-Linja interkonektive e tensionit të lartë 400 kV deri në kufi, e cila lidhë nënstacionet Kosova B dhe Tirana 2, nëpër territorin Kosovar kalon në zonat e 8 komunave – Obiliq, Vushtrri, Drenas, Malishevë, Rahovec, Gjakovë, Deçan e Junik dhe të mëse 45 fshatrave/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 13 Dhjetor 2015/ Kosova përfundon “autrstradën” energjetike drejt Shqipërisë, nesër do të bëhet energjizimi testues i linjës interkonektive të tensionit të lartë 400 kV deri në kufi, e cila lidhë nënstacionet Kosova B dhe Tirana 2, duke kaluar nëpër territorin kosovar në zonat e 8 komunave – Obiliq, Vushtrri, Drenas, Malishevë, Rahovec, Gjakovë, Deçan e Junik dhe të mëse 45 fshatrave.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-KOSTT në njoftimin e dërguar bën të ditur se në linjën energjetike 400 kV Kosovë-Shqipëri, në pjesën kosovare, në momentin e energjizimit testues mund të paraqiten fenomene që mund të paraqesin rrezik nga tensioni i lartë për qytetaret, prandaj duhet patur kujdes gjatë lëvizjeve në afërsi të linjes në lokalitetet nga kalon. KOSTT është kompani publike që merret me planifikimin, zhvillimin, mirëmbajtjen dhe operimin e sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë.
Në linjën interkonektive 400 kV Kosovë- Shqipëri, në pjesën kosovare në fund të muajit shtator u përfundua me ngritjen e të gjitha shtyllave elektrike. Ngritja e shtyllës së fundit elektrike, 239, u bë pranë kufirit në Qafë Morinë, ndërkohë që ishin shtruar mbi 50 km përçues elektrikë.
Kosova dhe Shqipëria në vitin 2016 inaugurojnë “autostradën” energjetike, paralajmëronte kryeministri kosovar Isa Mustafa, i pyetur nga korrespondenti në Prishtinë në një konferencë për shtyp në verë, muajin gusht, ku ka folur edhe për bashkëpunimet në fushën e energjetikës e të tjera.
“Rrjeti energjetik mendojmë se vitin e ardhshëm duhet të aktivizohet. Sivjet presim që të kryhen të gjitha punimet në pjesën tonë, edhe në pjesën e Shqipërisë kryhet vitin e ardhshëm dhe do e inaugurojmë”, ka theksuar kryeministri kosovar Mustafa.
Kreu i qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se, është duke u punaur që të sigurohet edhe tregu i përbashkët i energjisë elektrike, që të bëhet këmbimi i saj.
Që para fillimit të punimeve, në fazat e përgatitjeve, burimet në Prishtinë kanë njoftuar se projekti për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë- Shqipëri konsiston në ndërtimin e një linje te tensionit të lartë me gjatësi rreth 238 km, prej së ciles 85.5 km në territorin e Kosovës dhe 153.5 km në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Në 21 dhjetor të vitit 2013, në praninë e ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ministrit të atëhershëm të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë në atë kohë, Peter Blomeyer, në hapësirat e Lidhjes Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë- Shqipëri.
Në 10 mars 2015, ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, dhe ministri Kosovar i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, të shoqëruar edhe nga drejtuesit e operatorëve të transmisionit dhe rregullatorëve të energjisë të të dyja vendeve, kanë vizituar nënstacionin 400/220kV – Kosova B në Obiliq, ku janë njoftuar për së afërmi me punën që po bëhej për realizimin e interkoneksionit Kosovë-Shqipëri.
Me atë rast u theksua se ecuria e mirë e punimeve në ndërtimin e linjës 400 kV Kosovë- Shqipëri, ku 1/3 e projektit ishte përfunduar, rriste pritshmëritë se deri në fund të këtij viti do të përfundonte pjesa nga Kosova dhe deri në pranverën e vitit të ardhshëm edhe pjesa e Shqipërisë.
***
Energjizimi testues – linja interkonektive 400 kV NS Kosova B – NS Tirana 2, deri në kufi me Shqipërinë
KOSTT sh.a njofton qytetarët që me datë 14 Dhjetor 2015 (E Hëne) do të bëhet energjizimi testues i linjës së re interkonektive të tensionit të lartë 400 kV, që lidhë nënstacionet NS 400/220 kV Kosova B me NS Tirana 2, deri në kufi me Shqipërinë.Linja në fjalë shtrihet nga NS 400/220 kV Kosova B përgjatë zonave kadastrale:
Obiliq nëpër fshatrat: Obiliq, Milloshevë dhe Plemetin.
Vushtrri nëpër fshatrat: Prelluzhë, Bivolak, Strofc dhe Zhilivodë
Drenas nëpër fshtrat: Gradice, Gllanaselle, Çikatovë e vjetër, Gllobar, Çikatovë e re, Domenek, Krajkovë, Llapushnik, Negroc dhe Arllat.
Malisheve nëpër fshatrat: Balincë, Vërmicë, Carallugë, Burim, Gurëbardhë, Lashkidrenoc, Dragobill dhe Shkaroshnik
Rahovec nëpër fshatrat: Zatriq, Pastasell, Polluzhë, Dobidollë dhe Qifllakë.
Gjakovë nëpër fshatrat: Doblibarë, Meqë, Bec, Kodroli, Zhdrellë, Janoshë, Pahibardhë, Novo Sel e Epërme, Dobrigj, Hereç, Sheremet, Batush, Nirokaz, Molliq dhe Brovinë.
Deçan nëpër fshatin Gramaçel si dhe përgjatë zonës kadastrale Junik deri në kufi me Shqipërinë.
KOSTT sh.a lut qytetarët që gravitojnë në këto vendbanime të kenë kujdes gjate lëvizjes në afërsi të linjës energjetike 400 kV Kosovë-Shqipëri deri në kufirin me Shqipërinë, pasi që në momentin e energjizimit testues mund të paraqiten fenomene që mund të paraqesin rrezik nga tensioni i lartë për qytetaret. Po ashtu njoftohen qytetarët për respektimin e kufizimeve brenda servitutit, konform ligjeve, në lidhje me ndërtimet, kultivimin e gjelbërimit të lartë.