![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2022/05/Agani-Rugova.jpg)
-Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me një dekret të veçantë ka dekoruar bashkëpunëtorin më të afërt Akademik Fehmi Aganin me Urdhrin Hero i Kosovës, për Vepra Trimërie për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës/
-Para 23 viteve në 6 Maj 1999 kam raporuar edhe këtë lajm: Shqiptarët në Prishtinë – mburojë e gjallë/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 6 Maj 2022/ Në Kosovë para 23 viteve, në 6 Maj 1999, Akademik Fehmi Agani u rrëmbye e vra nga forcat okupatore serbe derisa po udhëtonte drejt Maqedonisë mes shqiptarëve të dëbuar nga vatrat e veta.
Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me një dekret të veçantë ka dekoruar bashkëpunëtorin më të afërt Akademik Fehmi Aganin me Urdhrin Hero i Kosovës, për Vepra Trimërie për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.
Duke e shpallur këtë vendim në 6 Maj 2004, Presidenti Rugova theksonte se, “së bashku me Profesor Aganin i vendosëm themelet e shtetit të pavarur të Kosovës dhe funksionimin e tij”.
Serbia – agresioni dhe agresori nuk duhet shpërblyer, theksonte para 28 viteve Akademik Fehmi Agani në deklaratën botuar në gazetën e rezistencës, të lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, “Bujku”, në 26 Shtator 1994, ku është botuar edhe intervista e parë ekskluzive, që kam zhvilluar për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, me titull “Politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.
“Agresori nuk duhet shpërblyer” është titulli në faqen e parë të gazetës, ku shkruaja se,
i pyetur lidhur me qëndrimin rreth vendimit të Këshillit të Sugurimit për zbutjen e sanksioneve ndaj Serbisë e Malit të Zi, nënkryetari i LDK-së Dr. Fehmi Agani deklaronte:
Edhe pse përkrahim të gjitha përpjekjet për arritjen sa më të shpejtë të një marrëveshje për Bosnjën në bazë të propozimit të Grupit të Kontaktit, megjithatë lajmi për zbutjen e sanksioneve ndaj Serbisë, edhe pse është fjala për një zbutje të përkohshme e të kufizuar, në Kosovë nuk është për t’iu gëzuar.
Pikërisht, në kohën kur Serbia po pret zbutjen e sanksioneve ndaj saj, në Kosovë me brutalitet po zbaton sanksionet që ajo u imponoi Kosovës dhe shqiptarëve.
Megjithatë, shpresojmë se, siç është deklaruar shpesh nga instanca të ndryshme ndërkombëtare, sanksionet kryesore ekonomiko-financiare dhe bojkotimi ndërkombëtar i Serbisë nuk do të mund të suspendohen pa zgjidhjen e problemit të mdh të Kosovës, si dhe problemit të Krainës dhe problemeve tjera të ish-Jugosllavisë. Përndryshe, do të ishte kjo një shpërblim i agresionit dhe i agresorit, përfundonte Dr. Fahmi Agani.
AGANI-16 SHKURT 1996: NË GJYKATËN E HAGËS, DOSJET E KRIMEVE SERBE MBI SHQIPTARËT
Në një nga konferencat për shtyp në Prishtinë, në 16 Shkurt 1996, ku ishte edhe korrespondenti në Kosovë tash i Gazetës DIELLI, duke u përgjegjur në një pyetje rreth asaj se çka është ndërmarrë në Kosovë për dërgimin në Gjyqin e Hagës të të dhënave për autorët e krimeve mbi
shqiptarët në Kosovë, Dr. Fahmi Agani, nënkryetar i LDK-së, tha se Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut dhe Qeveria e Kosovës i kanë
drejtuar këtij gjyqi dosjet e krimeve serbe mbi shqiptarët. “Shpresoj se ky
gjyq do të punojë drejt dhe do të vijë në radhë edhe dosja e Kosovës”, tha
Agani.
6 MAJ 2004: AKADEMI PËRKUJTIMORE NË KUJTIM TË 5 VJETORIT TË VRASJES SË AKADEMIK PROF. DR. FEHMI AGANI
FJALIMI I PRESIDENTIT RUGOVA
6 maj 2004,
Prishtinë, KOSOVË
E nderuara Familje Agani,
E nderuara Zonja Agani,
I nderuari Kryetar Daci,
Të nderuar akademikë,
Të nderuar deputetë, ministra e kryetarë të komunave,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe Zotërinj,
Jemi tubuar sot këtu, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në këtë Akademi Përkujtimore në kujtim të 5 – vjetorit të vrasjes së Akademik Prof. Dr. Fehmi Agani, Nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së dhe deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Gjendemi sot së bashku në kujtim të përjetshëm të Profesorit tonë të madh, të Profesorit tim dhe të mikut tim të çmueshëm e bashkëpunëtorit, bashkëmendimtarit dhe bashkëvepruesit tim e tonë shumëvjeçar, Profesor Aganit. Ju lutem t’i them disa fjalë në këtë përvjetor përkujtimi.
