Nga Prishtina: Behlul Jashari/ PRISHTINË, 30 Qershor.-Kosova intensifikon përgatitjet për misionin faktmbledhës të Komisionit Evropian për procesin e liberalizimit të vizave, i cili mbërrin në muajin korrik. Përfaqësues të institucioneve të Kosovës janë takuar sot për të diskutuar për përgatitjet që po bëhen për pritjen e misionit faktmbledhës të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave.Në hapjen e takimit me përfaqësues të grupeve punuese teknike për procesin e liberalizimit të vizave nga të gjitha institucionet përkatëse, zëvendësministri i Integrimit Evropian, Ramadan Ilazi përsëriti se liberalizimi i vizave është prioritet kombëtar i qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe si i tillë tha se nënkupton përgjegjësi shtesë për të gjitha institucionet që të sigurohet përmbushja e detyrave të shtëpisë.“Komisioni Evropian është përgjigjur shpejt raportit të 5 qershorit të Republikës së Kosovës duke mbledhur një ekip të ekspertëve jashtëzakonisht të përgatitur mirë, të cilët do të qëndrojnë në Kosovë nga 13 deri 17 korrik”, tha Ilazi.
Ai vlerësoi se rëndësia e misioni vlerësues të KE-së është fundamentale, sepse raporti përfundimtar që do të hartohet pas kësaj vizite do të hap rrugë për hapat e ardhshëm për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.