-Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa theksoi se me bashkëpunëtorë para dy vitesh është vendosur se duhet të hapet rrugë për kuadro dhe për njerëz të rinj/
-Dega e LDK-së në Istog shënoi sot 27 vjetorin e themelimit/ISTOG, 13 Maj 2017-Gazeta DIELLI/Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Istog shënoi sot 27 vjetorin e themelimit, ku bashkë me shumë simpatizantë dhe qytetarë të Istogut, ishte i pranishëm edhe kryetari i LDK-së, Akademik Isa Mustafa.Kryetari i Istogut, njëherësh nënkryetar i LDK-së, Haki Rugova përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi të gjithë aktivistët e LDK-së në Istog të cilët dhanë shumë për themelimin dhe fitoret e njëpasnjëshme të kësaj dege.Njëherësh kryetari Rugova e përgëzoi punën e kryeministrit Isa Mustafa dhe sukseset e tij të dukshme në krye të Qeverisë së Kosovës.Kryetari i LDK-së, njëherësh kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa përgëzoi punën e mirë në Istog, duke theksuar se vetë pjesëmarrja e qindra aktivistëve të LDK-së në këtë degë tregon se në Istog po gufon Lidhja Demokratike e Kosovës duke veçuar rolin e të rinjve që për 27 vite i dhanë frymë LDK-së. Kryetari Mustafa tha po ashtu se LDK-ja dhe Istogu mburret me punën e mrekullueshme të kryetarit Rugova dhe të gjithë kryetarëve të komunave që kanë punuar në mënyrën më të mirë dhe në interes të qytetarëve.Kryetari Mustafa tha poashtu se LDK-ja mburret edhe me ministrat që kanë punuar shumë dhe kanë dalë të pa korruptuar dhe me deputet që i kanë ndjekë politikat dhe i kanë mbrojtur politikat e LDK-së.Sa i përket koalicionit qeverisës të deritashëm, kryetari i Mustafa tha se nëse do të ishin kthyer sërish në vitin 2014, vendimi do të ishte i njëjtë sepse koalicioni me PDK-në është bërë për të mirën e Kosovës.”Por, ata që e bënë këtë veprim tani, ata nuk na tradhtuan ne, ata e tradhtuan vetën, sepse patën shpresë se i shkojnë në fund kësaj pune, por e panë që nuk mundën me ne. Ju siguroj që Qeveria ka punuar mirë, ju siguroj që Qeveria i dha një kurs të veçantë zhvillimit ekonomik të këtij vendi që nuk e pati asnjëherë, Qeveria ka dalë e pa korruptuar dhe ministrat kanë qenë ata që kanë punuar mirë, ju siguroj që kemi bashkëpunuar mirë me BE-në dhe SHBA-të dhe ju siguroj që kemi dhënë një shembull të mirë se si duhet qeverisur Kosova, dhe kjo është me rëndësi sepse nuk ka rëndësi sa kemi qeverisur, por ajo çfarë kemi bërë”, tha ndër tjerash kryeministri Mustafa.Kryetari Mustafa, po ashtu, theksoi se me bashkëpunëtorë para dy vitesh është vendosur se duhet të hapet rrugë për kuadro dhe për njerëz të rinj.“Ne nuk do të punojmë me parulla të fillimit të ri me vese dhe praktika të vjetra, ne do të u japim shans njerëzve të rinj, dhe do të ofrojmë perspektivë për vendin dhe ju sigurojë që do të ofrojmë kryetarë komunash e ministra të mrekullueshëm që dhanë shembull se si duhet qeverisur vendi”, theksoi kryetari Mustafa, duke bërë të ditur se së bashku me nënkryetarët, kryetarët e degëve dhe me strukturat e LDK-së, do të vendoset kush do të jetë kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës nga LDK-ja. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, më tej tha LDK do të jap njerëzit më të mirë që ka, ekspertët më të mirë, veprimtarët më të mirë pasi që, siç u shpreh ai, LDK-ja ka histori të mirë dhe LDK-ja do t’i sigurojë ardhmërinë më të mirë këtij vendi.“Unë si kryetar i LDK-së do të mundohem maksimalisht që të kem përkrahjen e bashkëpunëtorëve të mi, përkrahjen e tuaj, në mënyrë që të zhvillojmë procese që do të jenë në dobi të Kosovës, në dobi të zhvillimit demokratik, në dobi të qeverisjes së mirë të këtij vendi dhe në dobi të fitores. LDK-ja do të dalë fitimtare në këtë proces sepse e ka rrugën e hapur dhe ka faqen e bardhë, ka treguar suksese dhe do të ishte dëm i madh për vendin që këto suksese të mos vazhdojnë”, tha ndër tjera kryeministri Mustafa, duke shtuar se Lidhja Demokratike e Kosovës është e përkushtuar të punojë fuqishëm dhe pa dyshim se do të dalë fitimtare në këtë proces.Në fund të manifestimit, janë shpërndarë librezat e anëtarësisë për dhjetëra anëtarë të rinj të Degës së LDK-së në Istog./b.j/