-Ligji për Presidentin e Republikës së Kosovës në “Neni 5 Mandati dhe Betimi” përcakton edhe tekstin e betimit:Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, sigurimit të lirive dhe të të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia/
Nga Behlul Jashari/PRISHTINË, 7 Prill 2016/ “Betimi i Presidentit të Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Tij, Hashim Thaçi”, ishte në axhendën e seancës soleme të Kuvendit kosovar, sot nga ora 11:00.
Ashtu siç është e paraparë me Ligjin për Presidentin dhe Kushtetutën e vendit, presidenti i zgjedhur i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, e cila u mbajt sot nën kryesimin e kryeparlamentarit Kadri Veseli, ka dhënë betimin para deputetëve.
Ligji për Presidentin e Republikës së Kosovës në “Neni 5 Mandati dhe Betimi” përcakton edhe tekstin e betimit.
“Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, sigurimit të lirive dhe të të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia”, u shpreh Thaçi gjatë betimit në Kuvend.
Për të përcjellë nga afër këtë akt, pas të cilit presidenti i ri i vendit do të fillojë mandatin e tij, në sallën e Kuvendit ishin të pranishëm edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delaëie, si dhe shumë ambasadorë të tjerë të shteteve mike.
E pranishme gjatë zhvillimeve të kësaj mbledhjeje ishte edhe presidentja në largim, Atifete Jahjaga.
Nuk ishin të pranishëm deputetët opozitarë, VV, AAK dhe Nisma.
Mbledhja filloi me ceremoninë e betimit, e më pas është intonuar himni shtetëror.
Pas kësaj, presidenti i ri i vendit, Thaçi, të pranishmëve u është drejtuar me një fjalë përshëndetëse, për mes së cilës shpalosi objektivat dhe përqendrimin në punën e tij gjatë mandatit.
Me këtë rast, Presidenti Thaçi tha: “Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, sot është një moment i veçantë në jetën time. Moment i krenarisë dhe përgjegjësisë. Karriera ime politike dhe jetësore pasqyron zhvillimet nëpër të cilat ka kaluar Kosova në tri dekadat e fundit”.
Jam angazhuar, tha ai në vijim, në të gjitha proceset që kanë sjellë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Duke shprehur konsideratën e tij për të gjithë ata që u flijuan për lirinë e vendit, Presidenti Thaçi, me këtë rast theksoi e vlerësoi sakrificën legjendare të komandantit Adem Jashari, si dhe kontributin e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Presidenti i ri i Kosovës foli më pas edhe për aspiratat e vendit, duke nënvizuar përpjekjen për integrimin në strukturat evropiane dhe në NATO.
Ai foli po ashtu edhe për dialogun me Serbinë, të cilin e konsideroi si të pa alternativë, duke theksuar se, “të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë, por, nuk do ta përsërisim”.
Presidenti Thaçi u zotua se do të luaj rol unifikues për arritjen e konsensusit të spektrit politik dhe të qytetarëve, ndërsa u shpreh i lumtur se Kosova është shndërruar në faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.
Ai vlerësoi lart edhe faktin se Kosova është rreshtuar në Bllokun Antiterrorist në botë.
Në përfundim të fjalës së tij, Presidenti i ri i vendit Thaçi, tha:
“Në angazhimet e mia do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, traditën e mirë të qytetarisë, kriteret dhe vlerat euro-atlantike. Gjithmonë do të nisem nga oferta ime për dialog politik ndërpartiak, për komunikim me shoqërinë civile, me mediat, biznesin dhe me iniciativat e lira. Do të ruaj, kultivoj dhe përfaqësoj unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”.
Në fund, kreu i Kuvedit, Kadri Veseli, duke i uruar suksese dhe punë të mbarë Presidentit Thaçi, ai po ashtu, falënderoi Presidenten në largim, Atifete Jahjaga, për kontributin e deritanishëm në rolin e saj si Presidente.
Presidentja në fund të mandatit, Atifete Jahjaga, e zgjedhur në krye të shtetit në 7 prill 2011, e para Presidente Republike në Kosovë e në vendet fqinje, detyrën ia dorëzon Presidentit të ri të zgjedhur, Hashim Thaçi, i cili do të inaugurohet me një ceremoni në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, në 8 prill, pas betimit sot në Kuvend, ku u votua nga deputetët në 26 shkurt 2016.
