-Sot u mbushën 15 vjet nga mbyllja dhe dëbimi i dhunshëm i gazetës tradicionale e historike të Kosovës Rilindja/-“Zbatohet vendimi i UNMIK-ut për largim nga Pallati i Rilindjes – Gazeta ‘Rilindja’ detyrimisht ndërpret botimin derisa t’i sigurohet lokali i ri i punës”, theksonte në ballinë gazeta në numrin e fundit të përdishëm para 15 viteve, në 21 shkurt 2002/
PRISHTINË, 21 Shkurt 2017/ Sot u mbushen plot 15 vjet nga 21 shkurti 2002, ditës kur administrata e UNMIK detyrimisht mbylli gazetën tradicionale e historike të Kosovës Rilindja me dëbim prej shtëpisë së saj, të kundërligjshëm dhe të dhunëshëm.
Gazeta Rilindja kërkoi të drejtën edhe me padi në gjykatë e edhe duke nxjerrë rreth 40 numra protestues të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm.
“Zbatohet vendimi i UNMIK-ut për largim nga Pallati i Rilindjes – Gazeta ‘Rilindja’ detyrimisht ndërpret botimin derisa t’i sigurohet lokali i ri i punës”, theksonte në ballinë gazeta në numrin e fundit të përdishëm para 15 viteve, në 21 shkurt 2002. Atë ditë, administratori i UNMIK-ut në orën 16:00 ndërpreu edhe energjinë elektrike pasi kohë më parë na e kishte ndërprerë edhe ujin në vazhdimësi të presioneve për të dëbuar Gazetën Rilindja nga Pallati i saj e që edhe mban emerin e saj. Pallatin Rilindja aministrata e UNMIK e mbylli edhe me grila hekuri për t’u pamundësuar hyrjen gazetarëve dhe punëtoreve të tjerë të gazetës.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, me punën e gazetarëve e punonjësve tjerë të saj nëpër shtëpa si në kohën e luftës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e kohëpaskohëshme në 30 dhjetor 2008, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”.
Në kushte të jashtëzakonshme, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, për shpalljen e Pavarësisë para 9 viteve në 17 Shkurtin historik nuk arriti të dalë të nesërmen, por në 22 Shkurt 2008 doli numër festiv me kryetitullin: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.
Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.
“Dita e 17 Shkurtit 2008 e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës është dita më e madhe në historinë e shqiptarëve, pas ditës së 28 Nëntorit 1912 të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Edhe pse në një distancë të largët kohore prej 95 vjetësh, duket se po ndodh diç e afërt nga ajo që është dashur të ndodh që atëherë me përfshirjen edhe të Kosovës në pavarësinë shqiptare. Pavarësia po ndodh në kushte krejt të reja e pas shumë sakrificave e ecjeve rrugës së gjatë që na solli në cakun më madhor: të rrugës së afërt të Kosovës, shtetit më të ri, dhe Shqipërisë shtet gati një shekull, drejt Bashkimit Evropian”, shkruante në ballinë Rilindja.
Lart te logoja po në faqen e parë gazeta historike shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.
Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 72 vitesh, në 12 shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.
Në një vend normal, të lirë e demokratik, të sundimit të ligjit e të drejtësisë, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në këtë 12 shkurt 2017 do të festonte 72 vjetorin.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 15 shkurtit 2005 mori vendim për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin – anulimin e kontratës për renovim të Pallatit të Rilindjes të uzurpuar, “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”, ndërsa për ta shndërruar në ndërtesë qeveritare i rifillloi në 7 nëntor 2008 duke siguruar për zgjidhjen e ligjshme që do bëhet edhe për gazetën Rilindja edhe për punëtorët e saj, por që ende nuk u bë.
Zgjidhja për Rilindjen, që ka statusin e ndërmarrjes shoqërore, pritet e kërkohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës, pa u ndërlidhur me objektin e saj të shpronësuar, që tash është ndërtesë qeveritare, është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin.
Në arsyetimin e kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 shkurt 2014. “Kompensimi i punëtorëve në procesin e likuidimit të Ndërmarrjes Shoqërore Gazetare Rilindja, për dëbimin kolektiv nga puna dhe dëmet”, është kërkesa tjetër drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në shkresën e 21 shkurt 2014.
Një e drejtë tjetër e garantuar me ligj për punëtorët e gazetës Rilindja, por që ende nuk u realizua, është pagesa e 20 përqindëshit të vlerës së çdo prone, përfshirë Arkivin e Rilindjes, pasuri e madhe e gazetës tradicionale dhe kombëtare, për dërgimin e të cilit në Arkivin e Kosovës kemi nënshkruar marrëveshjen në 29 janar 2007 bashkë me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit – tash Privatizimit, duke pasur për këtë edhe vendimin me shkrim të Kryeministrit të Kosovës.
Para 12 vitesh, në vitin e 60 vjetorit, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, në 3 Maj 2005, gazeta Rilindja në numrin e jashtëzakonshëm protestues në ballinë shkruante në kryetitull: “Gazeta Rilindja e drejtë e shkelur”. Poashtu në ballinë theksonte: “Rilindja në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit ka këtë mesazh: Në Kosovë nuk ka liri shtypi derisa ka gazetë të mbyllur e të dëbuar padrejtësisht nga autoritetet”. Ky mesazh proteste është edhe i ditës së sotme dhe i gjithëmonëshëm derisa të ridalë e përditshmja Rilindja.
Behlul Jashari
Kryeradaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes (Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja sipas Statutit nuk ka drejtor, por vetëm kryeredaktor i cili e menaxhon dhe përfaqëson)