-Vazhdimësi e bashkëpunimit të mirë të EULEX dhe komunave në veri të Kosovës/
-Shefja e EULEX takim me kryetarët e komunave në veri dhe vizitë Gjykatës Themelore në Mitrovicë/
PRISHTINË, 4 Tetor 2016-B.Jashari/ Shefja e Misionit EULEX, Alexandra Papadopoulou, u takua sot me kryetarët e katër komunave të veriut të Kosovës, Mitrovicës Veriore, Leposaviçit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.
Njoftimi i dërguar thekson se, ky takim, i cili mes tjerash u përqendrua në mandatin e ri të EULEX-it, është vazhdimësi e bashkëpunimit të mirë ndërmjet këtij Misioni dhe komunave në veri. Papadoupolou i përgëzoi kryetarët e komunave në veri për angazhimin e tyre konstruktiv, duke theksuar se ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm për këtë mision si dhe për komunitetin lokal.
“EULEX-i është i gatshëm që të vazhdojë ta mbështesë fuqizimin e institucioneve të sundimit të ligjit në veri, si dhe ta përkrah zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, tha Papadopoulou, duke shtuar se integrimi gjyqësor është një proces i rëndësishëm i cili shpresojmë se do të finalizohet së shpejti.
Pas këtij takimi, Papadopoulou e vizitoi Gjykatën Themelore të Mitrovicës, ku u takua me gjyqtarë dhe prokurorë që punojnë aty për të diskutuar lidhur me një numër të çështjeve, duke e përfshirë integrimin e gjyqësorit dhe aktivitetet e përditshme, bën të ditur njofimi i EULEX.
Shefja e re e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), grekja Alexandra Papadopoulou, ka marrë detyrën në 1 shtator 2016.
Katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovica Veriore, Leposaviçi, Zubin Potoku dhe Zveçani janë të banuara me shumicë nga komuniteti serb.