Nga Prishtina: Behlul Jashari/
Ne Foto:Gazetari Zenun Celaj/
– Kosova para 25 vitesh me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 shpallte pavarësinë e saj, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik. Gazetari Zenun Çelaj tregon: Unë e daktilografova Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, dorëshkrimin e Gazmend Zajmiit e dogjëm.
Zenun Çelaj:/
Tani çdo gjë duket si një tregim nga ndonjë autor me imagjinatë të pasur, ndërsa një çerek shekulli nga koha kur ndodhi Deklarata Kushtetuese, për gjeneratat e reja jo aq të informuara, ose jo aq të interesuara për ngjarjet historike, tani është vetëm një datë.
Megjithëkëtë Deklarata e 2 Korrikut të vitit 1990 po fiton peshën historike që i takon realisht.
Asaj i paraprinë shumë zhvillime në radhët e Alternativës Shqiptare, siç nisën ta quanin atëherë lëvizjen e rezistencës së shqiptarëve. Kështu e quanin jo vetëm ithtarët e rezistencës paqësore ndaj synimeve serbe për t’i kthyer shqiptarët në qytetarë të rendit të dytë, por edhe vetë shqiptarët. Ishin protestat gjithëpopullore të vitit 1988 e 1989, Greva e Urisë e minatorëve të Trepçës (20-28 shkurt ’89), “Apeli 215” i intelektualëve, që u quajt kështu sipas numrit të nënshkruesve (mars 1989), dorëzimi i librezave partiake të gazetarëve të “Rilindjes” (më 30 janar 1990), që i priu zhbërjes së Organizatës së lidhjes Komuniste në Kosovë, helmimet masive të nxënësve shqiptarë nëpër shkolla, Deklarata mbi Çështjet Kushtetuese të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (14 qershor 1990), pastaj Deklarata e Forumit Demokratik (përbëhej nga përfaqësuesit e të gjitha partive dhe shoqatave të shqiptarëve) me të cilën u kërkohej deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mbronin pozitën kushtetuese, autonominë e Kosovës sipas Kushtetutës së RSFJ nga viti 1974, vrasjet e shqiptarëve, arrestimet e dënimet.
Por Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 ka një parahistori para se ajo të arrinte në duart e delegatëve të Kuvendit të Kosovës (delegatë quheshin deputetët). Rastësisht jam protagonist i kësaj historie, kjo falë miqësisë që kisha me akademikun Gazmend Zajmi, një personalitet jo vetëm me njohuri të thella juridike dhe të të drejtës kushtetuese, por edhe me sensin për të vlerësuar momentin. Ishte koha kur në fakt ishte suprimuar autonomia e Kosovës dhe rrezikohej e gjithë ekzistenca kombëtare. Derisa po shëtisnim në korzonë e Prishtinës më thotë se do të ishte mirë që delegatët të miratonin një deklaratë kushtetuese, me të cilën do të anulonin ndryshimet e bëra arbitrarisht nga Serbia. “Si gazetar që je, mund të kesh ndonjë delegat që mund t’i besosh”, më tha, “i cili do të mund ta fuste në procedurë kuvendare (pra parlamentare) një deklaratë kushtetuese”. Kur ia pohova mundësinë, e lamë që të nesërmen të ma dorëzonte tekstin e saj dhe u takuam në shtëpinë time. Ai e kishte hartuar me dorë tekstin, ndërsa unë e daktilografova. Kishte përfshirë gjashtë pikë. Pas diktimit dorëshkrimin e tij e dogjëm. Nuk deshëm të lëmë gjurmë që do ta penalizonin Gazmendin, i cili më herët kishte pasur disa probleme shëndetësore. Ndërkohë Deklaratën ia dhashë delegates Leonora Binishit – Zajmi, që ishte bija e kunatës sime. Ajo e kishte kryer punën si është mirë. Delegatët, që tashmë vepronin në baza nacionale, e kishin trajtuar tekstin e Deklaratës, por jo në ambientet e Kuvendit, që tashmë thuaja mbahej e kontrolluar nga milicia (policia) serbe. Pas disa ditësh më konsultuan nëse autori, pra Gazmendi, do të pajtohej të hiqej pika e fundit. Gazmendi u pajtua plotësisht me kërkesën, madje tha se ajo pikë ishte krejtësisht e panevojshme.
Ndërkohë, pasi u caktua data kur do të miratohej teksti i Deklaratës, brenda ose jashtë objektit të Kuvendit, në cilësinë e veprimtarit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut në Prishtinë sigurova praninë e një delegacioni vëzhguesish nga Federata e të Drejtave të Njeriut në Francë, pastaj të një veprimtareje të shquar të të drejtave të njeriut nga SHBA (Eva Brendli) që kështu shpallja e Deklaratës të kishte edhe njëfarë legjitimiteti ndërkombëtar.
