
Analizë nga Rafael Floqi /
A është e garantuar mbështetja amerikane?
Javët e fundit, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë hyrë në një fazë tensioni që nuk ishte parë për dekada. Vendimi i SHBA për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën pason një seri shqetësimesh për veprimet e qeverisë në detyrë, të udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti. Shtetet e Bashkuara kanë argumentuar se veprimet e qeverisë kanë rritur tensionet dhe kanë kufizuar aftësinë e SHBA-së për të bashkëpunuar në prioritetet strategjike. Ky vendim nuk është thjesht një çështje protokollare, por një paralajmërim i qartë se mbështetja e fuqive të mëdha ndaj shteteve të vogla është e kushtëzuar dhe e ndjeshme ndaj veprimeve të qeverive vendore.
Kurti dhe Grenell: një përplasje strategjike
Roli i Richard Grenell, Dërguarit të Posaçëm të SHBA për Ballkanin, ka qenë vendimtar në këtë përplasje diplomatike. Grenell ka qenë kritik i ashpër ndaj Kurtit, duke e quajtur atë një partner të pasigurt për Shtetet e Bashkuara. Ai ka theksuar se veprimet e qeverisë kosovare, veçanërisht operacionet policore në veri dhe përpjekjet për të hapur urën e Mitrovicës, kanë penguar stabilitetin dhe proceset e normalizimit me Serbinë. Në një postim publik, Grenell deklaroi se marrëdhëniet midis SHBA dhe Kosovës nuk kanë qenë kurrë më të ulëta, duke theksuar përgjegjësinë e Kurtit për tensionet rajonale.
Nga ana tjetër, Kurti ka mbrojtur politikat e tij, duke argumentuar se veprimet janë kushtetuese dhe ligjore dhe synojnë ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Kundërshtimi i krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe dhe refuzimi për të pranuar kandidatin e Listës Serbe për zëvendës-kryetar të Kuvendit pasqyrojnë një qasje, ku prioritet është mbrojtja e interesave kombëtare, edhe përballë presionit ndërkombëtar. Kurti ka theksuar se Kosova nuk mund të bëhet peng i një shteti të vetëm dhe se politika e jashtme duhet të mbrojë interesat kombëtare.
Pezullimi i Dialogut Strategjik: mesazh i qartë diplomatik
Vendimi i SHBA për pezullimin e Dialogut Strategjik ka qenë një paralajmërim i qartë për qeverinë e Kosovës. Ambasada amerikane ka shprehur se dialogu i pezulluar reflekton shqetësimet për veprimet që rrisin tensionet dhe destabilizojnë rajonin. Megjithatë, SHBA thekson se do të vazhdojë të jetë mik i ngushtë i popullit të Kosovës dhe mbështet partneritetin strategjik, duke nënvizuar nevojën për një partner që kupton rëndësinë e shmangies së veprimeve destabilizuese dhe ruajtjes së stabilitetit rajonal.
Reagimet politike brenda Kosovës kanë qenë të ndara. Opozita, veçanërisht PDK, ka cilësuar pezullimin “si dëmin më të madh politik, diplomatik dhe strategjik në historinë e shtetit të ri, duke theksuar se qeverisja e Kurtit ka cenuar besimin dhe partneritetin me aleatin më të madh strategjik.” Qeveria në detyrë, përmes zëdhënësit Përparim Kryeziu, ka mbrojtur veprimet e saj si të ligjshme dhe kushtetuese, duke argumentuar se “stabiliteti aktual është rezultat i sundimit të ligjit dhe largimit të vatrave të destabilitetit, përfshirë sulmet paramilitare në Banjskë dhe aktivitetet kriminale në veri”.
Shtetet e vegjël dhe presioni i fuqive të mëdha
Kosova, si një shtet i vogël dhe i ri, përballet me realitetin e presionit ndërkombëtar që është pjesë e natyrshme e politikës globale. Shtetet e vogla shpesh varen nga fuqitë e mëdha për mbështetje diplomatike, ekonomike dhe ushtarake. Kjo varësi sjell edhe një presion të vazhdueshëm për të përshtatur politikat e brendshme dhe të jashtme sipas pritshmërive të partnerëve strategjikë. Pezullimi i Dialogut Strategjik është një shembull i qartë se edhe marrëdhëniet historike dhe strategjike mund të rrezikohen nga veprime që perceptohen si destabilizuese.
