-Vendim i Qeverisë së Kosovës: Një pjesë e Ministrisë së Kulturës vendoset në Prizren. E mirëpret qyteti historik, më i madhi jugor i Kosovës afër kufirit me Shqipërinë/
PRIZREN, 7 Tetor 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Një pjesë e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit e qeverisë së Kosovës do vendoset në Prizren. Ky qytet historik, më të madhi jugor i Kosovës afër kufirit me Shqipërinë, e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë.Me kërkesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e të hënës së kësaj jave ka aprovuar vendimin për bartjen e një pjese të stafit politik e profesional të kësaj ministrie në qytetin e Prizrenit. Vendimi do të realizohet nga ministria, komuna dhe institucionet tjera, u paralajmërua në mbledhjen e Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në vizitën në Prizren, dje pasdite, i dorëzoi kryetarit të Komunës, Ramadan Muja, vendimin e qeverisë, si dhe kërkesën e ministrisë për shqyrtim në Kuvendin Komunal dhënien në shfrytëzim të dy objekteve në Prizren – të Rektoratit të Universitetit “Ukshin Hoti”, në qendër të qytetit dhe të Internatit (Xhandarmërisë) në lagjen e Terzinjve.
“Ne, sot kryetarit ia kemi dorëzuar kërkesën e cila ka të bëjë me hapësirat e Rektoratit të Universitetit, ku kemi pasur biseda edhe me Rektorin, dhe jemi pajtuar që ky objekt t’i jepet në shfrytëzim Ministrisë, por sigurisht se vendimin përfundimtar do ta merr Komuna. Dhe objekti i dytë do të jetë ai i Internatit, një objekt nën mbrojtje, por në të cilin duhet të investohet për konservimin, restaurimin dhe adaptimin e tij si objekt për shfrytëzim nga Ministria”, tha ministri GashiNdërsa, kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja u shpreh se e mirëpret kërkesën nga ana e Ministrisë por edhe faktin se ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit vjen nga qyteti historik i Prizrenit.“Qyteti i Prizrenit e ka mirëpritur një vendim të këtillë, javën e kaluar, të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe është kënaqësi për ne, qytetin e Prizrenit, për njerëzit e kulturës, e sporteve dhe unë jam shumë i bindur se Komuna e Prizrenit do të bashkëpunojë hollësisht me ministrinë për avancimin e zhvillimit të kulturës në Republikën e Kosovës”, tha ai.Së bashku, Gashi dhe Muja vizituan këto dy lokalitete, ku pritet të vendoset një pjesë e stafit politik, profesional e administrativ i Ministrisë së Kulturës nga fillimi i shkurtit 2018.