-Kuvendi i Kosovës miraton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale/
-Miratohet Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për periudhën 2017-2021/
PRISHTINË, 18 Prill 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kuvendi i Kosovës miratoi sot me shumicë votash Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale.
Deputetët shqyrtuan dhe miratuan Propozim – Programin e Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2017, i cili edhe në debat nuk u përkrah nga opozita, derisa po vazhdon sot me axhendë 13 pikëshe seanca e ndërprerë në mungesë kuorumi në 11 prill, me votimin dhe shqyrtimin e pikave të mbetura, me disa plotësime.
Seanca vazhdoi me shqyrtimin dhe miratimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për periudhën 2017-2021 dhe të Rekomandimit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me Propozim-vendimin e datës 10 mars 2017 të Avokatit të Popullit për zgjedhjen e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit.
Kuvendi i Kosovës, i cili nesër zhvillon seancë tjetër të re, sot fillimisht kishte në axhendë votimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, si dhe të Propozim-rezolutës në lidhje me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe pse në sallën e seancës plenare kishte numër të mjaftueshëm deputetësh në procesin e votimit rezultoi se nuk kishte kuorum-vota të mjaftueshme për t’i kaluar.
Në vijim të seancës, për herë të parë shqyrtohet Projektligji për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave nga pjesët veriore të Kosovës, ndërsa është paraparë edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën përmbarimore, si dhe i atij për automjete.
Do të shqyrtohen edhe raportet e dy komisioneve parlamentare: Raporti i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë lidhur me zbatimin e Ligjit për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë, si dhe raporti i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini e Sport lidhur me Mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë.
Në axhendën e sotme të Kuvendit të Kosovës është edhe zgjedhja e një anëtar të Komisionit të Pavarur për Media.
Ambasadori amerikan Delawie përkrah miratimin e Ligjit të ri për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale
Ambasadori Amerikan në Kosovë Greg Delawie ka përkrahur miratimin e Ligjit të ri për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale,duke e vlerësuar si një hap konkret kundeër luftimit të korrupcionit.
“Me kalimin e ligjit mbi Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, kuvendi mori hap konrekt ne luftimin e korrupsionit. Lajm i shkelqyeshem(shume i mire)!”,shkruan Delawie, në Twitter.
Ky ishte edhe njëri nga ligjet për të cilat ambasadori amerikan Delawie kishte bërë thirrje për t’u miratuar, duke theksuar se kjo është e duhur për të luftuar korrupsionin.