Historikisht, Shtetet e Bashkuara kanë përdorur kombinime të presionit diplomatik, ekonomik dhe reputacional për të ndikuar vendimet e shteteve të vegjël. Rasti i Kosovës nuk është unik: Guatemala në 1954, Venezuela në 2019 dhe vendet e Ballkanit gjatë viteve ’90 tregojnë se SHBA shpesh vepron kur ka shqetësime për stabilitetin dhe interesat strategjike.
Kryeneçësia si mjet politik dhe diplomatik
Në këtë kontekst, koncepti i kryeneçësie bëhet vendimtar. Kryeneçësia nuk nënkupton arrogancë, por vendosmëri për të mbrojtur interesat kombëtare dhe sovranitetin. Veprimet e Kurtit, të cilat shpesh janë kritikuar nga Grenell dhe SHBA, reflektojnë një qasje ku shteti vendos integritetin dhe stabilitetin e brendshëm mbi presionin e jashtëm, duke ruajtur pavarësinë në vendimet e tij.
Shtetet e vogla, si Kosova, duhet të praktikojnë kryeneçësi të mençur, duke balancuar pavarësinë kombëtare me nevojën për partneritet strategjik. Vetëm kështu mund të shmangen tensionet e panevojshme dhe të ruhet besueshmëria ndërkombëtare.
Diplomacia si instrument stabilizues
Diplomacia mbetet mjeti kryesor për të menaxhuar marrëdhëniet me fuqitë e mëdha. Për Kosovën, kjo nënkupton komunikim të qartë dhe të hapur me SHBA, BE dhe fqinjët, duke negociuar prioritetet strategjike dhe duke shmangur keqkuptimet. Një diplomaci efektive gjithashtu kërkon fleksibilitet dhe aftësi për të negociuar kompromis pa sakrifikuar interesat kryesore kombëtare.
Mënyra se si Kosova menaxhon krizën politike të brendshme dërgon një mesazh të dyanshëm. Nga njëra anë, vendosmëria për sundim të ligjit dhe moslejimi i strukturave ilegale në veri, dërgojnë një mesazh të forcës se ligjit dhe sovranitetit, dhe është e duhura. Por nga ana tjetër, moskoordinimi i duhur nganjëherë me partnerët ndërkombëtarë dhe mungesa e fleksibilitetit diplomatik në situata të ndjeshme, mund të japë përshtypjen e një qeverisjeje që nuk gjithmonë vepron në harmoni me aleatët.
Kombinimi i kryeneçësisë dhe diplomacisë strategjike i mundëson Kosovës të shndërrojë presionin ndërkombëtar në dialog konstruktiv. Veprimet e SHBA duhet të interpretohen si paralajmërime për menaxhim më të kujdesshëm të politikave, jo si kërcënime për sovranitetin.
Dialogu Kosovë–Serbi dhe roli amerikan në stabilitetin rajonal
Marrëdhëniet Kosovë–Serbi mbeten një nga çështjet më të ndjeshme dhe vendimtare për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i nisur pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 2008, ka pasur për qëllim normalizimin e marrëdhënieve dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura si: integriteti territorial, pakicat etnike, dhe rrjetet infrastrukturore. Megjithatë, ky dialog shpesh ka hasur në pengesa politike, duke reflektuar jo vetëm tensionet historike, por edhe interesat gjeopolitike të aktorëve të jashtëm.
Një nga perceptimet e gabuara që duhet eliminuar është ideja se Perëndimi, përfshirë SHBA dhe BE-në, po favorizon Serbinë në këtë proces. Ky narrative shpesh përdoret në diskursin publik dhe politik për të minuar legjitimitetin e dialogut dhe për të krijuar tension mes Kosovës dhe partnerëve strategjikë. Në realitet, SHBA dhe BE synojnë të ruajnë stabilitetin rajonal dhe integritetin e shteteve të reja, duke u përpjekur që Serbia të tërhiqet nga ndikimi destabilizues i Rusisë dhe të integrohet në mekanizmat euro-atlantikë.
