Prof.dr.Lush Culaj/
Ndarja e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913, ishte zanafilla e problemit kombëtar. Këtu filluan përpjekjet për çlirim në trevat e pushtuara. Në Paqen e Versajës, doktrina e Uilsonit (Wilsonit) shprehte në thelb qëndrimin amerikan kundër konceptit evropian të ekuilibrit të forcës dhe imoralitetit të zbatimit të realpolitikës. Uilsoni (Wilsoni) dhe Amerika ishin për një rend të ri botëror të dominuar nga demokracia, nga sigurimi kolektiv dhe e drejta e popujve për vetëvendosje. Noli kishte biseduar para konferencës me presidentin Uilson, duke i folur për pavarësinë e Shqipërisë. Uilsoni i kishte thënë: “Unë do ta kem vetëm një zë në Konferencën e Paqes dhe unë do ta përdor zërin tim në të mirë të Shqipërisë’’.
SHBA dhe Anglia gjatë fillimit të Luftës së Dytë Botërore aktivitetin e tyre në viset shqiptare e zhvilluan përmes misioneve të tyre ushtarake e civile. Ruzvelti e mbivlerësonte mundësinë e ndikimit të Britanisë së pas Luftës së Dytë Botërore, duke i kërkuar asaj të merrte përsipër mbrojtjen dhe rindërtimin e Evropës. Si gjatë luftës edhe pas saj, amerikanët dhe anglezët kishin afërsi diplomatike në politikën e jashtme. Që nga ajo periudhë, edhe çështja e Jugosllavisë, të krijuar, komuniste e në kuadër të saj edhe çështja e shqiptarëve në Jugosllavi, ishin në fokusin e diplomacisë amerikane.
Libri fillon me dokumentet që përshkruajnë zhvillimet politike ne Jugosllavi dhe Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, me theks të veçantë për Kosovën, që edhe pse ishte e bashkuar me Shqipërinë, pas përfundimit të luftës, u aneksua nga jugosllavët., Qeveria e Tiranës nuk kishte reaguar për gjendjen e rëndë dhe dhunën që ushtronin jugosllavët kundër shqiptarëve të Kosovës. Ndikimi dhe pesha reale e këtij vendi të madh në vendimmarrjet më të rëndësishme të botës do të ndihej me vonë, e në veçanti pas Luftës së Dytë Botërore.
Trajtimit të kësaj diplomacie nga aspekti i dokumentacionit arkivor, iu qas me sukses studiuesi Lulzim Nika. Përmbledhja dokumentare “Kosova në dokumentet amerikane 1945-1999” është rezultat i punës disavjeçare të tij në arkivat e SHBA-së. Dokumentet e hulumtuara, të grumbulluara dhe sistemuara në këtë vëllim, botohen për herë të parë të plota dhe pasqyrojnë një periudhë të re të Kosovës, e cila fare pak është ndriçuar, e sidomos qëndrimi i diplomacisë amerikane në raport me Kosovën. Ato përbëhen nga raportet e ndryshme të Departamentit Amerikan të Shtetit (U.S. Departament of State), të konsullatave apo nënkosullatave.
Plenumi i Brioneve ishte në fokus të Shërbimit Intelegjent Amerikan dhe u cilësua si lufte e ashpër në mes fraksioneve politike në Partinë Komuniste Jugosllave, mes Titos dhe nacionalizmit serb, që përfaqësohej nga Aleksander Rankoviqi. Këto vendime u reflektuan edhe në Kosovë, në liberalizimin e jetës politike dhe kulturore të shqiptarëve ne Kosovë, dhe avancimi i autonomisë së Kosovës deri në kushtetutën e vitit 1974.
Libri, në mënyrë të sinkronizuar, vazhdon me dokumente të arkivit të presidentit R. Regan për zhvillimet politike të viteve ’80, me ç’rast shqiptarët e Kosovës demonstruan për barazimin e statusit politik të Kosovës me republikë. Në këtë libër janë edhe dokumentet, të cilat dëshmojnë për vizitën e Leka Zogut në Uashington.Në libër janë edhe shumë dokumente të rëndësisë së veçantë për zhvillimet politike në Kosovë gjatë viteve të ’90-ta, ku pasqyrohet interesimi i vazhdueshëm i qeverisë amerikane për Kosovën dhe zhvillimet politike të kohës. Biseda e presidentit Xhorxh Bush me presidentin jugusllav, dëshmon për interesimin e veçantë të Shtëpisë së Bardhë, duke kërkuar kthimin e autonomisë se vitit 1974 për Kosovën dhe respektimin e të drejtave të shqiptarëve.