Zonja dhe Zotërinj,
Profesori ynë Agani, me këtë titull që u bë emër i Tij për të gjithë ne në jetën tonë publike e private, gjithë jetën dhe veprën ia kushtoi vendit tonë Kosovës dhe popullit shqiptar. Për decenie të tëra Profesor Agani ishte i njohur për veprën e Tij arsimore universitare, shkencore e filozofike. Ishte i dashur dhe i çmuar nga të gjithë.
Me themelimin e LDK-së, që ishte njëri ndër themeluesit e saj, Ai dhe të gjithë ne hyri në jetën aktive politike e shtetërore për të mbrojtur vlerat dhe ekzistencën e kombit të Kosovës dhe të popullit shqiptar. Ai mori pjesë aktive në aktet madhore të vendit tonë siç janë: Deklarata e Pavarësisë, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Referendumi për Pavarësi dhe në ndërtimin e institucioneve të Kosovës në bazë të zgjedhjeve presidenciale e parlamentare të Republikës së Kosovës të vitit 1992. Së bashku me Profesor Aganin i vendosëm themelet e shtetit të pavarur të Kosovës dhe funksionimin e tij, që sot në botë njihet si “shtet i shqiptarëve të Kosovës” apo si “shtet paralel”, si kontribut yni në historinë e lëvizjeve të botës për pavarësi.
Zonja dhe Zotërinj,
Profesor Agani për një decenie të tërë ishte njeriu më aktiv në lëvizjen tonë për liri, pavarësi e demokraci. Ai ishte gjithmonë në vijën e parë të veprimit në planin publicistik, diplomatik dhe të veprimit në terren. Ishte ndër profesorët e rrallë që kishte pranuar të punonte me studentët e tij dhe me të gjithë njerëzit për të mirën e vendit të vet. Ishte i palodhshëm dhe gjithmonë i gatshëm për të gjetur zgjidhje për çdo problem të veprimit shtetëror e politik si dhe për çdo çështje të veprimit të përditshëm duke ndërtuar dhe mbrojtur lirinë dhe pavarësinë, objektivin tonë madhor. Me këto cilësi Profesor Agani jepte kontribut të madh në formimin e kulturës politike, shtetërore e njerëzore të vendit tonë.
Zonja dhe Zotërinj,
Cilësi tjetër e madhe e Profesor Aganit ishte modestia e Tij njerëzore e morale dhe modestia e Tij e veprimit. Me këtë cilësi që e kanë vetëm njerëzit e mëdhenj, fitonte përkrahjen e miqve tanë dhe respektin për të si burrështeti dhe për Kosovën. Po ashtu me modestinë e Tij në veprimin politik fitonte përkrahjen e qytetarëve dhe të njerëzve për veprim të përbashkët.
Zonja dhe Zotërinj,
Ne edhe sot pas pesë vjetësh në liri, kemi dhembje për Profesor Aganin që nuk është më në mesin tonë që ra nga dora e armikut, por krenarinë e kemi më të madhe, sepse e kemi veprën dhe jetën e Tij të ndritur.
Në këtë përvjetor mund të themi se për ne është një përkujtim krenar i madh për Profesorin tonë të madh, që përmban dhembjen për humbjen e Tij fizike dhe është krenari e madhe për veprën e Tij që është fitorja e Tij. Për këtë jetojnë njerëzit. Për këtë jetoi dhe veproi Profesori ynë i madh. Profesor Agani me veprën e Tij është i pranishëm në jetën e të gjithë neve. Në familjen time është i pranishëm dhe në momente të mira e të vështira gjejmë mbështetje në jetën dhe veprën e Tij, si mik i shtëpisë. Këtë na e dhurojnë njerëzit e mëdhenj.
Zonja dhe Zotërinj,
Këto ditë isha për vizitë në SHBA. Mund t’Ju them se, si gjithmonë ishte një pritje madhështore nga miqtë tanë amerikanë dhe komuniteti shqiptar. Ishte i fortë kujtimi i mirë për Profesor Aganin. Mund t’Ju them se tash pesë vite të lirisë së vendit tonë, në SHBA po forcohet mendimi për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës sa më shpejt. Pra, një Kosovë e pavarur, demokratike e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA. Ky ishte testamenti i Profesor Aganit, testamenti ynë, që jam i bindur me përkrahjen e miqve tanë do ta arrijmë së shpejti.
