-Presidenti Thaçi konsultime me partitë parlamentare për hapat që do t’i ndërmarrë pas shkarkimit të Qeverisë nga Kuvendi i Kosovës. Ka pyetur liderët politikë se cilët hapa i shohin si rrugëdalje nga situata e re politike, por gjithmonë duke pasur parasysh emergjencën shëndetësore të shkaktuar nga virusi COVID-19. Para takimit Kryeministri në detyrë, Kurti i ka dërguar letër Presidentit Thaçi/
PRISHTINË, 1 Prill 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot priti kryetarët e tre subjekteve më të mëdha politike parlamentare në takime të ndara konsultative për hapat që do t’i ndërmarrë pas shkarkimit të Qeverisë nga Kuvendi i Kosovës në javën e kaluar.
Në orën 10:00, Presidenti Thaçi e priti në takim konsultativ Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurtin.
Në orën 10:30, Presidenti Thaçi e priti në takim konsultativ Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën.
Në orën 11:00, Presidenti Thaçi e priti në takim konsultativ Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin.
Si rrjedhojë e masave të ndërmarra kundër virusit COVID19 dhe rekomandimeve të personelit shëndetësor për ta ulur rrezikun, për shkak të hapësirës së papërshtatshme për dhjetëra gazetarë, fotografë e kameramanë në Zyrën e Presidentit, Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit me Publikun është përkujdesur që mediave t’ua dërgojë pamjet vizuale dhe fotografitë e këtyre takimeve.
Presidenti Thaçi ka paralajmëruar se nesër do vazhdojë takimet me partitë tjera parlamentare.
Pas tre takimeve të sotme, në komunikatën e dërguar nga Presidenca theksohet:
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka filluar konsultimet me partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës për hapat që duhet të ndërmerren për tejkalimin e situatës së re politike të krijuar pas votimit të mocionit për mosbesim ndaj Qeverisë.
Presidenti Thaçi sot ka pritur në takime të ndara Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në dorëheqje, Albin Kurtin, Kryetarin e LDK-së, njëherësh ish-kryeministrin, Isa Mustafa, si dhe Kryetarin e PDK-së, njëherësh ish-Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin.
Presidenti Thaçi ka pyetur liderët politikë se cilët hapa i shohin si rrugëdalje nga situata e re politike, por gjithmonë duke pasur parasysh emergjencën shëndetësore të shkaktuar nga virusi COVID-19.
Presidenti Thaçi do të vazhdojë konsultimet me partitë tjera parlamentare edhe nesër.
Pasi të përfundojë konsultimet me partitë politike, Presidenti i Republikës së Kosovës do të ndërmarrë hapa në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet në fuqi, duke marrë parasysh përvojën dhe procedurat gjegjëse të deritashme, por edhe duke marrë parasysh vullnetin politik të shprehur nga partitë politike.
Në njoftimin e dërguar nga Kryeministria bëhet e ditur se, para takimit Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër Presidentit Hashim Thaçi, për temat që do të diskutoheshin sot në takim pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, ku ka theksuar se, “si kurrë më parë, Republika e Kosovës ka nevojë për një president që e respekton Kushtetutën, deri në çdo pikë e presje të saj.”
“Në këtë drejtim, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si dhe vetë praktika jaj e mëparshme në vitin 2017, e bëjnë të qartë se, pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit, e vetmja rrugë përpara është shpërndarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përputhje me Nenin 82.2 të Kushtetutës, dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme.”
“Prandaj, dëshiroj paraprakisht t’ju bëj të qartë, se çështja e vetme për të cilën do të bisedoj sot me ju, është se kur do të jetë koha më e përshtatshme për shpërndarjen e Kuvendit, duke marrë parasysh në veçanti gjendjen emergjente të shëndetit publik me të cilën po përballet Republika e Kosovës në këtë kohë. Kjo është një çështje që duhet të diskutojmë sa më shpejt që të jetë e mundur, si dhe një çështje për të cilën jemi të detyruar për t’i mbajtur qytetarët e Republikës, burimin e sovranitetin demokratik, vazhdimisht të informuar.
