-Jahjaga: Jemi larg e afër nga BE-ja aq sa kemi kryer punët tona/
-Kosova ka një trashëgimi të pasur kulturore e fetare, dhe një prej tyre është edhe Manastiri i Deçanit/
Nga Behlul Jashari/ DEÇAN, 1 Shtator 2015/ Kosova është afër a larg Bashkimit Evropian aq sa kryen punët e veta, u shpreh sot Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.
“Ne jemi aq larg po edhe afër nga BE-ja për aq sa kemi kryer punët tona. Dhe, prandaj duhet të tregojmë pjekurinë tonë dhe vizion për të ardhmen, e cila ndërtohet bashkërisht për një shoqëri të njerëzve të lirë me mundësi të qarta dhe të barabarta për zhvillim dhe përparim. Një shtet të së drejtës, me një sistem të përparuar e modern të arsimimit”, theksoi ajo në manifestimin për 100 vjetorin e shkollës shqipe në trevën e Deçanit.
“Dëshmia më e mirë është shënimi i këtij përvjetori të 100-të të shkollës shqipe në këto treva”, u shpreh Presidentja e Kosovës në manifestimin e organizuar nga shoqata e historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan.
“Kosova si edhe çdo vend tjetër i ka vështirësitë e veta të tranzicionit, që shkaktojnë dhimbje, padurim, por edhe mospëlqim. Një periudhë që ndoshta zgjat më shumë, sepse kërkon më shumë punë dhe reforma të thella në shoqëri, që sado të dhimbshme të jenë këto reforma, janë të domosdoshme për neve, për shoqërinë tonë, për shtetin tonë dhe do të ndihmojnë shoqërinë tonë të përafrohet me BE-në”, tha Jahjaga.
Kosova, vijoi ajo, është vend i traditave të mirëkuptimit e mirëbesimit, vend shumëkulturor i tolerancës dhe kultivimit të harmonisë kombëtare dhe fetare. “Në veçanti kjo pjesë e Kosovës, Rrafshi i Dukagjinit, ka dëshmuar me shekuj këtë histori të tolerancës dhe të bashkëpunimit fetar”, u shpreh Presidentja kosovare.
Jahjaga theksoi se, Kosova ka një trashëgimi të pasur kulturore e fetare, dhe një prej tyre është edhe Manastiri i Deçanit, një objekt tashmë në mbrojte të UNESCO-s, vend anëtar i së cilës organizatë së shpejti do të bëhet edhe Kosova.
“Ky Manastir, që mban emrin e qytetit tuaj, një objekt i trashëgimisë dhe kultit fetar ortodoks, gjatë historisë mbijetoi dhe u ruajt nga banorët e zonës – kryesisht fise shqiptare. Kjo traditë besoj se duhet të kultivohet edhe në të ardhmen, sepse kështu ruajmë pasuritë dhe trashëgiminë e Kosovës dhe sepse kështu kultivojmë ndjenjën e lirisë dhe të barazisë”, tha ajo.
-Unë, vijoi Jahjaga, angazhohem që marrëdhëniet me Manastirin të zhvillohen në frymën e bashkëpunimit të mirë, të mirëkuptimit dhe mirëbesimit me ata që shërbejnë në atë vend, duke mundësuar njëkohësisht edhe kryerjen e të gjitha detyrave dhe obligimeve si pushtet komunal.
“Ne duhet ta respektojmë frymën e Kushtetutës dhe të Ligjeve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht obligimet tona të marra me Paketën e Ahtisaarit. Vetëm sundimi i ligjit dhe zgjidhjet institucionale janë të qëndrueshme dhe njëherësh të pranueshme”, tha Presidentja Jahjaga.
Në manifestim morën pjesë edhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, kryetari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, anëtarë të familjeve të dëshmoreve, përfaqësues të Institutit të Historisë dhe studiues.
Pas përfundimit të manifestimit, Presidentja Jahjaga vizitoi shkollën fillore “Sylë Alaj” në Drenoc të Deçanit dhe bashkëbisedoi me nxënësit dhe me personelin arsimor, ndërkohë që sot në gjithë Kosovën filloi viti i ri shkollor.
Komuna e Deçanit kufizohet me Shqipërinë dhe Malin e Zi, është në pjesën më perëndimore të Kosovës, te Alpet Shqiptare, ka një sipërfaqe prej 372 km², 66000 banorë, dendësi të popullsisë rreth 200 banorë në 1km², lartësitë mbidetare prej 550 deri në 2.656 metra.