Zonja dhe Zotërinj,
Ky është një lajm i mirë në këtë përvjetor të përkujtimit të Profesorit tonë të dashur, Profesor Aganit dhe lajm i mirë për të gjithë ne.
Zoti e bekoftë Profesor Aganin.
Zoti e bekoftë Familjen Agani.
Zoti e bekoftë Kosovën tonë të shtrenjtë.
Ju falemnderit.
Dr. Ibrahim Rugova
President i Kosovës
PRESIDENTJA OSMANI: PROFESOR AGANI, FIGURË PËRBASHKUESE DHE POLITIKAN KONSISTENT ME VIZION TË QARTË
Në 23-vjetorin e vrasjes, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar Akademik Fehmi Aganin.
“Profesor Agani ishte intelektuali i angazhuar një jetë të tërë në përmbushjen e synimit për shtetin e Kosovës. Ai ishte figurë përbashkuese, politikan konsistent me vizion të qartë për rrugën që duhet të ndiqte Kosova. Si dorë e djathtë e presidentit historik, Dr.Ibrahim Rugova, Profesor Agani dha kontribut të çmueshëm në afirmimin e çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Aktiviteti i tij kombëtar u ndal më 6 Maj 1999, kur forca të regjimit gjenocidal serb e vranë njërin nga strategët e lëvizjes paqësore. Vënia e autorëve para drejtësisë është synimi ynë i vazhdueshëm”, thuhet në përkujtimin e Presidentes Osmani.
LDK-KRYETARI ABDIXHIKU: PROF. FEHMI AGANI ISHTE I URTI I RRUGËTIMIT TË FUQISHËM PËR LIRI E PAVARËSI
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku përkujton nënkryetarin e LDK-së e dijetarin e madh shqiptar, Prof. Fehmi Agani, në 23 vjetorin e vrasjes së tij.
“Sot, bëhen 23 vjet nga vrasja e ideologut, intelektualit dhe dijetarit të madh shqiptar, Prof. Fehmi Agani. Si shkrimtar, si gazetar, si politilog, si sociolog e mbi të gjitha si atdhetar i madh, profesor Agani ishte pjesë e gjeneratës së artë intelektuale e politike shqiptare në Kosovë gjatë fundshekullit të kaluar.
Vrasja e tij nga forcat ushtarake e policore serbe ishte hakmarrje e qëllimshme ndaj lëvizjes sonë politike për liri e pavarësi. Ishte vrasje e boshtit intelektual e ideologjik të vet Kosovës. Si e tillë, ajo u shndërrua shenjë e pafuqisë së aparatit represiv serb ndaj idesë sonë kolektive për liri e pavarësi.
Fehmi Agani ishte ndër figurat kryesore në krijimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Shërbeu si nënkryetar i saj e si dorë e djathtë e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Ai ishte i urti i rrugëtimit të fuqishëm për liri e pavarësi. Jeta e tij, veprimtaria e tij politike, është pasuri kombëtare.
Ai u lind në Gjakovë në vitin 1932, ku dhe mbaroi shkollimin fillor. Shkollimin e mesëm e kreu në Prishtinë, ndërsa studimet për filozofi i mbaroi në Universitetin e Beogradit; ku dhe magjistroi në shkenca politike. Gradën doktor i shkencave të sociologjisë e mori në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës më 1973, në temën “Partitë dhe grupet politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Gjatë viteve 50-ta e 60-ta, ai punoi si profesor i shkollave të mesme në Gjakovë dhe në Prishtinë, ndërsa më vonë ishte i anagzhuar si gazetar dhe redaktor i politikës së jashtme në gazetën “Rilindja”. Në vitet 60-ta nisi punën ligjërues i sociologjisë në Fakultetin Filozofik; për të përfunduar si dekan aty. Në vitin 1967, profesor Agani u zgjodh drejtor themelues i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Fehmi Agani ishte themelues i Degës së Sociologjisë dhe të Filozofisë në Fakultetin Filozofik dhe i Institutit të Sociologjisë të këtij fakulteti. Ai ishte kryeredaktor i revistave Studia Humanistica dhe Thema. Në fund të vitit 1989, ai së bashku me intelektualë e patritotë të kohës, themeloi lëvizjen më të madhe politike të shqiptarëve të Kosovës – Lidhjen Demokratike të Kosovës. Pjesa tjetër është histori lavdie.
Sot, në përvjetorin e rënies së Prof. Fehmi Aganit, ne nderojmë dhe kujtojmë figurën, rolin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Ai vazhdon të jetë inspirim për rrugëtimin tonë politik drejt të ardhmes.”