Më 2 Korrik 1990 delegatët shqiptarë, të cilëve u ishin mbyllur dyert e objektit të Kuvendit, pas disa seancave dramatike, u mblodhën para dyerve të tempullit të demokracisë, ku u lexua teksti i Deklaratës. Atë paraprakisht e kishin nënshkruar 114 delegatë. Ndërsa delegatët ishin mbledhur për të miratuar këtë dokument, që ndërkohë do të trajtohet si një prej gurëve themeltarë të ndërtimit të shtetësisë së Kosovës, Kuvendi ishte i rrethuara nga tanke e forca të mëdha të milicisë. Leximi dhe shpalla e Deklaratës u shoqërua nga duartrokitje të gjata të delegatëve, por edhe të qytetarëve që po e ndiqnin në mënyrën më të pazakonshme punën e një parlamenti në rrugë.
Kamerat televizive do të përjetësojnë skenën kur Milicia do ta shoqërojë veprimtaren nga SHBA, Eva Brendli me gjithë qenin e saj, dhe Luljeta Pulen.
Ata që e ndoqën shpalljen e Deklaratës u shpërndanë të lumtur dhe me shpresën se po niste koha e zgjidhjes së nyjës së Kosovës. Ajo do t’i printe shpalljes së Kushtetutës në Kaçanik dy muaj më pas, më 7 shtator, që Kosovën e deklaronte Republikë. Pas shpalljes së deklaratës kushtetuese do të mbylleshin mediet në gjuhën shqipe – “Rilindja” e RTP, do të suprimohen thuaja të gjitha institucionet autonome të Kosovës dhe do të fillonte një dekadë e rëndë e mbylljes së shkollave e fakulteteve, e largimeve nga puna, e persekutimeve, arrestimeve e dënimeve, që do të kulmonin me luftën e UÇK-së dhe ndërhyrjen e NATO-s, për të përfunduar me çlirimin e Kosovës.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, para dyerve të tij, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake dhe tanke. Teksti i plotë i Deklaratës ishte ky:
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990/
” Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës, vullnet ky i sublimuar edhe në Deklaratën e ASHA të Kosovës për pozitë të re kushtetuese të Kosovës, si dhe duke u nisur nga roli dhe pozita e Kuvendit të Kosovës si organ përfaqësues dhe kushtetutëdhënës më i lartë i pushtetit dhe i vetëqeverisjes në Kosovë, Kuvendi i Kosovës solemnisht shpallë:
DEKLARATEN KUSHTETUESE MBI KOSOVEN SI NJESI Të PAVARUR DHE TE BARABARTE NE KUADER TE FEDERATES (KONFEDERATES) TE JUGOSLLAVISE SI SUBJEKT I BARABARTE ME NJESITE E TJERA NE FEDERATE (KONFEDERATE)/
1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.
2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.
3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).
4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.
5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim,duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.
Prishtinë, më 2 korrik 1990. Delegatët nënshkrues të Deklaratës:”
(Pasojnë nënshkrimet e 114 delegatëve shqiptarë, myslimanë e turq. Të nesërmen, më 3 korrik, Deklaratën e ka nënshkruar edhe një delegat).
Teksti burimor, i hartuar nga akademiku Gazmend Zajmi, ka pasur edhe pikën 6, me këtë përmbajtje: “Me këtë Deklaratë abrogohet Rezoluta e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e 10 korrikut të vitit 1945 nga Kuvendi i Prizrenit, e cila u nxor në emër të vullnetit të popullsisë së Kosovës, e pa vullnetin e saj”, mirëpo komisionet përkatëse të Kuvendit konsideronin se me vetë miratimin e kësaj Deklarate abrogohej automatikisht edhe Rezoluta e Kuvendit të Prizrenit. Me këtë ndryshim qe pajtuar edhe autori, tash i ndjeri Gazmend Zajmi.
Do ditur teksti i Deklaratës ka qenë në duar të delegatëve dy javë para se të miratohej para dyerve të mbyllura të Parlamentit të Kosovës, por nuk arriti të hynte në rend të ditës për shkak të obstruksioneve të kryetarit të atëhershëm të Kuvendit dhe të delegatëve serbë e malazez.
favenid says
Mire qe parkujtohe ngjarjet me rendesi .
Por nje ngjarje me rendesi per Bashkimin
Kombetar _Duhej shtuar diku se esht
m i r a t u a r ne nje kuvend apo konferenc
-Parlament tjeter ne ditet me te veshtira
unanimisht nje R E Z O L U T nga 49 delegate
prezent e dy ne munges 51,firmosur gjthsejt
nga pakicat dhe shqiptaret 100% per
v e t v e n d o s j e n e Popullit shqiptar
te Kosoves e te Rrafshit Dukagjinit
e shkurt quhet “Konferenca e Bujanit”
qe anash kalohet ne shqiperi e ne Kosove
pa drejtsisht.11 (21-22%),nga nenshkrusit dhan jeten
Gjakun e tyre per ate frim qe hodhen.
{se gjith autoret autoritativ-
Shkenctaret-Historianet, Kongresi e
Senati Amerikan I referohen si pik jueidike
per dhenjen e pavarsisi Kosoves DARDANE.
argumentuse Konferences Kshillit Clirimtar
mbajtur me 31 dhjetor 43 1-2 janar 44.