Foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari: Prishtina, Sheshi Skenderbeu/
-Lëvizje drejt takimit të përbashkët të liderëve të maxhorancës e opozitës te Presidentja e Republikës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË,7 Shkurt 2016/ Jepni shans dialogut, përgjigjuni pozitivisht ftesës së Presidentes është thirrja drejtuar të gjitha subjekteve politike kosovare nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në një deklaratë sot ku thekson se nga afër ka përcjellë të gjitha zhvillimet në vend karshi krizës politike që tashmë po hyn në muajin e gjashtë të saj. “Funksionimi i plotë i institucioneve, veçanërisht i Kuvendit, është vitale për funksionimin e tërësishëm të shtetit. Përgjatë kësaj periudhe, vazhdimisht kemi bërë thirrje ndaj partive politike parlamentare, që të përdorin dialogun si mjet të vetëm për zgjidhjen e mospajtimeve politike. Në këtë frymë, kemi përkrahur çdo iniciativë institucionale për dalje nga gjendja e tanishme e krizës dhe hapjes rrugë zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve”, shprehet KDI.
Sipas parimeve të ndarjes së pushtetit, vijon deklarata, Kushtetuta obligon kreun e shtetit të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve shtetërore. “Duke qenë se Presidenti përfaqëson unitetin e popullit, KDI përkrah iniciativën e Presidentes Jahjaga për dialog ndërpartiak, dhe inkurajon liderët e gjitha subjekteve politike që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së saj”, thekson deklarata.
Më tej Instituti Demokratik i Kosovës thekson:Ne u rikujtojmë partive politike dhe udhëheqësve politikë e institucional që:
Të jenë të vetëdijshëm për sfidat me të cilat si shoqëri, si subjekte politike dhe institucione shtetërore jemi ballafaquar në vitin e fundit, të përkushtohen që bashkërisht t’i adresojnë këto sfida, në mënyrë që të mos përbëjnë kërcënim për shtetin dhe mirëqenien e qytetarëve.
Të njohin faktin se shteti ynë është ndërtuar mbi bazën e të drejtave dhe lirive qytetare, me mundin dhe jetën e shumë prej tyre, pa harruar as përkushtimin e miqve tanë ndërkombëtarë që të garantojnë një shtet me vlera demokratike, prandaj të përkushtohen që këto obligime kushtetuese t’i adresojnë përmes dialogut politik gjithëpërfshirës.
Të jenë të vendosur për të dhënë kontributin e tyre në ndërtimin e një shoqërie të lirë nga dhuna, frika, urrejtja, korrupsioni, dhe të jenë të përkushtuar për ndërtimin e një shteti dhe shoqërie e cila garanton sundimin e ligjit, lirisë së mendimit e të lëvizjes, transparencës, mirëqeverisjes, prosperitet, zhvillim, dinjitet dhe barazisë për të gjithë.
Të pajtohen të punojnë së bashku për t’i dhënë fund polarizimit politik, duke përdorur dialogun politik si themelin e demokracisë.
Të garantojnë se do të respektojnë dhe do të marrim në përgjegjësi të gjitha obligimet kushtetuese e shtetërore, të cila janë rezultat i aspiratave të qytetarëve tanë dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, për të forcuar funksionalitetin shtetëror me vlera të integrimeve properëndimore.
Të jenë vizionarë për të treguar rrugën e funksionimit të shtetit mbi bazën e dialogut për vendimet e mëdha nacionale, në përputhje me frymën dhe rendin kushtetues të Kosovës, përfundon deklarata e Institutit Demokratik të Kosovës.
Liderët e dy partive më të mëdha të maxhorancës së koalicionit qeverisës, i LDK – kryeministri Isa Mustafa dhe i PDK – zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, gjatë një konference për shtyp dje pas takimeve me përfaqësuesit e veteranëve të UÇK-së kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë dhe për të biseduar për tejkalimin e situatës në takimin e përbashkët me opizitën të ftuar për nesër nga Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.
“Ne, njëherësh i bëjmë ftesë edhe liderëve të opozitës që ata të jenë aty, sepse ne jemi që të gjitha çështjet t’i zgjidhim me dialog, me bisedë, në bazë të argumenteve dhe assesi që zgjidhjet të bëhen përmes dhunës”, tha kryeministri Mustafa.
“Duke konfirmuar përgjigjen pozitive, në të njëjtën kohë ftojmë edhe liderët opozitarë që t’i përgjigjen ftesës pozitivisht, t’i bashkëngjiten dialogut”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.
Nga opozita në Kosovë duket se lëvizet nga pozicioni i “ngrirë” drejt takimit të përbashkët me maxhorancën në tryezën e Presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, e cila për në mëngjesin e të hënës i ka ftuar të gjitha subjektet politike parlamentare “për të diskutuar tejkalimin e gjendjes së krijuar në vend”. Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është deklaruar se lideri i saj, Ramush Haradinaj, është pro mbajtjes së këtij takimi, ndërsa sot pritet një vendim nëse do shkoj vetëm apo do shkoj opozita si e bashkuar.
Ky është një zhvillim i ri, pas takimit të djeshëm të liderëve të tre partive opozitare, derisa situata e “ngrirë” e Kuvendit të Kosovës me bllokime nga opozita, edhe me hedhje gazi lotsjellës në sallën e seancave plenare e jashtë saj, që prej fundverës 2015 vazhdon edhe këtë dimër dhe drejt pranverës, e gjatë kësaj periudhe ftesa më e re e presidentes së Republikës është përpjekja e tretë për t’i ulur në një tryezë pozitën dhe opozitën, por dy herët e kaluara ka zhvilluar vetëm takime të veçanta.
Opozita, e cila ka kërkesë edhe zgjedhjet e parakohëshme, ka ritheksuar se “thirrja eventuale e seancave plenare nuk i kontribuon zgjidhjes së krizës politike”, ndërsa ka paralajmëruar protestën e ardhëshme për në ditën e festës së 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës -17 shkurt, në Prishtinë.