-Agjencia Kosovare e Privatizimit fiton procesin gjyqësor ballë kompanisë ESBI nga Irlanda/
PRISHTINË, 19 Qershor 2018-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Agjencia Kosovare e Privatizimit bëri të ditur sot se e ka fituar në të dy shkallët procesin gjyqësor që është zhvilluar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës me kompaninë ESBI nga Republika e Irlandës.
Kolegji i Ankesave i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës ka lëshuar Aktgjykimin, me të cilën ka refuzuar ankesën e paditësit ESBI Consultants Limited nga Republika e Irlandës, me çka ka vërtetuar Aktgjykimin e lëshuar nga Kolegji i Specializuar i po kësaj Gjykate që e ka refuzuar si të pabazuar padinë e ESBI-së.
ESBI Consultants Limited, kompani e regjistruar në Irlandë, ishte e angazhuar në menaxhimin e Korporatës Energjetike të Kosovës në vitet 2004-2006 përmes një kontrate të lidhur me ish-Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, që tash është Agjenci Kosovare e Privatizimit.
Në 26 qershor 2008 ESBI kishte ushtruar padi ndaj ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit për, siç thuhej në padi, mospërmbushje të detyrimeve ndaj saj për angazhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Vlera e kontestit ka qenë 4,945,128.83 euro, ndërsa duke llogaritur pretendimet e ankuesit në interes (kamatë) nga viti 2006 e deri më tani, në vlerë totale i bie afër 10 milionë euro.Përgjatë një procesi të gjatë gjyqësor, Agjencia Kosovare e Privatizimit në të dy shkallët e Dhomës së Posaçme e ka fituar kontestin gjyqësor duke e kursyer kështu Buxhetin e Kosovës për rreth 10 milionë euro nga dënimet potenciale.Ky është edhe një rast i fituar i Agjencisë Kosovare të Privatizimit në betejat ligjore në mbrojtje të interesave të ndërmarrjeve të Kosovës.