Sipas Ligjit për Presidentin, “Presidenti i Republikës së Kosovës fillon mandatin pasi të ketë dhënë betimin para Kuvendit të Kosovës”.
Poashtu me Ligj përcaktohet: “Mandati i Presidentit është pesë (5) vjet. Ky mandat nuk ndërlidhet dhe nuk është i përputhshëm me mandatin e institucioneve të tjera” dhe “pas përfundimit të mandatit të parë, Presidenti mund të rizgjidhet vetëm edhe për një mandat”.
Hashim Thaçi merr detyrën si Presidenti i pestë i Kosovës së lirë nga qershori 1999 – afër 17 vite. Nga katër paraardhësit, i pari ishte Presidenti historik Ibrahim Rugova, pas tij Fatmir Sejdiu, pastaj Behgjet Pacolli që qëndroi vetëm një muaj në këtë post, si dhe Presidentja në përfundim të mandatit Atifete Jahjaga.
Kuvendi i Kosovës, i përbërjes aktuale, është konstituuar plot gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014 – në 8 dhjetor, ndërsa të nesërmen ka zgjedhur qeverinë e Kosovës, të koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe komunitetet pakicë.
Në dokumentin e marrëveshjes së koalicionit, të 8 dhjetorit 2014, sipas së cilës postin e kryeministrit e mori kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, theksohej se, “për pozitën e Presidentit të Republikës së Kosovës do të votohet kandidati i propozuar nga PDK-ja, pas përfundimit të mandatit aktual në përputhje me Kushtetutën – Hashim Thaçi”.
Marrëveshja përcaktonte edhe se, deri në zgjedhjen President Thaçi do ta udhëheqë politikën e jashtme për më shumë se një vit, duke qenë zv/kryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës.
Thaçi ka dhënë dorëheqje nga këto dy funksione në qeveri, si dhe nga kryetari i PDK-së, partisë që e themeloi në tetor të vitit të parë të lirisë 1999 dhe e udhëheqte deri në shkurt 2016, pasi Kushtetuta prcakton se, “pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike”.
Në qeverinë e Kosovës, e cila zhvilloi dje mbledhjen e 83-të, të 16-tën në vitin 2016, së shpejti pritet të emërohen zëvendëskryeministri dhe ministri Punëve të Jashtme, të cilat poste i mbante presidenti i zgjedhur.
Më parë, gjatë karrierës politike, Hashim Thaçi ishte i zgjedhur tre herë kryeministër i Kosovës. Thaçi u zgjodh kryeministër i Kosovës në 9 janar 2008, pas fitores së PDK-së në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, dhe u rizgjodh pas fitores së dytë në zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010, të cilat ishin të parat pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008, të njohur deri tani nga 111 shtete anëtare të OKB-së.
Nga marsi 1999 deri në janar të vitit 2000, Thaçi ishte kryeministër i qeverisë së përkohshme të Kosovës (Qeverisë së Unitetit).
Në 12 dhjetor 2014, kryeministri Hashim Thaçi i dorëzoi detyrën kryeministrit të sapozgjedhur, Isa Mustafa, me të cilin nënshkruan marrëveshjen për bashkëqeverisje të Kosovës, duke dhënë kështu edhe mesazhin si dy liderë të partive më të mëdha kosovare se, rivaliteti politik edhe kur është më i madhi i mundshëm nuk është armiqësi dhe përtej interesave partiake edhe mund t’i bëjë bashkë për interesat madhore të shtetit, kombit e të ardhmes zhvillimore dhe euroatlantike.
Edhe pse zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit 2014 ishin të parakohshme, kryeministri Hashim Thaçi përmbushi të plotë mandatin e dytë, që është katërvjeçar, pasi zgjedhjet e jashtëzakonshme ishin mbajtur pikërisht para katër viteve, në 12 dhjetor 2010.
Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, PDK, tre herë fituese e zgjedhjeve, para koalicionit të tanishëm me LDK ishte edhe dy herë të tjera në koalicion-bashkëqeverisje me këtë parti, si dhe me AKR-në, por asnjëherë deri tash nuk e kishte Presidentin në ndarjen e posteve.
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy
Privacy Overview
This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.