri, shënohet vdekja e parë nga koronavirusi /
Në Shqipëri u rregjistrua me 11 Mars rasti i parë i një personi që humbet jetën pas infektimit nga koronavirusi. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se zonja 73 vjeçare, që vuante nga disa patologji kronike, ishte kthyer para disa ditësh në Durrës, pas një udhëtimi në Itali në zonën e Bolonjës….
ministria konfirmoi zbulimin edhe të tre rasteve të reja, që i bashkohen dy të tjerave të konfirmuara po sot. Prej tyre 4 janë kontakte të rastit të parë të zbuluar mesnatën e së dielës, ndërsa një tjetër është një i moshuar në Lushnje (78 vjeçar) me histori udhëtimi me Italinë. Deri tani nga të 15 rastet, 4 janë persona që nuk kanë lidhje me njëri tjetrin, dhe të gjithë me histori udhëtimi në Itali, ndërsa 11 të tjerët rezultojnë të gjithë të jenë persona me lidhje të ngushta me 28 vjeçarin që u zbulua i pari.
Në total deri në mbrëmjen e së mërkurës, sipas njoftimit zyrtar “janë estuar 241 të dyshuar për COVID-19. Katër persona janë të shtruar në spitalin Infektiv në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, ndërsa 10 prej personave të identifikuar COVID-19 pozitiv janë në vetëizolim pa shenja klinike të infeksionit respirator. 104 persona, kontakte të personave të identifikuar me COVID-19 janë në vetëkarantinim”.
Në dy ditët e fundit, Shqipëria ndërmori masa të forta shtrënguese, menjëherë pas zbulimit të rasteve të para. Autoritetet urdhëruan mbylljen për dy javë gjithë sistemin arsimor, stadiumet sportive dhe qendrat kulturore, ku mblidhen një numër i madh qytetarësh. Po ashtu në të gjithë vendin janë mbyllur dhe pub-et, klubet e natës, diskotekat, pishinat dhe palestrat.
Ditën e sotme autoritetet njoftuan për masa të reja shtrënguese. Ministrja e Shëndetësisë bëri të ditur se ka propozuar “mbylljen deri në një njoftim të dytë, të të gjitha bareve, lokaleve restoranteve dhe klubeve, në Tiranë dhe Durrës fillimisht; caktimin e një gjobe në masën 5 mijë euro, për të gjithë ata qytetarë që vijnë nga zonat e prekura dhe nuk zbatojnë urdhrin e vetëkarantinimit të detyrueshëm apo ata qytetarë që nuk zbatojnë vetkarantinimin pas konfirmimit të diagnozës; caktimin e një gjobe në masën 20 milionë lekë të vjetra për të gjithë baret, restorantet, lokalet apo klubet që nuk e zbatojnë këtë Vendim dhe rihapen në shkelje të tij; vendosjen e distancës së sigurisë mes punonjësve, prej 1.5 metra, në të gjitha bizneset që nuk mund të mbyllen për arsye të zinxhirit ekonomik si dhe reduktimin në maksimum të personelit të call center-ave, dhe garantimin e distancave dhe të kushteve mbrojtëse për çdo punonjës”.
Në mbrëmje, siç kishte njoftuar dhe kryeministri Edi Rama, kanë nisur të paktën në Tiranë, kontrolle me postoblloqe në rrugët kryesore të kryeqytetit nga policia dhe njësitë e ushtrisë, për verifikimin e personave që mund të kenë shmangur vetkarantinimin.