Nga Behlul Jashari/ PRIZREN, 10 Gusht 2015/ Në qytetin e Prizrenit, më të madhin në rajonin jugor të Kosovës, sot u mbajt konferenca e dytë për shtyp në kuadër të edicionit të XIV të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”, ku u prezantuan programi ditor dhe mysafirët.
“Kur më është kërkuar t’a kurojë një program për këtë edicion të Dokufestit, kam dashur që të tregoj një anë tjetër të kinemasë Amerikane. Duke qenë se Amerika është vend ku shumica e popullit janë migrantë, shumica e regjisorëve të këtyre filmave që do të shfaqen kanë migruar nga vendet tjera, e kjo lidhet edhe me temën e këtij viti”, tha Neil Young, kurator i programit special “Uncharted States of America”, cituar në njoftimin e dërguar.
Tema qendrore e Fstivalit në këtë vit është migrimi dhe shënohet me një numër ngjarjesh, duke përfshirë një program filmi të kuruar në mënyrë të veçantë, diskutime në panel dhe punëtori tashmë tradicionale.
Në kuadër të DokuFest, sot në Prizren zhvillohet edhe debat i cili adreson rolin e rëndësishëm që arti dhe kultura kanë në krijimin e vlerave të reja që do të mund të ndihmojnë në ballafaqimin me traumat e konfikteve të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar. “Zhvillimet e reja dhe shkëmbimet në art dhe kulturë në rajon janë indikatorët më të mirë të tij”, theksojnë organizatorët.
Në konferencë morën pjesë: Norika Sefa, Ibro Hasanovic, Neritan Zinxhiria, Albena Kovatcheva, Neil Young, Esther Shubinski.