*Presidenti Thaçi kërkon nga Quint-i të mos tolerojnë përzierjen e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë/
*Ambasadori i SHBA: Ardhmëria e Kosovës është në duart e juaja/
Kosova në zgjedhjet e 11 qershorit me 29.264 vëzhgues të akreditur/
-Përfaqësues i Gazetës DIELLI akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 9 Qershor 2017-Gazeta DIELLI/ Gjithësej 29.264 vëzhgues janë akreditur për zgjedhjet e parakohshme paralamentare të së dielës së 11 qershorit në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme akreditoi grupin e nëntë, të fundit, të vëzhguesëve vendorë e ndërkombëtarë.Vëzhguesit janë 160 nga 8 ambasada, 301 nga 7 organizata ndërkombëtare, 8.830 nga organizata joqeveritare vendore, 3.657 nga partitë politike e 15.78 nga koalicionet pjesëmarrëse në zgjedhje, 27 nga institucione ndërkombëtare (trupa të menaxhimit të zgjedhjeve nga vende të ndryshme të botës), 1 nga 1 institucion vendor, 468 vëzhgues të akredituar që përfaqësojnë media vendore dhe 36 nga media ndërkombëtare.
Përfaqësues i Gazetës DIELLI akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari.Mbledhja e sotme Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë u mbajt në Qendrën Mediale, e cila do të jetë një hapësirë për mediat e akredituara.
Ambasadori i SHBA: Ardhmëria e Kosovës është në duart e juaja
-Video Deklarata e ambasadorit Delawie për zgjedhjet/
PRISHTINË, 9 Qershor 2017-Gazeta DIELLI/ Para zgjedhjeve të së dielës së 11 qershorit në Kosovë, Ambasadori amerikan në Prishtinë Greg Delawie në një video deklartë sot theksoi se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë pranë jush gjatë rrugëtimit – do të vëzhgojnë proceset e votimit dhe numërimit të votave në gjithë vendin. Ambasadori i SHBA, Delawie u shpreh:Urime Kosovë. E kaluat fushatën dhe tash ju jeni gati për ngjarjen kryesore.Pas disa javësh të debatit politik të dielen ju do ta keni fjalën e fundit. Ju do të dëshmoni se qytetarët e Kosovës e përcaktojnë rrugën e ardhshme të shtetit tuaj.Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë pranë jush gjatë rrugëtimit – do të vëzhgojnë proceset e votimit dhe numërimit të votave në gjithë vendin. Ne poashtu do të qëndrojmë pranë vendimit tuaj demokratik gjersa përfaqësuesit tuaj të ri përballen me sfida dhe mundësi të rëndësishme në muajt dhe vitet që vijnë.Por, ky vendim varet nga ju, dhe vetëm nga ju – qytetarët e Kosovës. Pra, dilni dhe votoni! Zgjedhni udhëheqësit që nuk janë të korruptuar, zgjedhni ata që do të ju përfaqësojnë juve dhe interesat më të mira të shtetit tuaj, ata që do të punojnë shumë për të përmbushur fatin e Kosovës në zemër të Evropës.Ardhmëria e Kosovës është në duart e juaja.
Presidenti Thaçi kërkon nga Quint-i të mos tolerojnë përzierjen e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë
-“Kjo përpjekje për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të shtetit tonë ka kaluar kornizat e garës elektorale dhe bëhet cenim i integritetit të shtetit tonë dhe sigurisë së qytetarëve tonë”, theksoi Presidenti Thaçi/
PRISHTINË, 9 Qershor 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, kërkon nga Quint-i të mos tolerojnë përzierjen e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë.Kreu i shtetit priti sot ambasadorët e vendeve të Quint-it, të SHBA-së, Greg Delavie, Britanisë së Madhe, Ruairi O’Conell, Francës, Gjermanisë dhe Italisë si dhe shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, me të cilët bisedoi për përgatitjet për zgjedhjet në Kosovë. Me Presidentin Thaçi në takim ishin edhe Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni. Presidenti Thaçi u shpreh se të gjithë janë të përqendruar që zgjedhjet e 11 qershorit të jenë demokratike, të lira dhe të kalojnë pa asnjë incident. Presidenti Thaçi u shpreh se ndjehet i sigurt se zgjedhjet do të kalojnë mirë, megjithatë “mbetet shqetësimi për frikësimin dhe kërcënimin” e qytetarëve serbë të Kosovës nga eksponentë të shtetit të Serbisë.“Shqetësim mbetet frikësimi dhe kërcënimi i qytetarëve, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës, për të mos votuar të lirë”, u shpreh ai. Presidenti Thaçi kërkoi që vendet e Quintit t’i bëjnë të qartë autoriteteve të Serbisë që nuk do të tolerohet interferimi në çështjet e brendshme të Kosovës.
