Në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit për krijimin e Rrjeteve të pastra 5G ndërmjet Kryeministrit Kosovar Avdullah Hoti dhe Nën Sekretarit Amerikan të Shtetit për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach/
-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, sot po zhvillon vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, me ftesë të Kryeministrit Zoran Zaev/
SHKUP, 23 Tetor 2020– Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti, gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup, bashkë me Nën Sekretarin Amerikan të Shtetit për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, z. Keith Krach, ka nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit për krijimin e Rrjeteve të pastra 5G.
Me këtë rast, Kryeministri Hoti tha se është kënaqësi dhe nder i veçantë që në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup të nënshkruajmë Memorandumin e Bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me sigurinë për 5G.
“Jam i nderuar që bashkë me Nën Sekretarin për Çështje Ekonomike të nënshkruajmë këtë Memorandum. Unë e falënderoj atë dhe gjithë Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendosmërinë që shpejtë të qojmë përpara zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit”, tha Kryeministri Hoti.
Duke vlerësuar se ky është hap i madh drejt rritjes së sigurisë në këtë fushë, Kryeministri Hoti tha se përmes kësaj Kosova merr obligimet e veta shtetërore për të qenë krahë partnerëve strategjikë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në këtë fushë.
“Ne tanimë i kemi ndërmarrë veprimet e duhura në Prishtinë lidhur me këtë çështje, por besoj se kjo është shenjë e fuqishme e vendosmërisë së Presidentit Trump dhe Qeverisë së SHBA-ve, për të quar përpara zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit”, tha Kryeministri Hoti, duke falënderuar edhe Ambasadorin Kosnett për mbështetjen e vazhdueshme që jep në Prishtinë, në funksion të kësaj marrëveshje dhe proceseve të tjera.
Kryeministri Hoti, tha se pret që shpejt edhe vendet tjera në regjion të lëvizin drejt nënshkrimit të këtij Memorandumi, duke potencuar se vetëm së bashku kur t’i integrojmë sistemet tona mund të rrisim sigurinë në regjion dhe sigurinë globale në këtë fushë.
Ndërsa, Nën Sekretari i Shtetit për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, z. Keith Krach, pasi falënderoi Kryeministrin Hoti për vizionin dhe lidershipin e tij, tha se Kosova është një partner strategjik shumë i vlefshëm, dhe kjo ceremoni nënshkrimi është dëshmi e miqësisë së fuqishme në mes të dy shteteve tona.