Ndërsa, për sa i përket interpretimeve të gabuara të nenit 95.5 të Kushtetutës, këtë temë të rëndësisë dytësore apo tretësore, mund ta lëmë për ndonjë ditë tjetër”, ka shkruan Kurti në letrën dërguar Thaçit.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa pas takimit me Presidentin Hashim Thaçi u shpreh se, “duhet marrë parasysh që mocionin e mosbesimit e kanë votuar 82 deputetë të Kuvendit të Kosovës, e që nënkupton se është shumica prej mbi dy të tretave, e cila ka të drejtë të ndryshojë edhe Kushtetutën”.
“Ne jemi për atë që të bëhet një qeveri e re duke ndjekur të gjitha procedurat kushtetuese dhe procedurën që e ka paraparë edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014”, tha kryetari i LDK, Mustafa, derisa ka shtuar se, “ne vlerësojmë se nuk është koha të shkohet në zgjedhje, për shkak të pandemisë”.
Pas takimit me Presidentin Hashim Thaçi, Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, u deklarua shkurt për median:
“Krejt çka kërkojmë është të respektohet kushtetuta. Vullneti i sovranit është ma legjitimi por kur jemi në situatën e pandemisë është hipokrizi për zgjedhje të jashtëzakonshme”.
Në 30 Mars 2020 , Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar ambasadorët e Kuintit dhe atë të BE-së në Prishtinë, për t’i informuar për hapat që do t’i ndërmarrë pas shkarkimit të Qeverisë Kurti nga Kuvendi i Kosovës në javën e kaluar.
Në këtë takim ishin Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ambasadori i Gjermanisë, Ambasadorja e Francës, Ambasadori i Italisë dhe Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Presidenti Thaçi u shpreh se “pas shkarkimit të Qeverisë nga Kuvendi i Kosovës, më 25 mars, do të marrë hapa gjithnjë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me ligjet e Kosovës dhe me detyrat si President i Republikës së Kosovës”.
Presidenti Thaçi shtoi se gjatë kësaj jave do të ketë konsultime me të gjitha partitë parlamentare, për t’i marrë sugjerimet dhe këshillat e tyre se cilën rrugë duhet ndjekur, duke u bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Ai ka thënë se si President i Republikës së Kosovës do të vendosë për opsionin më të mirë për të dalë nga situata në të cilën jemi futur, pas shkarkimit të Qeverisë së Kosovës.
Kreu i shtetit ka theksuar se Kosova ka nevojë për një qeveri që do të sjellë stabilitet, unitet sa më të madh politik dhe qytetar, që do të jetë gjithëpërfshirëse dhe e orientimit të qartë euroatlantik.
Në 25 Mars 2020, në mbrëmje, më shumë se një orë para mesnate, Kuvendi i Kosovës pas shumë debateve e replikave në seancën plenare, votoi me 82 vota pro, 32 kundër e 1 abstenim mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës të kryeministrit Albin Kurti. Mocioni ishte kërkesë me nënshkrimet e 44 deputetëve, propozuar nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës – partner i koalicionit qeverisës. Qeveria e Kosovës do vazhdojë punën si qeveri në detyrë deri në zgjedhje të reja e një qeveri të re, që sipas disa deklaratave mund të jetë edhe qeveri pa zgjedhje të reja.
Seanca e Kuvendit të Kosovës e zhvilluar në kushte jashtëzakonshme me maska e masa tjera mbrojtëse nga virusi COVID-19 ka nisur me praninë e 106 deputetëve, ndërsa në momentin e votimit në sallë ishin 117 deputetë.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës pasditen e 3 Shkurt 2020 u votua me 66 vota pro e 10 abstenime Qeveria e Republikës së Kosovës e kryeministrit Albin Kurti – liderit të Lëvizjes Vetëvendosje në bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, derisa opozita kishte braktisur sallën.