-Punohet edhe për anëtarësimin në Interpol. Qeveria e Kosovës zhvillon mbledhjen e parë të vitit të ri 2018, në të cilin e presin shumë punë/
-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj: Qeveria duhet të përgatisë një platformë për fazën finale të dialogut dhe për këtë jemi konsultuar edhe me presidentin dhe me kryeparlamentarin. Kanë mbetur tema të bartura për vitin 2018, përveç Trepçës është transformimi i FSK-së në ushtri, çështja e liberalizimit të vizave si dhe demarkacioni/
-Kryeministri Haradinaj vizitoi te Enjten komunën e Gjakovës, ku u prit nga kryetari Ardian Gjini/
PRISHTINË, 4 Janar 2018-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, sot pasdite në mbledhjen e parë në vitin e ri 2018, të 23-tën që nga marrja e detyrës në 11 shtator 2017, u njoftua me përgatitjet që janë duke u zhvilluar nga Ministria e Jashtme për aplikim dhe anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behxhet Pacolli, bëri të ditur se është themeluar një grup punues nga ekspertë të Ministrisë dhe të shoqërisë civile që do të përgatisin një plan të veprimit për institucionet e Republikës së Kosovës. Ai njoftoi se është duke u punuar edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol.
Kryeministri Haradinaj vlerësoi angazhimet dhe kërkoi koordinim të aktiviteteve nga të gjithë akterët institucionalë që procesi i anëtarësimit në këto organizata të rëndësishme ndërkombëtare të përfundojë me sukses.
Gjatë mbledhjes, qeveria e Kosovës, në përputhje me angazhimet dhe prioritetet e saj, miratoi Planin e veprimit për rritjen e punësimit të të rinjve 2018-2020.
“Ky është një plan ndërsektorial dhe pjesë e dokumenteve strategjike të Republikës së Kosovës, të cilat si bosht orientues kanë Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit. Plani ka objektiv kryesor rritjen e punësimit të të rinjve dhe synon që të arrihet përmes rritjes së qasjes së të rinjve në tregun e punës; zhvillimin e ndërmarrësisë; harmonizimin e arsimit me tregun e punës dhe ngritjen e cilësisë së arsimimit praktik të të rinjve”, u theksua në mbledhje.
Në vijim u miratua nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare në fushën e shëndetësisë ndërmjet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Japonisë. Me qëllim të realizimit të programit të zhvillimit ekonomik dhe social në Republikën e Kosovës qeveria e Japonisë do të ndajë një grant në vlerën prej 150 milionë jenë japonezë (rreth 1.1 milionë euro). Mjetet do të përdoren për blerjen e pajisjeve mjekësore dhe mirëmbajtjen e tyre.
Qeveria miratoi edhe vendimin përfundimtar për shpronësimin për interes publik të disa pronave të paluajtshme në komunën e Vushtrrisë, të cilat preken nga ndërtimi i rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë. Poashtu, qeveria e Kosovës miratoi edhe vendimin preliminar për shpronësimin e pronave të paluajtshme në komunat Kaçanik dhe Han i Elezit, të cilat preken nga ndërtimi i autostradës nga Prishtina drejt Shkupit-Maqedonisë.
Kabineti qeveritar miratoi edhe Rregulloren për kthimin e personave të zhvendosur dhe zgjidhje të qëndrueshme. Rregullorja krijon kushtet e nevojshme për arritjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për personat e zhvendosur brenda Kosovës dhe në rajon, në periudhën nga 28 shkurti 1998 deri në 31 mars 2014. Në të përcaktohen përgjegjësitë e organeve kompetente dhe vendimmarrëse, si dhe procedurat dhe kriteret për asistencë.
Qeveria e Kosovës miratoi kërkesën e Ministrisë së Infrastrukturës për të nisur negociatat për lidhjen e Marrëveshjes për shërbime të transportit ajror në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Me kërkesë të ministrit të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës u miratua vendimi që t’i rekomandohet presidentit të Republikës që të autorizojë Marrëveshjen e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Turqisë. Në 20 dhjetor 2017, qeveria e Kosovës në 100 ditëshin e saj, në mbledhjen e 20-të, ka miratuar raportin e punës njëqindditore dhe planin vjetor të punës së qeverisë për vitin 2018.
Qeveria e Kosovës në bilancin e saj të punës 100 ditore ka edhe mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Shqipërisë të zhvilluar në 27 nëntor 2017 në Korçë, e cila ishte e katërta, pas të parës historike në Prizren në 11 janar 2014, të dytës në Tiranë në 23 mars 2015 dhe të tretës në 3 qershor 2016 në Prishtinë, ndërsa ka paralajmëruar edhe mbledhjen e parë të përbashkët me qeverinë e Maqedonisë në fillimin e 2018-tës.
Në mbledhjen e fundvidit të kaluar, të 22-të në 27 dhjetor, qeveria e Kosovës diskutoi për projektligjet prioritare që dalin nga Raporti i Progresit.
Kryeministri Haradinaj lidhur me këto projektligje, të cilat dalin nga axhenda e reformave evropiane, tha se një numër i tyre janë proceduar në Kuvend, ndërsa një numër janë në proces dhe për këtë kërkoi nga Kuvendi thirrjen e një seance të veçantë në të cilën do të diskutoheshin vetëm këto projektligje.