Duke kuptuar se çështja e Konferencës të Rambujesë, në fakt, ishte çështje fillestare e zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe duke e parë ecurinë e ngjarjeve në terren, edhe faktori shqiptar reagoi konform sugjerimeve të miqve ndërkombëtarë, në përgjithësi, e sidomos amerikan, në veçanti. Ky reagim i dha impulse pozitive procesit në favor të zgjidhjes së çështjes së Kosovës.
Çdo përpjekje për trajtim diplomatik, në rrafshin teorik apo historik, kërkohet të bëhet duke e pasur gjithnjë të qartë ndikimin e politikës së forcës, të së drejtës ndërkombëtare dhe të diplomacisë. Gjersa politika vepron paqësisht ose me forcë, sikurse edhe e drejta ndërkombëtare që imponon zgjidhje paqësisht ose me forcë, diplomacia është art i negociatave dhe instrument i zgjidhjeve paqësore të problemeve, ose i parandalimit të tyre. Në këtë kontekst, studiuesi Nika, përmes dokumenteve, fakton veprimtarinë e lëvizjes paqësore, e prirë nga presidenti historik Ibrahim Rugova për ndërkombëtarizimin e çështjës së Kosovës, duke konkluduar se ajo kishte luajtur një rol të rëndësishëm.
Autori, shumë dokumente të shërbimeve sekrete amerikane, do t’ua sjellë lexuesve dhe studiuesve të rinj, që do të jenë të një rëndësie të veçantë, duke e ditur rolin vendimtar të qeverisë amerikane për ndalimin e makinerisë ushtarake serbe. Dokumentet janë të përzgjedhura me mjeshtri nga studiuesi Nika, duke e pasur përherë në fokus çështjen e Kosovës dhe rolin vendimtar të SHBA-së në zgjidhjen e krizës jugosllave në përgjithësi, dhe atë të Kosovës, në veçanti.
Dokumentet janë mbështetur kryesisht në trajtimin dhe shtjellimin e materialeve nga dora e parë, pra burime arkivore (letra, dokumente, akte, marrëveshje shtypi etj). Për autorin, shfrytëzimi i materialeve të shumta burimore nga arkivat e SHBA-së, ishte ndihmesë e madhe që përmes dokumentacionit të godasë cakun. Materiali pasqyron mjaft qartë edhe rolin e kongresmenëve dhe senatorëve përmes letrave drejtuar Shtëpisë të Bardhë, me ç’rast shprehnin shqetësimet për situatën e rëndë në Kosovë dhe domosdoshmërinë e zgjidhjes së këtij problemi. Gjithsesi pasqyrohet edhe kontributi i palodhshëm i lobit shqiptaro-amerikan.
Dokumentet e përgatitura me pedantëri nga Nika, konstatojnë se përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës, të UÇK-së, për dalje nga okupimi, kanë qenë të pamjaftueshme për sukses, prandaj ishte si domosdoshmëri e diplomacisë amerikane të vinte në shërbim të këtij qëllimi, forcat ushtarake të NATO-s. Në kuadër të kësaj, për studiuesin, sulmet e NATO-s, të kryesuara nga SHBA-ja dhe roli i presidentit Bill Klinton ishin të një rëndësie të veçantë. Gjithnjë, mbështetur në dokumentacion, Nika konkludon më të drejtë se Kosova u bë shtet në kuadër të procesit të shpërbërjës së ish-Jugosllavisë, e jo si ndërhyrje e faktorit ndërkombëtar vetëm për ta zgjidhur çështjen e Kosovës. Me të drejtë, mund të konstatojmë se ky vëllim dokumentesh nuk është një libër i thjeshtë, por një përmbledhje faktografish historiko-shkencore për njohjen e së vërtetës së diplomacisë amerikane në raport me Kosovën.
Botimi, i cili vlerësohet për forcën e argumenteve, si dhe besnikërinë e dokumenteve, është një kontribut dhe si i tillë do të duhej të ishte në funksion të dijes historike dhe diplomatike. Në rrafshin metodologjik, lexuesi ka para vetes një pasqyrë të ngjarjeve sa më komplete, duke mos i shkëputur ngjarjet nga konteksti historik, dhe e përbëjnë boshtin e kësaj përmbledhje dokumentare. Nika në këtë vëllim dokumentesh ka qëllim mjaft të qartë, duke spikatur në të gjitha drejtimet e kjo përputhet më përpjekjet diplomatike amerikane në ato vite të mëdha të përcaktimit të fatit të Kosovës. Presidenti Uilson dhe SHBA-të, për përpjekjet e tyre për ta ndihmuar çështjen shqiptare mbeten në memorien e shqiptarëve. Për këtë ka mjaft dëshmi.
Nga e tërë kjo mund të përfundojmë se diplomacia është më e pasur me faktografi të re, ndërsa historianët, dhe të gjithë lexuesit, te kjo përmbledhje dokumentare gjejnë ngjarje dhe momenteve diplomatike të panjohura më parë.