-Urimi i Presidentes Jahjaga me rastin e Festës së Pashkëve/
PRISHTINË, 27 Mars 2016/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga i dërgoi një mesazh urimi Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, dhe të gjithë besimtarët katolikë, me rastin e Festës së Pashkëve.
“Me rastin e Festës së Pashkëve, më lejoni që në emrin tim personal por edhe në emër të Institucioneve dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës, Juve dhe të gjithë besimtarëve t’iu urojë që këtë festë të ringjalljes së shpirtit njerëzor dhe ripërtëritjes së besimit te Zoti ta kremtoni në paqe, shëndet e harmoni”, thuhet në mesazh. Festat si kjo e Pashkëve, vijon Jahjaga, kthejnë ndjenjën e bashkimit dhe të solidaritetit me të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetjen dhe për përkujdesjen institucionale.
“Andaj, në frymën e respektit të ndërsjellë dhe të tolerancës së bashku të punojmë për mirëqenien e të gjithë qytetarëve pa dallim dhe të lutemi për paqe, siguri dhe begati për gjithë njerëzimin”, shprehet Presidentja kosovare.
Ajo thekson se, urimet e përzemërta dua t’ua përcjelli edhe ambasadorëve, përfaqësuesve diplomatikë, komandantit dhe ushtarëve të KFOR-it, si dhe të gjithë përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë, që do të festojnë Pashkët në vendin tonë.
“I nderuari Ipeshkëv Gjergji, ju uroj edhe një herë që Ju dhe të gjithë besimtarët, këtë feste ta kaloni në paqe, gëzim, begati dhe mirëqenie shpirtërore”, përfundon mesazhin Presidentja e Kosovës.
***
Kryeministri Mustafa uron besimtarët për Festën e Pashkëve
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë dhe krerët e komuniteteve fetare, të cilët kremtojnë sonte Festën e Pashkëve.Në urimin e kryeministrit Isa Mustafa, thuhet:
Me rastin e Festës së Pashkëve, iu shpreh urimet më të përzemërta të gjithë besimtarëve të krishterë, të cilët kremtojnë sonte këtë festë të madhe.
Me mesazhet e saj të shenjta, Festa e Pashkëve, mbush shpirtin dhe mendjen e njerëzve anekënd botës plotë me shpresë, gëzim dhe dashuri.Festa e Pashkëve, me vlerat dhe virtytet e panumërta që risjell në mendjet tona, na frymëzon dhe na e forcon besimin dhe optimizmin se e mira do të triumfojë gjithmonë mbi të keqen, dashuria mbi urrejtjen, paqja mbi luftën dhe dhunën shumëformëshe.Festa e Pashkëve sivjet, ka një vlerë dhe përjetim të posaçëm në Kosovë dhe vendet tjera me shqiptarë, sepse në shtator do të përjetojmë nderin dhe kënaqësinë e shenjtërimit të Nënës tonë Terezë, simbolit global të humanizmit, mirësisë dhe dashurisë vetëmohuese për njeriun.Ta festojmë me gëzim e me besim në të ardhmen këtë festë të shenjtë.
Për shumë mot Pashkët!
Isa Mustafa
Kryeministër i Republikës së Kosovës