Kosova përgjatë shumë viteve nga pavarësia e saj, ka bërë hapa pozitiv drejt konsolidimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Megjithatë, mungesa e njohjes nga disa vende të rëndësishme (si pesë shtete të BE-së) dhe po ashtu disa pengesa dhe vonesa në proceset integruese dhe antarësime në organizata ndërkombëtare vazhdojnë të kufizojnë fuqinë dhe pozicionin e Kosovës në arenën globale.
Përveç marrëdhënieve me SHBA, Kosova përballet me sfida të tjera strategjike: integrimi në BE dhe marrëdhëniet me Serbinë. Çdo veprim i papërshtatshëm ose konfrontues mund të rrezikojë procesin e integrimit dhe stabilitetin rajonal. Qeveria kosovare duhet të balancojë përparësitë evropiane, sigurinë rajonale dhe sovranitetin kombëtar, duke përdorur diplomacinë për të komunikuar qëllimet dhe për të shmangur keqkuptimet ndërkombëtare.
Roli gjeopolitik i SHBA-së: tërheqja e Serbisë nga Rusia
Që nga fillimi i krizës ukrainase dhe përshkallëzimi i tensioneve SHBA–Rusi, Ballkani Perëndimor ka fituar rëndësi strategjike. SHBA ka ndjekur një politikë të dyfishtë:
Mbështetje e fortë për Kosovën, duke garantuar sovranitetin e saj dhe integritetin territorial.
Dialog konstruktiv me Serbinë, për të ulur ndikimin rus në rajon dhe për të integruar vendin në mekanizmat euro-atlantikë.
Në këtë kuadër, çdo përpjekje për të interpretuar ndihmën perëndimore si favorizim për Serbinë është jo vetëm e pasaktë, por edhe e rrezikshme. Ajo mund të dobësojë besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës dhe të pengojë avancimin e dialogut. SHBA ka qartësuar se marrëdhëniet e Kosovës me aleatët strategjikë nuk janë kompromis për ndonjë ndikim të jashtëm, por pjesë e një strategjie për stabilitet rajonal.
Kurti dhe opozita
Nëse dikush thotë se Kurti është pro-rus dhe pro-serb vetëm pse refuzon kompromiset e serviruara të disa aleatëve me Serbinë, atëherë ai duhet të pranojë një të vërtetë të pakundërshtueshme: Thaçi është pro-perëndimor, anti-serb dhe “atdhetar”, sepse pranoi ndarjen e Kosovës midis Serbisë dhe Shqipërisë. Kjo hedh dritë edhe mbi akuza të kota si ajo e Vlora Citakut se “Kurti ka acaruar marrëdhëniet me Shqipërinë”! Vlora e di shumë mirë se arsyeja e vërtetë është politika grabitqare e aleatit të saj, Edi Rama: përpjekja për ndarjen e Kosovës, mbështetja e hapur ndaj pretendimeve serbe mbi tokat tona, arroganca në Open Balkan dhe qëndrimet e tij kundër sovranitetit të Kosovës. Ajo duhet të kujtojë nëntorin e vitit 2018, kur Rama i tha Haradinajt “Gomar”, ndërsa Haradinaj i quanin Thaçin dhe Ramën “Trathtar”! Opozita duhet ta vendosë qartë: ose Kurti është “tradhtar”, ose eksponentët e saj janë “tregtarë” të trojeve të Kosovës. Të dyja nuk mund të bashkëjetojnë.
Strategjitë për eliminimin e perceptimeve të gabuara
Për të forcuar dialogun Kosovë–Serbi dhe për të parandaluar dezinformimin, qeveria kosovare mund të ndërmarrë disa hapa strategjikë:
Transparenca publike – Informimi i qytetarëve mbi qëllimet e dialogut dhe rolin e SHBA-së, duke theksuar mbështetjen për sovranitetin e Kosovës.
Diplomacia proaktive – Përdorimi i kanaleve diplomatike për të komunikuar rëndësinë e integrimit euro-atlantik të Serbisë dhe për të minimizuar ndikimin rus.
Bashkëpunimi rajonal – Përforcimi i projekteve ekonomike dhe infrastrukturore me fqinjët, duke krijuar ndërvarësi pozitive që i pengon Serbisë të largohet nga rruga euro-atlantike.