“Duke marrë parasysh se në shkurt bëhet vlerësimi i arritjeve të Kosovës, do të ishte shumë me rëndësi që t’i kemi të përfunduara në mënyrë që të evidentohen si punë të kryera”, tha ai.
Kryeministri Haradinaj tha se në vitin e ri 2018 qeverinë që ai drejton e presin shumë punë. “Qeveria duhet të përgatisë një platformë për fazën finale të dialogut dhe për këtë jemi konsultuar edhe me presidentin dhe me kryeparlamentarin. Kanë mbetur tema të bartura për vitin 2018, përveç Trepçës është transformimi i FSK-së në ushtri, çështja e liberalizimit të vizave si dhe demarkacioni”, tha kryeministri Haradinaj.Qeveria e re e Kosovës e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017, e votuar në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në 9 shtator, nisi punën në 11 shtator duke mbajtur në mbrëmje mbledhjen e parë ku u bë konstituimi dhe u shqyrtua programi qeverisës, pasi gjatë ditës fillimisht u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.
Kryeministri Haradinaj, i njohur për saktësi, për mbërritje në kohë apo edhe para kohe, sot në mbledhjen e parë të qeverisë për vitin 2018, të zhvilluar pasdite, u vonua ndonjë minutë, ndërkohë që ishte kthyer nga një vizitë pune të nisur paradite në Gjakovë, një nga 7 prej 38 komunave të Kosovës ku partia e tij AAK ka fituar në zgjedhjet lokale 2017.
Dje, në ditën e parë të punës në vitin e ri 2018, në të cilin pritet liberalizim vizash dhe aplikim për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kryeministri Haradinaj ka vizituar Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
KRYEMINISTRI HARADINAJ: GJAKOVA DO TA KETË MBËSHTETJEN E PAREZERVË TË QEVERISË SË KOSOVËS
GJAKOVË, 4 Janar 2018-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, vizitoi sot Komunën e Gjakovës, me ç ‘rast u prit nga kryetari i Komunës, Ardian Gjini me bashkëpunëtorë.
Në këtë takim është biseduar për qeverisjen lokale, funksionimin dhe nivelin e ofrimit të shërbimeve, shkallën e transparencës, pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.
“Kemi biseduar edhe për nisjen e një dialogu të vazhdueshëm për gjendjen në arsim në Komunën e Gjakovës, veçanërisht vëmendje i është kushtuar testit PISA që pritet të mbahet në fund të prillit apo në fillim të majit si dhe për përgjegjësitë që dalin për komunën, për drejtorin e arsimit dhe drejtorët e shkollave, por edhe për gjithë ata që janë të përfshirë në këtë proces”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj dhe kryetari Gjini kanë biseduar edhe për sektorin e shëndetësisë dhe partneritetin që mund të ketë niveli qendror me atë lokal, përfshirë këtu listën e barnave esenciale si dhe higjienën.
Kryeministri Haradinaj po ashtu tha se është biseduar edhe për sipërmarrësit, për sfidat dhe problemet e tyre. “Gjakova ka edhe një specifikë, procesin e privatizimit që ka ndodhur në të kaluarën dhe si rezultat i kësaj ka një ngecje dhe nuk është definuar çështja e kapaciteteve të mëhershme ekonomike”, tha kryeministri, duke theksuar se në takim është biseduar edhe për një Zonë të lirë ekonomike, për të cilën tha se në momentin që vjen kërkesa në Qeveri, do të procedohet brenda 24 orëve.
Kryeministri Haradinaj dhe kryetari Gjini kanë biseduar edhe për të bërit biznes, konkurrimin e bizneseve në projekte të ndryshme dhe për përfitimin e fondeve, qoftë edhe nga institucionet monetare ndërkombëtare.
Temë diskutimi e takimit ishte edhe çështja e impiantit të ujërave të zeza, i cili është në proces, ndërtimi i stadiumit të qytetit, çështja e furnizimit me energji, çështja e kampusit universitar, si dhe çështjet që lidhen me kategoritë e lirisë, përfshirë këtu martirët, veteranët, viktimat e dhunës seksuale, të pagjeturit.
Kryeministri me këtë rast theksoi se Gjakova ka perspektivë të sigurt me kryetarin Gjini dhe këtë vit do të fillojë autorruga me katër korsi Gjakovë-Klinë, si dhe një numër projektesh brenda qytetit.
Kryetari i Komunës, Ardian Gjini vizitën e kryeministrit e vlerësoi të rëndësishme për Gjakovën. “Kjo jo vetëm për shkëmbim të mendimeve, por edhe për bashkërendim më të madh të asaj që Gjakova mund të marr nga qeveria, të përgatitjeve për sa më shumë thithje të fondeve, të cilat për një kohë të gjatë kanë munguar në Gjakovë”, tha kryetari Gjini. Më tej, kryetari Gjini tha se Komuna është e gatshme për të gjitha punët që e presin, duke marrë edhe mbështetjen e Qeverisë së Kosovës dhe të kryeministrit Haradinaj.
Pas takimit që zhvilloi në komunë, kryeministri Haradinaj bashkë me kryetarin Gjini kanë zhvilluar një takim me personalitete të ndryshme të Komunës së Gjakovës nga fusha e sportit, kulturës, biznesit dhe kategorive të lirisë, të cilëve u premtoi se do ta kenë mbështetjen e plotë të tij dhe të Qeverisë së Kosovës në realizimin e të gjitha projekteve që janë me interes për qytetarët dhe komunën e Gjakovës në përgjithësi.