
Para takimit të së enjtes të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, Kryeministri Hoti pret përfaqësuesit e institucioneve për çështjen e të zhdukurve/
PRISHTINË, 14 Korrik 2020-Gazeta DIELLI/
Në vigjilje të takimit të së enjtes të dialogut Prishtinë-Beograd në Bruksel, që do të mbahet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takoi sot përfaqësuesit e institucioneve për çështjen e të zhdukurve.
Në këtë takim, të pranishëm ishin kryesuesi i delegacionit të Kosovës në Grupin punues për çështjen e zhdukurve, Ibrahim Makolli, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj, shefi i Misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Kosovë, Agim Gashi dhe përfaqësuesi i Këshillit koordinues të asociacioneve të familjarëve të të pagjeturve, Ahmet Grajqevci.
Përfaqësuesit e këtyre institucioneve e njoftuan Kryeministrin Hoti për zhvillimet e deritanishme në procesin e gjatë e të vështirë të të pagjeturve, për sfidat aktuale në këtë proces dhe për synimet e mëtejme në përshpejtim dhe përfundim të procesit, bën të ditur njoftimi dërguar nga Zyra e shtypit e Qeverisë së Kosovës.
Sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, edhe 1641 persona vazhdojnë të jenë të evidentuar të zhdukur si pasojë e luftës në Kosovë të përfunduar para 21 viteve në Qershor 1999.
Sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, në vitet 1998-99 forcat serbe me motive gjenocidale kanë vrarë e masakruar mëse 12 mijë civilë shqiptarë, ndërsa menjëherë pas luftës Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur.
Dialogun në Bruksel të ndërprerë para 20 muajsh Kosova dhe Serbia e rifilluan të dielën e 12 Korrikut përmes një videokonference dhe e vijojnë të enjten e 16 Korrikut 2020 kur pritet edhe takimi i Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Para këtij zhvillimi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në konferencën virtuale – Samitin e Parisit, në 10 Korrik, të organizuar nga Presidenti Francez, Emmanuel Macron dhe Kancelarja Gjermane, Angela Merkel. Në këtë video-konferencë, Bashkimi Evropian përfaqësohet nga Josep Borrell, Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme, kurse Serbia nga Presidenti Aleksandar Vuçiç.
Kryeministri i Kosovës, Hoti në 7 Korrik në Paris takoi Presidentin e Francës Macron, i cili në 9 korrik takoi edhe Presidentin e Serbisë Vuçiç.