Kryeministri Hoti: Emocion i veçantë të vizitohet burgu i ideve/
Prishtinë, 12 Qershor 2020-Gazeta DIELLI/
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në hapjen për vizitorë të ish-Burgut të Prishtinës, i cili në të ardhmen do të shndërrohet në muze, aktivitet ky që u zhvillua në patronazhin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me rastin e shënimit të 21-vjetorit të lirisë të Kosovës.
I shoqëruar nga anëtarë të kabinetit qeveritar, kryeministri Hoti ka vizituar qelitë nëpër të cilat kanë kaluar rreth 20 mijë burra e gra shqiptarë, të torturuar e të keqtrajtuar në mënyra të ndryshme.
Gjatë vizitës në hapësirat e ish-Burgut të Prishtinës, kryeministri Hoti ka dëgjuar nga afër rrëfimet e ish-të burgosurve politikë, të cilët u kanë mbijetuar torturave të regjimit jugosllav.
“Është ndjejnë e veçantë dhe e përjeton plotësisht kur hyn nga një qeli në tjetrën, duke dëgjuar rrëfime të veçanta nga ministrja, familjarët e së cilës kanë kaluar nëpër këto burgje dhe nga gjithë të tjerët ish-të burgosur, veprimtarë që na rrëfejnë sot përjetimet e gjalla. Vërtet është tepër emocionuese për mua dhe për gjithë këta që janë sot prezent”, tha kryeministri Hoti, i cili ka përgëzuar ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, për punën e bërë.
Kryeministri Hoti theksoi se ky është vendi, siç e kishin shkruar në njërën nga pllakatet “Burgu i ideve”, i njerëzve që e kanë brumosur së pari idenë për shtetin e pavarur të Kosovës, që ka evoluar pastaj në demonstratat e ’68, ’81, ’89, pastaj luftën e armatosur, përpjekjet për liri e pavarësi, dhe për lirinë që e gëzojmë sot.
“Ministre ju përgëzoj sinqerisht dhe gjithë burrat e gratë që sot janë bashkë me ne për të ndarë emocionet dhe përjetimet e tyre në këtë burg. Le të jetë kjo një qendër ku qytetarët e Kosovës dhe gjithë ata që dëshirojnë ta përjetojnë atë që kanë kaluar këta burra e gra nëpër këto burgje. Janë përjetime të jashtëzakonshme”, tha kryeministri Hoti, duke thënë se të gjithë duhet të gjejnë kohë dhe ta vizitojnë këtë vend.
Më pas, kryeministri Hoti në hyrje të ish-Burgut të Prishtinës, ka vendosur mbishkrimin: “Emocion i veçantë të vizitohet burgu i ideve. 20 mijë burra e gra kanë kaluar përmes këtij burgu”.