-Kuvendi i Kosovës do ta shpallë 5 Shtatorin e Nënës Terezë ditë të humanizmit dhe bamirësisë/Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 6 Shtator 2015/ Festa e Nënë Terezës në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, është përmbyllur mbrëmë me koncert në Katedralen me emrin e shenjtëreshës shqiptare, ku në mesditë u zhvillua mesha solemne. Himni i Nënës Terezë performuar nga solistja e njohur shqiptare me famë botërore, Inva Mula, përmbylli festimet.
Në Koncertin e Himnit të Nënë Terezës me vepra muzikore të kompozitorëve të njohur shqiptarë dhe botërorë dhe recitime të aktorëve të shquar ishin edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë Musa Xhaferi, veprimtari dhe simboli i rezistencës kosovare Adem Demaçi, deputetë dhe shumë personalitete tjera të jetës politike, kulturore e fetare.