Nga Behlul Jashari/ Prishtinë, 3 Mars /.-Kosova ka përmbyllë zgjedhjet lokale, sot KQZ bëri edhe çertifikimin e rezultateve përfundimtare për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune të mbajtura në 23 shkurt në Mitrovicën e Veriut, e cila është e 38-ta në Kosovë, e 10-ta me shumicë serbe.
Tashmë, partitë politike në Kosovë kanë nisur përgatitjet edhe për zgjedhjet parlamentare, pas zgjedhjeve lokale, të parave në gjithë territorin, përfshirë veriun, të mbajtura në 3 nëntor dhe që kanë vazhduar me balotazhin e 1 dhjetorit 2013 dhe me disa rivotime të pjesëshme, si dhe të jashtëzakonshme në 23 shkurt 2014 për kryetar komune në Mitrovicën Veriore, ku fituesi i komunitetit serb kishte refuzuar të japë betimin duke mos pranuar ligjet kosovare.
Zgjedhjet e kaluara parlamentare në Kosovë ishin të jashtëzakonshme pas dorëheqjes së Presidentit të Republikës dhe largimit të LDK-së nga koalicioni qeverisës me PDK-në dhe janë mbajtur në 12 dhjetor 2010, ndërsa disa muaj pa u mbushur katër vjet nga ajo datë, zgjedhjet 2014 pritet të mbahen në qershor, sipas deklaratave pas takimeve të liderëve politikë kosovarë.
Partitë kryesore kanë shpallur mobilizimin e tyre për zgjedhjet nacionale që mbahen brenda pak mujash, ndërsa liderët e tyre kanë paralajmëruar kandidimet për të udhëhequr Qeverinë e ardhshme të Republikës së Kosovës.
“Tashmë është e qartë se emocionet elektorale kanë përfshirë të gjitha partitë politike”, është shprehur këto ditë me atmosferë drejt zgjedhjeve parlamentare kryetari i PDK-së e kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ai dhe kryetari i partisë më të madhe opozitare kosovare, LDK-së, Isa Mustafa, kanë pasur edhe një takim ku kanë biseduar për reformën zgjedhore e për zgjedhjet e përgjithshme dhe janë dakorduar që të bëhen të gjitha përgatitjet për zgjedhje të lira, demokratike dhe të mbikëqyrura nga vëzhgues ndërkombëtarë, për çfarë edhe do të bëhet kërkesë zyrtare në BE, OSBE etj. Takime janë zhvilluar dhe paralajmërohet se do mbahen edhe mes partive të tjera politike kosovare, me përkushtimin edhe për një provim të demokracisë në shtetin e ri të Kosovës me 106 njohje deri tani e drejt njohjeve të reja dhe integrimeve euroatlantike.
Zgjedhjet parlamentare 2014 janë të dytat pas shpalljes së Pavarësisë, të katërtat në Kosovën e lirë nga qershori 1999, ku të parat zgjedhje u mbajtën në vjeshtën e vitit 2001.
Ndërsa, zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para 22 vitesh, në 24 maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda të okupimit nga regjimi i dhunës serbe. Raportimet nga ato zgjedhje me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, shënonin fillimet e korrespondencës së ATSH në Kosovë