Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Kosova e lirë dhe e pavarur, angazhime edhe për zhvillim ekonomik – kryeqyteti, Prishtina/
-Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets: Diaspora mund të luajë një rol shumë të madh duke transmetuar dijen dhe përvojat në vendin e vet. Për zhvillimin e vendit, nuk janë të mjaftueshme remitancat, por nevojiten investimet/
– Në Strategjinë Kombëtare për zhvillim 2016-2021, diaspora është përfshirë në dy shtylla. Diaspora dhe përfaqësuesit e saj, bashkë me partnerët e tyre, kanë potencial për të investuar në Kosovë, u tha në konferencë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 30 Maj 2016/ Në Prishtinë, sot, mbi 200 investitorë të huaj e vendorë janë bërë bashkë për të investuar në Kosovë, në konferencën “Diaspora – Investimet dhe Punësimi”.
Janë mbi 100 investitorë nga shtetet gjermanofolëse (Gjermani, Zvicër e Austri), dhe mbi 100 biznese vendore, para të cilëve institucionet qendrore e lokale të Kosovës prazantojnë projekte konkrete të investimeve.
Në hapje, kryetari i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Samir Krasniqi, falënderoi shtetin gjerman për mbështetjen e parezervë të kësaj konference. “Mërgata është e fuqishme në diasporë dhe kjo dëshmohet me investimet e suksesshme të bëra në Kosovë”, u shpreh ai.
Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, theksoi se, “diaspora mund të luajë një rol shumë të madh duke transmetuar dijen dhe përvojat në vendin e vet”, ndërsa shtoi se, “për zhvillimin e vendit, nuk janë të mjaftueshme remitancat, por nevojiten investimet”.
Ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati, theksoi se, diaspora sot përbën potencial shumëfish më të madh, jo vetëm financiar, por edhe profesional.
“Për ta lëvizur këtë potencial, Ministria e Diaspores ka filluar dhe po vazhdon me sukses krijimin e lidhjeve brenda diasporës sonë përmes implementimit të projektit të rrjetëzimit. Efektet e këtij rrjetëzimi janë të dyfishta: krijon mundësi për zhvillimin e mëtutjeshëm të bizneseve të diasporës përmes bashëpunimit mes tyre, si dhe përmes projekteve të përbashëkta midis nesh krijon mundësinë për zhvillimin e tyre dhe të vendit. Gjithashtu, në Strategjinë Kombëtare për zhvillim 2016-2021, diaspora është përfshirë në dy shtylla: njëra ka të bëjë me kapitalin njerëzor dhe tjetra merret me industritë konkurruese, potenciali investues i diasporës sonë dhe mundësia që ajo të shërbejë si konsumatore e shërbimeve dhe e prodhimeve të Kosovës“, tha ministri Murati.
Ministrja e Tregtisë e Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se Qeveria e Kosovës ka punuar me vendosmëri për zbatimin e reformave, sidomos në sferën e investimeve.
“Në këtë drejtim është përmirësuar legjislacioni, politikat fiskale, si dhe janë mënjanuar shumë barriera për lehtësimin e bizneseve. I inkurajomë bizneset që të mos rreshtin me kërkesat e tyre, kritikat e tyre karshi institucioneve, sepse vetëm kështu e bëjmë Kosovën më të mirë”, tha ajo.
Afaristi i suksesshëm nga Gjermania, njëherësh kryetari i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, Nazmi Viqa, paraqiti edhe kërkesa konkrete për Qeverinë e Kosovës. “Diaspora dhe përfaqësuesit e saj, bashkë me partnerët e tyre, kanë potencial për të investuar në Kosovë, për t’i ngritur kapacitetet për zhvillimin ekonomik të bizneseve. Unioni i Bizneseve i ka disa propozime, ndër to të ketë siguri juridike, stimulime dhe infrastruktura e klima për investime të jetë serioze”, theksoi Viqa.
Arban Abrashi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se diaspora e Kosovës ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për zhvillimin ekonomik përmes investimeve , por edhe përmirësimit të imazhit të vendit jashtë. “Qëllimi i kësaj konference është të krijohen lehtësi për investimet në diasporë, si dhe ato të përfitojnë nga fuqia punëtore”, bëri të ditur ai.
Konferenca vazhdon punimet gjatë tërë ditës me prezentimet rreth mundësive për investime, ndërsa nga pjesëmarrësit u theksua se brenda një viti Kosova nga diaspora pranon 600 deri 700 milionë euro.
Nesër, në kuadër të këtij organizimi, kompani nga Kosova, rajoni dhe tre shtetet gjermanofolëse do të mbajnë edhe Panairin e Punës, për të cilin tashmë janë paralajmëruar se do të ketë mbi 900 vende të lira.
Ky organizim, i pari i përmasave të tilla në Kosovë, bëhet nga Oda Ekonomike Gjermano Kosovare, mbështetur nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), Qendra Informative Gjermane për Migracion, Arsim dhe Karrierë (DIMAK) dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Diasporës, Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Programin Global për Migrim dhe Zhvillim (PME), Qendrën për Migrim Ndërkombëtar dhe Zhvillim (CIM) dhe për herë të parë në Kosovë me konkurse të hapura do të marrë pjesë edhe Agjencioni Federal për Punë (ZAV).
Pos prezantimit të projekteve për investime, në konferencë do të debatohet edhe për mundësitë që ofron legjislatura e re në Gjermani, si shansë reale e punësimit të qytetarëve të Kosovës në këtë shtet, por edhe për specifika të veçanta për çështje që ndërlidhen dikert me avansimin dhe përgatitjen profesionale të të rinjëve kosovarë.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, por, numri është më i madh, meqë nuk ka përfshirë edhe një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.