-AMBASADORI AMERIKAN NË PRISHTINË, PHILIP KOSNETT: TË PËRKUSHTUAR PËR TA NDIHMUAR KOSOVËN-
-Qeveria e Kosovës do të hartojë Strategjinë Kombëtare për Zhvillim për 10 vjetët e ardhshme. U mbajt takimi i Forumit të Donatorëve për Rimëkëmbje Ekonomike, pjesëmarrës ishte edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett/
PRISHTINË, 28 Gusht 2020-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, mori pjesë në takimin virtual të Forumit të Donatorëve për Rimëkëmbje Ekonomike, në të cilin pjesëmarrës ishin edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Riccardo Serri, si dhe përfaqësuesit e vendeve donatore prezente në Kosovë, të agjencive zhvillimore dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.Takimi kishte për qëllim diskutimin për qasjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe donatorëve për të financuar rimëkëmbjen ekonomike të vendit, të nevojshme pas pandemisë së Covid-19.
Gjatë takimit, kryeministri Hoti shpalosi vizionin afatgjatë të Qeverisë së Kosovës për rimëkëmbjen ekonomike dhe për përfshirjen e donatorëve në financimin e prioriteteve të vendit.
Ndihma e menjëhershme e mobilizuar nga donatorët nëpërmjet projekteve, përkrahjes së buxhetit të vendit dhe huave për investime, me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike gjatë vitit 2020 dhe e planifikuar për vitin e ardhshëm, arrin mbi 400 milionë euro.
Qeveria e Kosovës do të hartojë Strategjinë Kombëtare për Zhvillim për 10 vjetët e ardhshme, e cila do të jetë orientuese për reformat dhe objektivat afatgjate të vendit për zhvillim të qëndrueshëm, në përputhje me aspiratat për integrim evropian të vendit.
Për të mundësuar rimëkëmbjen ekonomike, do të hartohet një plan më i detajuar i investimeve më të rëndësishme për 5 vjetët e ardhshëm, i cili do të financohet nga buxheti i vendit, donatorët dhe në bashkëpunim me sektorin privat.Qeveria e Kosovës dhe donatorët do të vazhdojnë koordinimin e tyre të rregullt nëpërmjet diskutimeve sektoriale për objektivat e përbashkëta që do të financohen bashkërisht, duke synuar të rritet sinergjia, efiçenca dhe efikasiteti gjatë zbatimit dhe të eliminohen pengesat e shfaqura për zbatimin e fondeve të donatorëve.
AMBASADORI AMERIKAN NË PRISHTINË, PHILIP KOSNETT: TË PËRKUSHTUAR PËR TA NDIHMUAR KOSOVËN-
-Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë Forumit për bashkërenditjen e donatorëve për rimëkëmbje ekonomike, 28 gusht 2020/Kryeministër Hoti, zëvendës-kryeministra, ministra, kolegu im z. Serri, kolegë të tjerë nga komuniteti diplomatik dhe i donatorëve, mirëdita.Forumi i nivelit të lartë për bashkërenditjen e donatorëve, që mbahet nën udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës, na mbledh çdo vit për të bashkërenditur ndihmën nga donatorët dhe prioritetet strategjike të Qeverisë së Kosovës. Këtë vit po mblidhemi në mënyrë virtuale, në rrethana të jashtëzakonshme. Asnjë vend nuk i ka të gjitha përgjigjet për sfidat tona të përbashkëta dhe është jetike që të vazhdojmë të vëmë dijeninë në dispozicion dhe të shkëmbejmë idetë përderisa vazhdojmë tutje.Çdo vend po përballet me sfidën si të sigurojë më shumë resurse për të adresuar nevojat urgjente mjekësore, si dhe si të rimëkëmbë dhe forcojë ekonominë. Kjo nuk është „lojë e shumës zero”, ku njëri fiton e tjetri humb. Menaxhimi i pandemisë shkon krah për krah me përgatitjet për rimëkëmbjen ekonomike. Vënia nën kontroll e kërcënimit që vjen nga virusi dhe sigurimi i shëndetit të komunitetit është parakusht i rimëkëmbjes ekonomike. E rimëkëmbja e plotë ekonomike nuk do të jetë e mundshme nëse dështon menaxhimi i pandemisë.Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare mbesin të përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën. Përderisa SHBA-ja po i mobilizon forcat e saj shkencore dhe industriale, gjithnjë e më shumë kemi mundësi që t’i japim Kosovës pajisje dhe furnizime, duke plotësuar kështu kontributet e vazhdueshme financiare dhe ndihmën teknike.Këto Forume për bashkërenditjen e donatorëve të jashtëm mund të jenë mënyrë efikase e renditjes së prioriteteve ashtu që resurset e pakta – ato të Kosovës, por edhe ato të siguruara nga partnerët ndërkombëtarë – të shfrytëzohen në mënyrë efikase. Duhet të përmirësojmë komunikimin, t’ju japim përparësi nevojave dhe të sigurojmë fundin e „pazarit për donatorë”.
Edhe pse ne, ndërkombëtarët mund të ofrojmë pajisje dhe të shkëmbejmë ekspertizën tonë, as ne nuk kemi shkop magjik në mesin e veglave tona. Prandaj, aftësia e qeverisë për ta menaxhuar kërcënimin nga COVID-i më shumë varet nga mobilizimi dhe bashkërenditja e resurseve vendore dhe fuqisë së popullit se sa nga
ndihma nga jashtë. Qeveria duhet të jetë në gjendje të shfaqë vendosmëri për plane të hollësishme që ato të funksionojnë dhe këtu përfshihet mobilizimi i resurseve vendore dhe bashkërenditje më të mirë ndër-ministrore.
E partitë politike duhet të vënë nevojat e popullit mbi ato të politikës së përditshme, duke u përqendruar në miratimin e shpejtë të ligjeve ekonomike dhe duke i lënë anash shkarjet e zakonshme në sherre provinciale.
Do ta përmbylli këtë duke theksuar sërish se edhe pse qeveria duhet t’i prijë betejës, luftimi i COVID-it është detyrë e çdo qytetari. Kur Kosova u godit nga pandemia, qytetarët, bizneset dhe organizatat ishin ndër të parat që reaguan. Plani i qeverisë për rimëkëmbje ekonomike mund të shërbejë si shtytës për angazhim domethënës me qytetarët, organizatat dhe sektorin privat për të shfrytëzuar resurset që ekzistojnë tashmë në Kosovë.
Populli i Kosovës është i famshëm për energjinë dhe zgjuarsinë. Këto janë armët tuaja të fshehta.
Ju faleminderit për kohën tuaj dhe le t’i shfrytëzojmë sa më mirë mundësitë që na i ofron kjo konferencë.