Mediat dhe edukimi publik – Luftimi i narrativave populiste që e paraqesin Perëndimin si mbështetës të Serbisë, duke përçuar mesazhin se SHBA dhe BE mbrojnë interesat e të gjithë rajonit.
Dialogu si instrument politik dhe diplomatik
Dialogu Kosovë–Serbi nuk është thjesht një bisedë për çështje teknike; ai është një instrument strategjik për stabilitet dhe paqe. Roli amerikan është thelbësor për të garantuar që Serbia të mos krijojë aleanca destabilizuese me Rusinë, ndërkohë që Kosova ruan sovranitetin e saj. Një dialog i mirëmenaxhuar mund të shërbejë si model për shtetet e vogla që përballen me presionin e fuqive të mëdha: të balancojnë pavarësinë kombëtare me nevojën për mbështetje strategjike.
Në këtë kuadër, kritikat që akuzojnë Perëndimin për favorizim të Serbisë janë jo vetëm të pasakta, por edhe të dëmshme. Ato minojnë besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës dhe dobësojnë potencialin e saj për të negociuar marrëveshje të qëndrueshme dhe afatgjata.
Mësime për shtetet e vegjël
Situata e Kosovës tregon disa mësime të rëndësishme për shtetet e vegjël:
Mbështetja e fuqive të mëdha nuk është absolute – ajo është e kushtëzuar nga veprimet dhe sjellja e qeverive lokale.
Kryeneçësia është thelbësore, por duhet të kombinohet me diplomaci të mençur.
Diversifikimi i partnerëve është strategjik: mbështetja ekskluzive nga një aleat mund të bëhet e rrezikshme nëse marrëdhëniet tensionohen ndaj forcimi i lidhjeve me Shqipërinë( me gjithë qëndrimin paternalist të Ramës dhe teoritë sorosiane të Ballkanit të hapur), me Turqinë, Kroacinë, tashmë disi të harruara pas Presidencës Trump) dhe natyrisht me BE-në ka rëndësi pas SHBA-së.
Transparenca dhe dialogu publik janë mjete efektive për të ruajtur besueshmërinë ndërkombëtare. Institucionet e forta dhe sundimi i ligjit rrisin besueshmërinë dhe reduktojnë ndikimin destabilizues të aktorëve të jashtëm.
Përfundim
Roli i SHBA-së në Ballkan, veçanërisht në dialogun Kosovë–Serbi, është një kombinim i mbështetjes së sovranitetit të Kosovës dhe politikës gjeopolitike për të tërhequr Serbinë nga Rusia. Për Kosovën, sfida qëndron në menaxhimin e dialogut me diplomaci dhe kryeneçësi, duke shmangur perceptimet e gabuara që mund të dobësojnë pozicionin e saj ndërkombëtar.
Për të arritur stabilitet të qëndrueshëm, Kosova duhet të përdorë transparencën, diplomacinë proaktive dhe bashkëpunimin rajonal si mjet strategjik për të ruajtur sovranitetin dhe për të garantuar që dialogu me Serbinë shërben si instrument për paqe, jo si mjet për destabilizim. Në këtë mënyrë, perceptimet e gabuara mbi favorizimin e Serbisë nga Perëndimi mund të zëvendësohen me një narrativë të bazuar në fakte dhe strategji të qëndrueshme rajonale.
Vendimi i SHBA për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, përplasja midis Kurtit dhe Grenell, dhe reagimet e opozitës dhe qeverisë, tregojnë qartë delikatesën e politikës së jashtme për shtetet e vogla. Kosova duhet të praktikojë një balancim të kujdesshëm midis kryeneçësisë dhe diplomacisë, duke mbrojtur interesat kombëtare dhe sovranitetin, por duke ruajtur besueshmërinë dhe partneritetin me fuqitë strategjike.
Në këtë sfond, Kosova mund të kthejë presionin ndërkombëtar në një mundësi për dialog konstruktiv dhe avancim të stabilitetit rajonal, duke treguar se një shtet i vogël mund të jetë i fuqishëm dhe i pavarur në mënyrë strategjike.