-Sekretari i Shtetit te Iowas flet për bashkëpunimin me Kosovën në biznes dhe në bujqësi/
Iowa-SHBA, 29 Shkurt 2020-Gazeta DIELLI/ Delegacioni i kryetarëve të komunave të Kosovës i cili po qëndron në shtetin amerikan të Iowas, nën organizimin e Agjencisë për Zhvillim Rajonal-Qendër dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, u prit në takim edhe nga Sekretari i Shtetit, Paul Pate.
Ai e vlerësoi si shumë të rëndësishëm takimin me delegacionin nga Kosova, i cili përfaqësohet me kryetarë nga komunat e etnive të ndryshme të Kosovës, drejtori i Odës Amerikane si dhe drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Rajonal-Qendër.
“Biseduam për mundësitë e biznesit dhe të bujqësisë ndërmjet dy shteteve tona, si dhe për shkëmbimin e studentëve,” tha Sekretari i Shtetit Pate.
Në takimin në të cilin morri pjesë edhe Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal Emilia Rexhepi, kryetarët e komunave të Kosovës e njoftuan Sekretarin e Shtetit te Iowas për progresin e arritur në Kosovë, si dhe për potencialet ekonomike që ofrohen për bizneset amerikane.
Në njoftimin dërguar korrespondentit të Gazetës DIELLI në Prishtinë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thekson se, Delegacioni kosovar përbëhet nga kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, kryetari i Komunës së Shtimes Naim Ismajli, kryetari i Komunës së Obiliqit Xhafer Gashi, kryetari i Komunës së Ranillugut Vladica Aritonovic, kryetari i Komunës së Mamushës Abdulhadi Krasnic, kryetari i Komunës së Parteshit Dragan Petkovic, dy drejtorë komunalë nga Komuna e Graçanicës Milos Dimitrijevic dhe Dejan Jovanovic, si dhe Blerim Hasani, përfaqësues i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.
Kryetarët e komunave të Kosovës u takuan edhe me ligjvënësin e Shtetit te Iowas Zach Nunn, nga i cili morën mirënjohje për fuqizimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Iowas.