-Kuvendi i Kosovës rimblidhet për demarkacionin të martën e javës së ardhshme/
-Lëvizja Vetëvendosje pas largimit të 13 deputetëve, nga grupi më i madh parlamentar kaloi në vendin e tretë/
–Tani grupi i parë – më i madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës është i Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti opozitare, me 27 deputetë/
PRISHTINË,15 Mars 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Vazhdimi i seancës plenare për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi do mbahet të marten e javës së ardhshme, 20 mars 2018, në orën 16:00.
Ky është vendimi i mbledhjes së mbrëmjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës së bashku me kryetarët e grupeve parlamentare, ndërkohë që gjatë ditës u zhvilluan punime në seancë plenare për pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara në mungesë kuorumi.
Seanca e jashtëzakonshme për Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi ka pasur katër shtyrje në pritje të sigurimit të dy të tretave të votave – së paku 80 nga Kuvendi 120 anëtarësh.
Duhen së paku edhe 2 vota derisa janë dy parti që ishin deklaruar kundër – Lëvizja Vetëvendosje opozitare dhe Lista Serbe pjesë e koalicionit qeverisës.
Por, grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk është më si ishte deri dje më i madhi me 32 deputetë, pasi ndarja u pa sot në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.
Dje në mbrëmje Kryesia e Kuvendit zyrtarizoi kërkesën e 12 deputetëve për krijimin e grupit të ri parlamentar – Grupi i Deputetëve të Pavarur nga të dorëhequrit e Vetëvendosjes, e cila tani ka vetëm 19 deputetë pas kalimit dje edhe të një deputeteje të deritanishme të saj në partinë që udhëheqë me qeverinë -Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Vetëvendosje nga grupi më i madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës ka kaluar në vendin e tretë.
Tani grupi i parë – më i madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës është i Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti opozitare, me 27 deputetë, e cila me kohë ka deklaruar votën pro ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin.
I dyti është grupi parlamentar nga koalicioni qeverisës, i Partisë Demokrake të Kosovës me 23 deputetë.
Së paku dy votat që duheshin për ratifikimin e demarkacionit tani duket se janë siguruar – një e deputetes së Vetëvendosjes së kaloi në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës e ndonjë tjetër nga partia e sapondarë.
Ndërsa, për Listën Serbe “tema e të ashtuquajturit demarkacion fare nuk egziston”.
“As që na intereson kjo çështje, me të le të merren partitë shqiptare në përputhje me programet e veta politike”, ka deklaruar në një komunikatë në 9 mars partia serbe, e cila ka 10 deputetë në Kuvend e 3 ministra në qeverinë e Kosovës, një prej të cilëve është edhe zëvendëskryeministër.
Marrëveshja për Kufirin Shtetëror mes Kosovës e Malit të Zi është nënshkruar në 26 gusht 2015 në Vjenë. Për palën kosovare e ka nënshkruar atëherë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i atëherëshëm i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvedëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiç dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviç.
Dëshmitarë të nënshkrimit ishin atëherë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.