“Ju bëj thirrje që t’i dërgoni mesazh të qartë autoriteteve në Serbi që të mos frikësojnë apo kërcënojnë qytetarët serbë të Kosovës dhe t’i pengojnë të shprehin të lirë vullnetin e tyre politik”, u shpreh në takim Presidenti Thaçi.“Kjo përpjekje për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të shtetit tonë ka kaluar kornizat e garës elektorale dhe bëhet cenim i integritetit të shtetit tonë dhe sigurisë së qytetarëve tonë”, theksoi Presidenti Thaçi.
Kryetarja e KQZ-së, Daka, u shpreh se KQZ ka bërë të gjitha përgatitjet që zgjedhjet të jenë të drejta.
Drejtori i Përgjithshëm i PK, Maxhuni, tha se Policia e Kosovës po bashkëpunon edhe me EULEX-in dhe KFOR-in, për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve në ditën e zgjedhjeve.Presidenti Thaçi falënderoi KQZ-në, PK-në, OSBE-në, mediat, shoqërinë civile, BE-në dhe vëzhguesit nga BE dhe nga PE, që po bëjnë çdo gjë për të garantuar proces elektoral të drejtë dhe të suksesshëm./b.j/
-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë Greg Delawie: Vota juaj është thelbësore në formësimin e së ardhmes së Kosovës/
-Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” ndanë çmimet për pesë videot më të mira të garës #AsUne nuk do të votoj për kandidatët e korruptuar/
PRISHTINË, 8 Qershor 2017 / Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë Greg Delawie tha sot se, “dalja në zgjedhje është tejet e rëndësishme dhe unë e ftoj secilin qytetar anekënd Kosovës të marrë pjesë në zgjedhje…”“Vota juaj është thelbësore në formësimin e së ardhmes së Kosovës”, theksoi ambasadori amerikan.
Në prag të ditës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, sot në amfiteatrin e qytetit në Sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, ka bërë ndarjen e pesë çmimeve për pesë videot më të mira që janë dërguar nga të rinjtë e që kanë spikatur mesazhet e tyre për fushatën #AsUne nuk do të votoj për kandidatët e korruptuar.
Gara kishte për qëllim të nxisë të rinjtë dhe qytetarët në përgjithësi për të dhënë këndvështrimet e tyre personale mbi atë se “përse nuk do të votonin për kandidatë të korruptuar?”.
Në garë ishin gjithsej 27 video dhe juria në përbërje prej përfaqësuesve të Demokracisë në Veprim kanë zgjedhur pesë videot më të mira të realizuara nga:
Albulena Uka, Besfort Berisha, Egzona Shabani, Faik Mziu e Tringa Alidemi.
Në hapje të kësaj ceremonie, Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim, theksoi se qëllimi i iniciativës qytetare #AsUne nuk do të votoj për kandidatët e korruptuar, është që të nxisë pjesëmarrjen qytetare në procesin e votimit dhe përmes angazhimit dhe votës së tyre të refuzojnë tolerancën ndaj korrupsionit dhe kandidatëve të cilët janë të përfshirë në afera korruptive. “Kjo votë do të ndikojë në rritjen e integritetit politik për përfaqësim më të denjë dhe llogaridhënës”, ka thënë ai.
Shefja e Zyrës së BE-së njëherësh përfaqësuesja speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, me këtë rast ka theksuar:
“Tё dielën ju do t’i zgjedhni pёrfaqёsuesit tuaj tё rinj nё Kuvend. Ky ёshtё njё rast kur do tё mund tё ndikoni drejtpёrdrejt nё tё ardhmen e Kosovёs, tё ardhmen e fёmijёve tuaj. Shfrytёzojeni kёtё rast. Mos lejoni qё tё tjerёt tё vendosin pёr ju. Dilni dhe votoni. Kjo ёshtё esenca e demokracisё. Vendimet mirren nga ata qё dalin tё votojnё. Vota e secilёs grua dhe secilit burrё ka vlerё”, ka thënë ajo.
Ndarja e çmimeve për pesë videot më të mira u bë nga shefja e BE-së në Kosovë, Apostolova, ambasadori amerikan në Kosovë, Delawie dhe tre aktivistë e mbështetës të zëshëm të fushatës #AsUne: alpinistja Arineta Mula dhe gazetarët e publicistët Astrit Gashi e Imer Mushkolaj.
Aktivitet e DnV-së në kuadër të fushatës #AsUne mbështeten nga USAID, Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada e Gjermanisë dhe Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës, DANIDA.